Më parë Luftës Civile kishte qenë epidemia. Dilema: t’u dërgonin apo jo armë republikanëve të sulmuar nga falangat e Franco? Edhe atëhere diplomaci e pafuqishme, propagandë dhe fake news.
Në zgjedhjet politike Fronti Popullor ishte mrekulluar. Në surprizë, kundër çdo pritshmërie, pavarësisht të gjitha sondazheve. Një çikë si Zelensky që në 2019 kishte parë të zgjidhej president me balotazh me 73% të votave. E majta spanjolle në 1936 kishte marrë 263 deputatë (151 republikanë, 88 socialistë, 14 komunistë, 10 të pavarur të majtë). E djathta kishte marrë 156 (101 për CEDA, Konfederatën Spanjolle të të Djathtave të Pavarura, ultrakatolikë, 15 Karlistë, 13 monarkistë të Calvo Sotelo, 27 të pavarur). Në mes qëndronin 54 centristë, por që nuk vlenin asgjë, pasi e majta kishte mazhorancën absolute e vetme, pavarësisht se në terma votash kishte rezultuar thuajse baraz me të djathtën (4700000, baraz me 47%), kundrejt 4500000, baraz me 46%). E djathta, që ishte nën shok me humbjen e papritur, filloi menjëherë të projektojë një grusht shteti, duke sonduar gjeneralët. Vinte natyrale: grushte shteti dhe diktatura ushtarake Spanja kishte njohur të ndryshme në vitet e mëparshme. Përfundoi në një luftë civile mizore dhe të përgjakshme, të cilës i qenë hapur fatet e të gjithë Europës. Nga ana tjetër, lufta mizore ishte vazhdimi i një politike mizore. Nuk ishte e përgatitur të qeveriste e majta. Nuk ishte e gatshme të përtypte një rezultat të pafavorshëm në votime e djathta. Vetëm në Partinë Socialiste grindeshin dy liderë socialistë që urreheshin midis tyre: Francisco Largo Caballero dhe Indalecio Prieto. Qenë, njëra kundër tjetrës, dy sindikata shumë të fuqishme të majta: UGT socialiste dhe CGT anarkiste dhe dy partive komuniste, asaj ortodokse besnike ndaj Rusisë dhe asaj trockiste. Ishte nacionalizmi bask, që kishte vendosur – kundër qeverisë së majtë – të shpronësonte tokat, dhe ishte edhe nacionalizmi katalanas, ende në konflikt me Madridin. Përveç një pafundësie grupesh, grupthesh, korporatash dhe bashkimesh të tjera.
“Të gjitha partitë (përjashto republikanët) po hynin në këtë lojë të rrezikshme dhe idiote. Qenë milicitë katalanase dhe të nacionalistëve baske, requetés, centurione falangiste, komuniste, socialiste […] Lojë e rrezikshme sepse […] edhe pse në format lodre, nxiste për luftë dhe lojë idiote, sepse të vënë të gjithë të luanin me ushtarët nuk e kuptonin se do të donin të merrnin pjesë në dëfrim edhe ushtarët e vërtetë”, shkruan në ditarin e tij të atyre viteve Manuel Azaña Díaz, që si lider i partisë më të votuar qe kreu i parë i qeverive të majta e më pas president i Republikës. Masakrat dhe vrasjet e kundërshtarëve bënë kusurin. Vrasja e mbi 12000 klerikëve nuk e inkurajoi simpatinë e katolikëve. Alzamiento e gjeneralëve e kishte kaluar me shumë pak vrasjen mizore e eksponentit më të dukshëm të së djathtës në Senat, Calvo Sotelo. Sapo kishte mbajtur një diskutim në Cortes ku ankohej se në shtypjen e revoltës së armatosur në Asturie dhe asaj autonomiste në Katalonjë, qeveria qe treguar shumë dorëlirë. Në realitet në Asturie gjenerali Lopez Ochoa ishte dalluar duke urdhëruar pushkatime jo të diskriminuara, masive, por shumë pak, asgjë respektivisht me “40000 pushkatimet e Komuneve që [në Francën e 1871] kishin siguruar 60 vite paqeje sociale”. I marrë