Të çmojnë aq sa e çmon shtëpinë dhe vëllazërinë tënde!

Nga Kim MEHMETI

Sikur të prodhonte grurë e grosh sa e një e dhjeta e asaj sa prodhon kanabis, Shqipëria do kishte bukë, si dhe për me bukë, për të gjithë banorët e saj dhe, nuk do kishte nevojë të importonte miell të prishur serb. Dhe duke e ditur se kanë ushqim sa për vetveten, banorët e saj më lehtë do e kuptonin pse kanë rënë në duart e regjimit të ‘Rilindjes’, pjesëtarët e të cilit, si të ishin hajdutë të mëhallës, dalin në mes të natës dhe e rrënojnë Tetarin e Kombëtar. E që pastaj, në mes të ditës, të mbështesin projektet serbo-ruse, si ai i ‘Ballkanit të Hapur’ dhe mëmëdheun tonë ta shndërrojnë në kopsht të kanabisit e vetveten në kryekumbar të bandave kriminele.

Sikur Kosova të kishte biblioteka sa një e qindta e numrit të ‘Garazheve’ ku fshehurazi bëjnë seks burrat e gratë e martuar që i tradhtojnë fëmijët dhe partnerët e vet bashkëshortor, atëherë ajo do e kuptonte pse realitetin e saj e përshkruajnë akademikët të cilët merren me ‘llafe’ grash dhe paaftësinë e vet e fshehin pas punimeve ‘shkencore’ për bartjen e shamisë?!

Sikur nëpër vendbanimet e shqiptarëve të Maqedonisë të kishte shkolla të pajisura përafërsisht aq saç janë të pajisur WC-të e kazinove dhe bastoreve të Tetovës, atëherë shqiptarët e këtij shtetit mbase më lehtë do e kuptonin se janë peng dhe argatë të drejtuesve të BDI-së të cilët. sa herë që thirren në vlerat e UÇK-së ia bëjnë me dije popullit se veprojnë sipas mendësisë leniniste të ‘armatës së kuqe’: ‘ne ju çliruam, ne do ju shkë….ejmë!’

Nëpër ‘Shqipëritë’ tona mungon shumëçka, por ka një pasuri të paimagjinueshme të cilën pasuri ua japim falas vendeve Perëndimore: të rinjtë të cilët nuk e braktisin vendlindjen gjithaq pse u mungon ushqim cilësor apo shtrat i butë, por pse prindërit e tyre i lanë në duar e hajdutëve të cilët nuk ua plaçkitën vetëm të sotmen. por ua harxhuan edhe të ardhmen!

Pra nëpër ‘Shqipëritë’ tona u rritën dhe rriten fëmijët e prindërve që nuk kishin as aq guxim qytetarë sa të pranonin hapur se nuk ishin vetëm politikanët ata që dështuan dhe u bënë hajdut, por edhe të gjithë ata që e vinin në gjumë popullin duke i ofruar grindje publike dhe spektakle ku promovohej shthurje dhe amoral. Me çka aq e trullosën popullin sa ai të harrojë se aty ku nuk ka moral e dinjitet, mos kërko shtëpiar që e di se çdokush të çmon vetëm aq sa ti e çmon shtëpinë dhe vëllazërinë tënde.

About Redaksia

Check Also

Kur shteti hipën në avion me arka

Nga Agron GJEKMARKAJ Çuditë s’kanë të sosur! Kur ti je zgjuar gjithë bezdi, me zile …

Leave a Reply