“Paratë i mora të gjitha në banesën e Alda Klosit. Më tregoi kasafortën duke më kërkuar t’i fshihja në banesën time. Disa i futa në sirtarë e të tjerat në tubin e aspirimit”. Kjo dëshmi e Rozeta Dobit fundosi Alda Klosin, ish-shefen e kabinetit të Arben Ahmetajt. Por kaq nuk ka mjaftuar me sa duket për prokurorinë, e cila është rikthyer për ta marrë në pyetje këtë të hënë. Ndërkohë, Alda Klosi ndodhet në spital, në pritje për t’u njohur me masën e sigurisë. Sanitarja Rozeta Dobi ka zbërthyer episode mes saj dhe Klosit dhe rrethanat se si vendosën të fshihnin paratë.
Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e sanitares Rozeta Dobi, e cila çoi në pranga ish-shefen e kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosin. Sanitarja konfirmon se paratë e gjetura në shtëpinë e saj, që kapin vlerën totale prej më shumë se 600 mijë euro, janë marrë në banesën e Alda Klosit në dijeninë e saj, gjë të cilën vetë kjo e fundit e mohon, duke pranuar vetëm vlerën e 120 mijë eurove dhe disa bizhuterive. Dobi tregon edhe detaje se si bashkë me Klosin folën për transferimin e parave.
“Gjatë muajit dhjetor Alda më kërkoi që të mbaja në banesën time shuma parash pasi kishte frikë nga ish-bashkëshorti, i cili e kërcënonte. Pranova pasi kisha vite që punoja me të. Alda më tregoi se kasafortën e kishte futur tek dollapet. Shkova atje, e mora kasafortën e futa në një çantë dhe e dërgova në shtpëpinë time tek “Unaza e Re”. Më shoqëroi djali, por ai nuk dinte gjë, veprimet i kam kryer e vetme. Kasafortën e futa në dollap. Nuk kisha dijeni për shumën e parave. Të nesërmen thashë t’i sistemoja, ku shumën më të madhe të tyre i futa në tubin e aspirimit”.
Dobi rrëfeu edhe një episod kur kishte gjetur një shumë të madhe parash në krevatin e Klosit të mbështjella me batanije dhe mënyrën se si kishte reaguar.
“Nuk i numërova, por ishin shumë para. I vendosa në sirtarin e komodinës që ndodhej pranë krevatit ku flinte Alda. Më pas e mora atë në telefon, ku i tregova edhe vendin se ku i kisha futur, Alda më falenderoi për veprimin”
Episodi ka ndodhur në verën e vitit 2018, teksa më tej sqaron se nga kjo banesë, Alda u largua familjarisht, duke u rikthyer në banesën e vjetër në të cilën gjatë punës, kur ka qenë duke pastruar dollapet ka konstatuar disa kuti me euro.
“Nuk i kam numëruar por vlerat monetare ishin shumë të mëdha dhe nuk di origjinën e tyre apo ku i çonte Alda këto para. Këtë konstatim e kam bërë në vitin 2021, ndërsa kutitë me euro kanë qëndruar aty deri në fund të vitit 2022”.
Por kjo dëshmi, e cila çoi në pranga ish-zyrtaren e lartë, me sa duket nuk është e gjitha nga ç’duhet të dijë prokuroria, e cila është rikthyer për të rimarrë në pyetje Dobin. Këtë të hënë, përfaqësues të prokurorisë mbërritën në komisariatin Nr. 3 për të pyetur sanitaren, por burimet shprehen të rezervuara për të treguar detaje. Alda Klosi u shoqërua në polici dhe u arrestua në flagrance pasi u njoh me deklarimet e sanitares, deklarime, të cilat i mohoi. Ish-zyrtarja ndodhet në spital prej orëve të para të mëngjesit të të shtunës, pasi ka shfaqur komplikacione shëndetësore. Asaj do t’i komunikohet masa e sigurisë të martën e 7 shkurtit, në spital, teksa prokuroria ka çuar dosjen e hetimeve të deritanishme në gjykatë, bashkë me kërkesën që Klosi të lihet në burg.