në shtëpinë e tij, i detyruar të hipte në një kamionçinë të Guardia Civil, Calvo Sotelo u likuidua me 2 të shtëna në tëmth. Kishin krijuar një krim Matteotti në kurriz të qeverisë së majtë. Një grup tjetër milicësh të majtë në Madrid e kishte marrë gjeneralin Ochoa, “katilin e Asturieve”, nga krevati i tij në spital, e kishte kaluar nëpër armë dhe kishte kaluar rrugët e kryeqytetit pasi e kishin goditur në kokë me një kazëm. Asnjë nga të dyja palët nuk ishte e butë me të burgosurit. I pushkatonin përgjithësisht në mënyrë masive. Midis arritjeve të fundit të republikanëve në arrati drejt kufirit me Francën qe pushkatimi i të burgosurve që qenë tërhequr prapa dhe që tashmë pengonin marshimin. Është argumenti i një libri të bukur të Javier Cercas, Ushtarët e Salaminës (Guanda 2016), temë shumë e vështirë për një një shkrimtar të deklaruar si i majtë. Si fatthënat bënin thirrje për furtunë, dhunat e djathta dhe revoltat separatiste në Asturie dhe Katalonjë, bënin thirrje për fashizëm. Për “dëshpërimin e zi” të tyre, shkruante Manuel Azaña, kreu i qeverisë kundërdëshirë, më 17 mars 1936 në një letër private për kunatin: “Sot kanë djegur në Yecla 7 kisha, 6 shtëpi, të gjitha qendra politike të së Djathtës dhe Regjistrin e Pronave. Në mesditë djegie në Albacete e në Almansa. Dje trazira dhe vrasje në Jumilla, Sabato Logroño, të premten Madrid: 3 kisha. E enjte dhe e mërkurë, Vallecas […]. Në rrugën Caballero de Gracia, kanë rrahur me shkop një major në uniformë që po bënte asgjë. Në El Ferrol dy oficerë artilerie […]”. E kështë me radhë, për faqe e faqe, deri në konkluzionin e shkëshilluar: “Qysh kur është formuar qeveria […] e ka humbur numërimin”.
Për frankistët, Republika ishte triumfi i Bishës bolshevike, hordhisë së kuqe, diktaturës marksiste, monstruozitetit të mishëruar, shfryrjes së pakontrolluar të armiqve të Zotit e të Kishës, e armiqve të Spanjës që ia nënshtronin një martiri të ngadaltë dhe të tmerrshëm, strehimit të kriminelëve, të vrasësve, të shpronësuesve, të përdhunuesve të murgeshave dhe të vajzave të pafajshme, të torturuesve dhe të pushkatuesve të të burgosurve dhe të të pafajshëmve. Për republikanët, rebelët qenë jo nacionalistë, por tradhëtarë të atdheut dhe të institucioneve të tij demokratikisht të zgjedhura, fytprerësve marokenë dhe mercenarëve, fashistëve (për hir të së vërtetës, falangistët deklaroheshin të tillë, kështu që nuk ofendoheshin), buratinë të Hitlerit dhe të Mussolini, gango të latifondistëve dhe të kapitalit të madh, masakruesve të punëtorëve, fshatarëve dhe patriotëve, torturuesve dhe pushkatuesve të të burgosurve dhe të pafajshëmve. Masakra qe praktikisht mizore dhe e pamëshirshme, nga të dyja palët. Zbuloheshin prej kohësh varre të reja të përbashkëta të torturuarish dhe të vrarësh, deri edhe pas vdekjes së Franco dhe, sikur të mos mjaftonte, secila prej të dyja palëve masakronte, përveç armiqve, edhe ata të anës së tyre, duke i akuzuar apo vetëm duke i dyshuar se qenë “kolona e pestë” e armikut. Asgjë e re nën diell: ka akoma rrethana ku justifikoheshin mizoritë më të këqija duke e quajtur “nazist”(apo “komunist”) kundërshtarin. Kështu krijoheshin jo vetëm shqetësime, por një terror në kuptimin e vërtetë të fjalës midis të moderuarve dhe klasave të mesme, përfshi ata që kishin votuar në zgjedhje për Frontin Popullor.
