Batërdi me vjedhjet, “Gys bixhozi” i KESH 2.5 milionë euro për parashikimin e motit

Emri i Ergys Verdhos po lakohet dita-ditës për tenderët miliona euro në institucionet që ka drejtuar. Dikur te Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe aktualisht drejtor i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Verdho tenderon çdo javë miliona euro, duke pasur “në krah” ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Por kjo sasi e madhe tenderash ka sjellë që ato të mbivendosen. E thënë më thjeshtë, për një shërbim, KESH-i bën disa tendera. Disa muaj më parë, BoldNews.al investigoi dhjetëra procedura të kësaj Korporate, që kishin të bënin me parashikimin e motit dhe llogaritjes së sasisë e ujit që do shkonte në kaskadat e Drinit. Verdho deklaroi se një gjë e tillë po bëhej me qëllim parandalimin e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Por, pavarësisht se u shpenzuan miliona euro, sërish qindra shtëpi dhe mijëra hektarë me tokë bujqësore u përmbytën. Por, çfarë bën Verdho në këtë situatë?! Atë që do të bëjë më mirë, të bëjë procedura tenderuese të kota, duke shpenzuar miliona euro të tjera për të llogaritur prurjet në HEC-e.

Shpallja e tenderit të ri për parashikimin e prurjeve në HEC-e
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, KESH-i ka hapur tenderin mbi kufirin e lartë monetar me objekt të kontratës “implementimi i inteligjencës artificiale për menaxhimin e operimit të digave, parashikimit të prurjeve dhe menaxhimit të shkarkimeve”. Fondi limit për këtë procedurë është plot 250.000.000 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 2.5 milionë euro. Kohëzgjatja e kontratës është vetëm 1 vit, ndërkohë, që hapja e zarfeve do të bëhet në fillim të muajit mars 2023.

Në dokumentet shoqëruese thuhet se “objektivi i përgjithshëm është ofrimi i një zgjidhje për mbledhjen e të dhënave për parashikimin e flukseve hyrëse, parashikimin e konsumit të energjisë, planifikimin e prodhimit, tregtimin e energjisë dhe modelimin e tregut”. Më tej sqarohet se KESH-i synon “shfrytëzimin e kaskadës, skedulimin e energjisë, minimizimin e riskut nga ndryshimet klimatike, menaxhim efikas i prurjeve në liqenet e kaskadës, reduktimin e shkarkimeve pa prodhim si rrjedhojë minimizimi i përmbytjeve në zonën e Nën Shkodrës”. Por, në kohën që KESH-i shpalli këtë tender, zona e Nën Shkodrës vijon të jetë nën pushtetin e ujit, si pasojë e paaftësisë së Verdhos për të menaxhuar këto kaskada.

Disa muaj më parë, BoldNews.al denoncoi disa tendera që po kryente KESH-i për parashikimin e motit. U shpenzuan 1 milionë euro për parashikimin e motit nëpërmjet satelitit. Sistemi parashikonte që Verdho të kishte informacion të saktë për sasinë e shiut, si dhe të përllogarisë edhe prurjet në kaskadat e Drinit. KESH hapi procedurën e prokurimit me objekt “furnizim, vendosje i komponentëve plotësues për sistemin satelitor të parashikimit meteorologjik faza II”. Fondi limit i këtij tenderi është 150.000.000 lekë, ndërsa do blihen pajisje të ndryshme. Ky tender vjen disa kohë pas finalizimit të një tjetër procedure të Verdhos, me objekt “sistemi i parashikimit satelitor të motit për operimin dhe menaxhimin e kaskadës në kuadër të sigurisë së digave, Faza I-rë”.

Në dokumentet shoqëruese, Ergys Verdho, shkruan se “për të garantuar një monitorim të saktë dhe profesional në HEC Fierze, HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës është i nevojshëm investimi me teknologjitë dhe marrja e informacioneve në kohë reale”. Në vijim thuhet se ky sistem do të shërbejë për menaxhimin e prurjeve të mëdha në pellgun ujëmbledhës të lumit Drin përmes analizës dhe investigimit të hollësishëm të situatës së prurjeve në këtë pellg gjatë sezonit të dimrit.

Disa muaj pas satelitëve, Verdho hapi tender edhe në muajin tetor 2022. Në dokumentet e tenderëve për parashikimin e motit, KESH shkruante se një gjë e tillë po kryhej për të matur sasinë e ujit që do të shkojnë në hidrocentrale. Ndërkohë, i njëjti institucion, zhvilloi një tjetër tender, kësaj herë “për të llogaritur nivelin e ujit në hidrocentrale”. Një paradoks i madh me paratë publike, pasi për të njëjtin shërbim, bëhen disa tendera. Madje, për të njëjtin shërbim, KESH ka të punësuar dhjetëra punonjës që paguhen me taksat e shqiptarëve.

Në atë kohë, redaksia jonë denoncoi se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare kishte hapur procedurën e prokurimit “batimetria e liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, përllogaritja e volumit të ujit, krahasimi me volumin sipas projektit dhe me matjen e fundit”. Një nga pikat e tenderit është përllogaritja e volumit të ujit apo krahasimi me matjen e fundit, një shërbim i cili kryhet aktualisht nga punonjës të KESH-it. Për matjen e nivelit të ujit uë shpenzua një shumë prej 170.000.000 lekë, ose me TVSH rreth 1.7 milionë euro.

Pra, për të njëjtin shërbim, matjen e ujit në kaskada, janë bëra tre tendera!/Boldnews

About Redaksia

Check Also

Trump sulmon prokurorin: Do hetohet, është i korruptuar, mund të ekzekutojë njerëz

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se ish-kryeprokurori i Zyrës së Prokurorit të …

Leave a Reply