Monika Kryemadhi, deputetja e LSI, ka kërkuar në SPAK të ndalen pagesat nga buxheti i shtetit për inceneratorin e Tiranës, pas takimit që ka pasur sot me prokurorët.
Kryemadhi u thirr paraditen e së martës në SPAK, ku qëndroi për mbi dy orë, për të dhënë sqarime, prova, dëshmi, argumente lidhur me kallëzimin penal që ka bërë Partia e Lirisë muajt e fundit për inceneratorët, që i konsideron si vjedhjen më të madhe të shekullit.
Kryemadhi tha për mediat: “Sot isha pranë prokurorisë së posaçme për sa i përket çështjes së inceneratorit të Tiranës, për të paraqitur të gjitha provat e reja në lidhje me të por edhe për të përsëritur edhe njëherë padinë, kallëzimin penal që kam dorëzuar në 4 mars 2021.
Gjërat tashmë po zbardhen gjithnjë e më shumë dhe më e pakta që duhet bërë është ndalimi i pagesave për inceneratorin e Tiranës, duke pasur parasysh që çdo ditë paguhen 29 euro për ton.
Ajo që dua të theksoj është se edhe pse është vendosur për marrjen e bonusit për kompaninë offshore “Integrated” që nuk do të kishte mbështetje buxhetore, por që ne fakt e ka mbështetjen financiare, nuk kemi pse të fillojmë që ditën e parë të zbatimit të kontratës, pagesën me 29 euro për ton ndërkohë që kompania ka marrë përsipër investimin e saj 120 milionë euro”.