Është një libër shumë i bukur dhe i dokumentuar i Gabriele Ranzato i titulluar Frika e madhe e 1936: Si Spanja percipitoi në luftën civile (Laterza, 2011). Njoftimet, përpara se të ndodhnin faktet, krijonin ato “orrejtje të tmerrshme e të thella” të cilave u referohet Gramsci kur reflekton në burg mbi trashëgiminë e dyvjeçarit të kuq të pushtimit të fabrikave. Thuajse një përfundim: politikës mizore luftë mizore. Ja imazhet: digjet natën një qytet i bombarduar. Skena ndriçohet vetëm nga flakët. Trarët bien si prush i argjendtë. Është ditë, bien sirenat. Kalojnë në qiell bombarduesit. Civilët nguten të zbresin nëpër rifuxho. Predhat në veprim. Shpërthime. Pallatet shkatërrohen me të shtëna topash. Mbesin skeletet, konturet, të dëmtuara, të gjymtuara me kate të tëra. Ajo që mbetet nga fasadat bëhet me vrima nga fishekët e kalibrit të rëndë. Njerëz që gërmon me lopata dhe me duar në grumbullin që më parë duhej të kishte qenë banesë. Rrugë të mbushur me gërmadha dhe me mbeturina, copëra tashmë që nuk hyjnë në punë dyqanesh të shkatërruara. Civilë që kalojnë me vrap një urë, të përkulur që t’u shpëtojnë plumbave. Nënat mbajnë në krahë foshnjet. Të paktë ata që kanë nga një valixhe, një fagot. Kolona të tëra refugjatësh, me pak gjëra nëpër karroca të tërhequra me dorë. Kufoma grashë dhe fëmijësh, të shtrirë npër rrugë. Kufoma të tjera të grumbulluara nëpër tokë, në një lokal të madh që mund të ketë qenë palestër shkolle.
Nuk është Irpin. Është Irún, në Vendet Baske. Trupat nacionaliste të Franco qysh nga 1936, thuajse në fillimet e Luftës Civile në Spanjl, e kishin sulmuar, goditur me top dhe më pas pushtuar duke luftuar shtëpi për shtëpi. I mundësonte të kontrollonin rrugët drejt kufirit me Francën, pra të pengonin furnizimet për Republikën dhe të rrethonin Madridin. Janë pamje të bëra nga dy operatorë sovjetikë, Roman Karmén dhe Boris Makaseiev, të ardhur nga Moska bashkë me të dërguarin e “Pravda”, Mikhail Kolcov. Në kthim, Kolcov u pushkatua nga Stalini, të dy operatorët e zot nuk dihet se çfarë fundi kanë pasur. Pjesët shfaqen në një metrazh të shkurtër të realizuar nga Luis Buñuel. Titullohet España 1936. U shpërnda me titra dhe komente në shumë gjuhë. Është një film i veçantë, bile propagande. Regjisori tashmë i famshëm, që nuk i fshihte simpatitë republikane, ishte thirrur në një takim në Gjenevë me ministrin e Jashtëm të Republikës Álvarez del Vayo. Kishte marrë detyrën që të shkonte në Paris, ku do të duhej të drejtonte nën mbikëqyrjen e ambasadorit të Madridit, Luis Araquistan, një seksion kinematografik me objektivin që ta bënte Europën të interesuar pas kauzës republikane. Detyra specifike ishte të luftohej “neutraliteti” i deklaruar i Europës demokratike në konfliktin në Spanjë dhe sidomos embargoja ndaj armatimeve dhe municioneve për të dyja palët ndërluftuese.
“Pakti i mosndërhyrjes” ishte vendosur në një mbledhje në Londër, ku kishin marrë pjesë përfaqësues të Britanisë së Madhe, të Belgjikës dhe të Francës. Për Francën kishte ndërhyrë kryeministri Léon Blum. Bashkëbiseduesi i tij ishte ministri i Jashtëm britanik Anthony Eden. Blum, socialist, në krye të qeverisë së Front Populaire, nuk mund të mos e simpatizonte një qeveri të majtë, me në krye një socialist, në Spanjë. Ministri i tij i Mbrojtjes Pierre Cot kishte njoftuar tashmë se Franca kishte ndërmend ta nderonte kontratën, e firmosur shumë përpara revoltës së gjeneralëve, për furnizimin e Spanjës me 6 avionë (për përdorim civil), dhe më pas eventualisht të kaçabombarduesve. Por Blum ju desh që t’i dorëzphet presioneve britanike, ta hedhë poshtë Cot dhe t’i anullojë çdo shitje armësh Spanjës. Nuk dihet sesi do të kishin ecur gjërat po ta kishin ndihmuar Spanjën. Sigurisht duke u paraqitur me rregull përpara Hitlerit dhe Mussolini, Perëndimi luftën e kishte kërkuar. Historianët divergjojnë sesi do të kishte shkuar. Eden i kishte bërë me dije se rrezikohej një luftë botërore dhe se shpenzimet do t’i mbante parasëgjithash Franca. I tha se inteligjenca britanike kishte zbuluar tashmë përqëndrime dhe lëvizje trupash gjermane në Renani. Sipas versionit tjetër, më shumë sesa ndaj presioneve britanike, Blum do të bindej nga presionet e brendshme.
