Kryetari i PD, Sali Berisha renditi arritjet e vendit gjatë qeverisjes 8-vjeçare të demokratëve. Në 32-vjetorin e themelimit të degës së PD në Vorë, Berisha tha se, arritjet në tre dekada duhet të shërbejnë si frymëzim për të ardhmen.
“Përulem para themeluesve të degës së PD në Vorë, të cilët në një akt guximi, idealist, vendosmërie, themeluan këtu në Vorë PD-në, si parti e lirive dhe të drejtave të mohuara të shqiptarëve, si parti e interesit kombëtar të shqiptarëve, parti e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi i thellë, ndërtimit të shtetit ligjor, demokratik dhe ekonomisë së tregut.
Përvjetorët sigurisht që janë një bilanc arritjesh dhe ne vijmë në këtë përvjetor në një udhëtim 32 vjeçar, në të cilin Shqipërinë e kemi transformuar në shekuj. Ne vijmë në këtë 32 vjetor, pas një udhëtimi në të cilin Shqipërinë nga honet e mjerimit ekstrem, shqiptarët i ngjitëm në grupin e popujve me të ardhura të mesme të larta.
Shqipërinë me një infrastrukturë mesjetare e shndërruam në vend me infrastrukturë moderne. Shqipërinë e kolektivizmit total e shndërruam në vendin të ndërtuar nga mundi, djersa dhe iniciativa e lirë e qytetarëve të saj. Shqipërinë nga izolimi më i thellë e shndërruam anëtare të KE-së, NATO-s, morëm rekomandimin për hapjen e negociatave, hoqëm vizat. Shqipërinë ndër më të prapambetura në botë për digjitalizimin e sollëm në moshën digjitale. Shqiptarët arritën të kenë rrogat mesatare më të larta në rajon. Por këto miqtë e mi, të themi të vërtetën kanë dy kuptime. Në një aspekt janë arritje ta pamohueshme, por nga ana tjetër, çdo reflektim, vështrim në të shkuarën duhet të ketë një dhe vetëm një qëllim, frymëzim për një të ardhme më të ndritur, më të madhe. Nuk i duam këto për dekorata, por i numërojmë këto arritje për frymëzim në mënyrë që ne të përmbushim sot dhe vitet që vijnë, një mision të madh, për të ardhmen e çdo shqiptari”, tha Berisha.
