Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me kandidatët e opozitës për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit tha se, 935 mijë shqiptarë ikën nga vendi nga viti 2014 në 2022. Ai tha se, kurrë në histori ky vend nuk është shkretuar nga një pushtim, apo një regjim siç po shkretohet këto vite.
“Shndërroi ndërkohë narkoeuron dhe grupet e saj, vendimmarrësin më kryesor për fatin e Shqipërisë, fatet e demokracisë shqiptare, fatet e vendit.
Me shumë, shumë dhimbje, me shumë, shumë keqardhje informoj ju dhe shqiptarët se statistikat e fundit të Eurostatit, që deri në vitin 2021, informonin se 744 mijë shqiptarë e kanë lënë Shqipërinë për vendet e BE-së, kjo shifër para pak ditësh është azhurnuar dhe sot janë 935 mijë shqiptarë që kanë lënë Shqipërinë këto vite vetëm në BE, e jo ata që janë në SHBA, Kanada, Norvergji, pra në hapësirën jo Shengen, jo të BE-së.
Kurrë në histori ky vend nuk është shkretuar nga një pushtim, apo një regjim siç po shkretohet këto vite. Sot një thirrje e përgjithshme është; të shpëtojmë Shqipërinë, ti dalim zot.
Shqipëria po evaporon, po zhduket, po vdes me shpejtësi në këtë mënyrë. Nuk ka një vend tjetër në mënyrë absolute që në harkun kohor 2014-2022 të ketë humbur mbi 35 % të popullsisë së vet. Këto të dhëna dramatike e bëjnë misionin tuaj edhe më jetik për vendin, për shpëtimin e vendit”, tha Berisha.