Mendonte se dërgimi i armëve Spanjës nuk do të kalonte në Senat, ku qeveria e tij e koalicionit e socialistëve, radikalëve, dhe komunistëve kishte një mazhorancë të vogël. Ka mundësi i frikësohej që me masën të binte edhe qeveria e Frontit Popullor, e cila gjithësesi ra pak muaj më vonë. Luis Jiménez de Asúa, përfaqësues i Spanjës pranë Lidhjes së Kombeve, ka treguar – shumë kohë më vonë, më 1965 – se Blum e kishte thirrur në shtëpinë e tij, duke e pritur në robe de chambre, për t’i shpjeguar, “me lot në sy”, se pse nuk mund ta furnizonte me armë Republikën e sulmuar nga gjeneralët puçistë të saj. “Më tha se [kryeministri konservator britanik] Baldwin i ishte drejtuar, duke i kaluar sipër kokës, direkt presidentit të Republikës [franceze] Lebrun, për t’i komunikuar qartë e shkoqur se në rast lufte [të Francës] kundër Gjermanisë apo Italisë, Britania e Madhe do të qëndronte neutrale”. Spas dëshmive të tjera, Londra deri do të kërcënonte, në rast ndërhyrjeje direkte të Francës apo edhe të shitjes së armëve qeverisë republikane legjitimisht e zgjedhur, për të mbështetur, furnizuar me armë apo deri për të ndërhyrë në krah të Franco dhe të gjeneralëve rebelë. Pak mungoi që të thonin se nuk duhej poshtëruar Hitleri, që ishte në qeveri nga 1933. “Mund të zgjidhnit midis luftës dhe çnderimit. Keni zgjedhur çnderimin dhe tani do të keni edhe luftën”, do t’ua plaste Churchill.
Europa ishte e freskët nga masakra sa çnjerëzore, aq edhe e kotë e Luftës së Madhe. E ndjekur nga një masakër tjetër nga dora e virusit të “Spanjolles”. Opinionet publike nuk e donin një luftë të re botërore. Kultura, edhe ajo e majtë, ishte “pacifiste”. E atyre viteve është një lexim rinor. La guerre de Troie n’aura pas lieu, i Jean Giraudoux, kishte dalë në skenë në Théâtre de l’Athénée më 1935. Ma kishte dhuruar një e fejuar atëhere shumë e “majtë”. Tregon sesi diplomacia do ta kishte shmangur atë luftë të parë të famshme botërore të grekëve të bërë koalicion kundër Trojës dhe aleatëve të saj. Nuk jam i sigurtë se më ka bindur. Ndoshta sepse tashmë e dija se ai pacifizëm i mrekullueshëm progresist, pakrahasueshmërisht më i kulturuar dhe më i rafinuar se “as as” i ditëve tona, pasqyrohej në një pacifizëm të djathtë më të vrazhdë dhe më hipokrit. “Pacifistë” ultrà si eksponenti i të “djathtës sociale” Marcel Déat, autori i artikullit të famshëm të titulluar “Të vdesësh për Danzigun?”, apo populisti Jacques Doriot, do të përfundonin duke e bërë luftën, ama në uniformë të SS.
Në Europë nuk kishte shumë simpati për Spanjën e qeverisur nga e majta, as nga pjesë e së majtës. Për ta thënë të gjithë, nuk kishte shumë simpati për spanjollët. Tepritë frikësonin. Spanjollët qenë konsideruar një popull emigrantësh, të varfër, sherrxhinj, të prapambetur, paksa barbarë. Ende në fundin e ‘800 proletarët francezë sulmonin dhe linçonin në Provansë emigrantët punëtorë italianë, duke i akuzuar se u merrnin punët. Nuk shkonte më mirë me spanjollët apo me portugezët, të mirë për të bërë të gjithë concierge, kamarierët, gratë e shërbimit apo piktorët që po vdisnin nga uria. Për të mos folur për hebrenjtë, tepër të varfër apo ndryshe, tradicionalisht në arrati nga pogromet e Lindjes dhe, zyrtarisht nga ngjitja në pushtet e Hitlerit e këtej, edhe nga Gjermania apo tepër të pasur apo të aftë në financë. Konservatorëve anglezë nuk u shkonin për shtat as republikanët që kishin përzënë një mbret, as të “kuqtë” që shpronësonin pronarët e tokave, rivendikime autonomiste tip i atyre të baskëve dhe katalanasve, që i kujtonin atë të irlandezëve në shtëpinë e tyre. Aq më pak i vinte për shtat prishja e ekuilibrave ndërkombëtarë: kërcënonte biznesin. Fronti Popullor nuk ngjallte sipmati as tek laburistët. Ja, sa për të dhënë një ide sesi lideri i Labour Party, Hugh Dalton (i njëjti që më pas do të shkelmonte nga qeveria, bashkë me Atlee, konservatorin shumë popullor Winston Churchill), i përgjigjej në 1937 kujt e ftonte që të “bënte më shumë” për Spanjën: “Do të donit që të “forcoja dorën e qeverisë” mbi Spanjën, por për të bërë çfarë? Për t’i shitur armë qeverisë spanjolle? Por të gjitha armët që prodhojmë në këtë moment janë të prenotuara tashmë për Programin e Riarmatimit Britanik.
