Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë këtë pasdite në ceremoninë e 32-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike. Përpara themeluesve dhe simpatizantëve të PD, Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama se e ka kthyer Shqipërinë në një shtet droge. Rama ka kthyer monizmin dhe qeveris duke pasur ideale krimin dhe drogën, tha Berisha.
Berisha i bën thirrje qytetarëve dhe demokratëve që ta heqin Ramën nga skena politike shqiptare. Kreu i PD-së tha se kjo do të fillojë nga zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Sot, nëse u ndalëm në arritjet e 32 viteve, u ndalëm që të kuptojmë se jemi në një mision. Do na çojë në përmbysjen e monizmit. Në fitoren e kandidatëve të opozitës në mbarë Shqipërinë. Ne kemi një armik të egër, si një siamez apo si një pasardhës besnik i etërve të tij. Por me një dallim të madh. Nëse ata intolerancën ndaj pluralizmit e kishin ideologjike, ky e ka kryekëput në vjedhjet e tmerrshme që ka bërë. E ka të bazuar në drogën që drejton, në lidhjet e krimit që mban. Misioni ynë është jetik për çdo demokrat.
Në monizmin e parë, u bënë përpjekje të na mposhtnin, por ne qëndruam duke patur armë të vetme idealet tona. Duke patur frymëzim misionin që ne kishim. Sot bëhen përpjekje të jashtëzakonshme. Ky armik duhet të përballet me ne. Për të shporrur këtë kalbësirë nga skena politike shqiptare. Ne ecim të sigurt drejt fitores. Ka 60-fishuar importet me Kolumbinë, ka kthyer shtetin e drogës”, u shpreh Berisha.