Sikur edhe t’i hiqej embargoja [ndaj shitjes së armëve Spanjës] nuk do të ishim në gjendje të furnizonim as edhe një pushkë për Spanjën. Do të ishit midis atyre që janë në favor të “Armë për Spanjën”, por jo të “Armëve për Britaninë e Madhe”, pavarësisht riarmatimit të përshpejtuar të fashistëve? Do të donit që të dërgonim usjtrinë dhe marinën britanike në Spanjë për të luftuar “vullnetarët” fashistë? Kjo po që do të ishte vërtet ndërhyrje, ama mendoni se çfarë do të mbështetej nga opinioni publik anglez? Ndoshta do të duhet të dërgojmë Marinën britanike për të bllokuar brigjet e Spanjës për ta respektuar edhe të tjerët mosndërhyrjen? […] Ekziston një rrezik në rritje “incidentesh” që mund ta na kthejnë prapa në një luftë të përgjithësuar ë Europë”. Nuk ju fishkëllejnë veshët? Të gjithë e dinin miri se “mosndërhyrja” dhe embargoja e armëve funksiononin vetëm në sens unik. Vlente vetëm në dizavantazh të republikës. Qysh pas ditë pas pronunciamiento se gjeneralëve jobesnikë ndaj Republikës që qenë betuar ta mbronin, Gjermania dhe Italia kishin siguruar një urë ajrore për të transportuar trupat rebele, repartet elitare të Morëve e të Legjionarëve dhe pajimin e tyre nga Maroku në Gadishull. Nëpërmjet detit nuk do të mund të spostoheshin pasi Marina ishte rebeluar dhe i kishte shpallur mbështetje Republikës. Pastaj do të ndërhynte direkt për t’u dhënë një dorë të fortë rebelëve të Legjionit Condor. Çuditërisht për shkatërrimin e Guernica nuk ekzistojnë imazhe, vetëm piktura e madhe e Picasso. Frankistët theksuan se ata që e bombarduan kishin qenë republikanët.
Edhe kjo e ridëgjuar për Ukrainën. Mussolini kishte dërguar menjëherë një flotë drejt Baleareve dhe kryqëzorin “Eugenio di Savoia” për të lehtësuar bllokimin e Tangeri. Hitleri kishte dërguar kryqëzorin “Königsberg”, me 9 topat e tij të fuqishëm prej 155 milimetrash SK C/25, të shpërndarë në 3 kulla. Shërbenin për të penguar që asgjë të mund të dilte apo të hynte në portet spanjolle, vetëm në mos e eksportuar nga nacionalistët apo e importuar për t’i armatosur. Republikanët ju duhej t’i drejtoheshin kontrabandës. Në Paris, “përfaqësuesi misterioz i Internacionales Komuniste”, Eugene Fried, kishte krijuar Shoqërinë France-Navigation, duke ia besuar drejtimin italianit Giulio Cerreti. Tek Spiunë dhe Halla imagjinoj se Fried është xhaxhai im Bernard dhe mund edhe të ishin bërë, aq të mbështjellë në mister janë njeri dhe tjetri, të dy agjentë tejet profesionistë të Stalinit në Parisin e fillimviteve ‘30. Moska dërgonte direkt nga Odesa avionë, tanke, specialistë, gazetarë, kinooperatorë dhe drejtues politikë. Natyrisht, jo falas. Me pagesë të ardhshme, të garantuar nga ari i Bankës së Spanjës, i imbarkuar, thuhet, në 10000 arka prej druri, gjithmonë drejt Odesës, për ta “shpëtuar” nga synimet e fashistëve përpara se nacionalistët të vinin duart e tyre mbi të. Po Amerika? Më keq se të shkoje natën.
Opinionit publik amerikan nuk kishte aspak interes për Spanjën. Në 1937, kur lufta zgjaste tashmë prej më shumë se 1 viti dhe lexuesve të gazetave mund të lexonin korrespondencat e ajkës së gazetarëve, Ernest Hemingway dhe Martha Gellhorn, për të cituar vetëm një dyshem dhe shikuar foto e bëra nga Robert Capa, Gerda Taro dhe David Seymour për Magnum, një sondazh Gallup tregonte se argumenti ishte në vendin e 10 të interesit për publikun mashkullor amerikan, menjëherë pas martesës së Eduardit të Windsor me amerikanen e divorcuar, si edhe admiruese e Hitlerit. 2 amerikanë në 3 nuk kishin as dijeni për ekzistencën e konfliktit. Në të kundërt, 2 anglezë në 3 një opinion për luftën e Spanjës e patën krijuar, por nuk ishte në kuptimin se demokracia duhej mbrojtur. Për pjesë më të madhe të Europës konflikti ishte një çështje lokale, që ta zgjidhnin spanjollët pa infektuar të tjerët. Për një pjesë të Amerikës, të djathtën, sidomos të djathtën katolike, ishte një luftë midis të Mirës dhe të Keqes dhe kjo e fundit, ça va sans dire, ishte e majta ateiste. Jo vetëm u mobilizuan në një komitet për ta ruajtur embargon e armën ndaj dërgimit të armëve në Spanjë (natyrisht, për Republikën, armët të tjerëve nuk llogariteshin), por edhe kundër dërgimit të miellit. Arritën në pikën që mobilizoheshin kundër mikpritjes së disa qindra fëmijëve spanjollë, e organizuar nga Kryqi i Kuq. Motivacioni: qenë jetimë luftëtarësh republikan, pra potencialisht ateistë, revolucionarë të rrezikshëm…
Në atë që me të drejtë është quajtur lufta e parë elektronike, e luftuar në valët e radios akoma më parë se në fushat e betejës, fitonte më parë akoma se kush kishte topat, kush kishte më shumë transmetues dhe më shumë riçevitorë. Nga Detroiti At Charles E. Coughlin – i quajtur nga disa shenjtor, nga të tjetër protofashist – sokëllinte kundër gabimeve të ateistëve në Spanjë. Predikimet e tij arrinin në 8 milion aparatura radio, mbi 15 milion dëgjues, por është në Spanjë që radio pati një rëndësi strategjike të krahasueshme me atë që në Ukrainë kanë imazhet e shpërndara nëpërmjet internetit, falë edhe platformës së pasulmueshme ueb satelitare të furnizuar nga Elon Musk. Nëpërmjet radios, qindra stacionet e partive, e sindikatave, e anarkistëve, e gjeneralëve rebelë përhapnin informacione nga fronti, propagandë dhe fake news. Aparaturat më të fuqishme i kishin gjermanët. Bashkoheshin në valë mijëra radioamatorë. Disave keq u ndodhi: arësyeja, shumë e pamundur, e adoptuar nga nacionalistët për pushkatimin e poetit García Lorca është se kishte komunikuar me radio me republikanët. Me radio kuptohej ajo që ndodhte në Spanjë për pjesën tjetër të Europës dhe të botës.
Simpatitë shkonin për nacionalistët më shumë sesa republikanët. I quanin kështu për komoditet dhe prej zakonit. Është shumë e pasaktë. Në realitet “lealistët” republikanë qenë më “nacionalistë” se nacionalistët. Komunistët qenë në radhën e parë të paraqitjes së luftës si luftë popullore në mbrojtje të Spanjës, si “luftë patriotike” par excellance. Pak vite më vonë Stalini do ta merrte kallëp nga spanjollët këtë përkufizim për të fituar luftën kundër pushtuesve nazistë. Në 1936 Manuel Azaña Díaz, president i Republikës gjatë krizës, e kishte asociiuar menjëherë rezistencën ndaj gjeneralëve puçistë ndaj rebelimit të popullit të 1808 kundër pushtuesve napoleonianë. “Një vend i pavarur dhe i lirë, domethënë Republika. Kjo është ajo që Spanja dëshiron të jetë”. Sigurisht, një pjesë e anës republikane thoshte se një ditë po e një ditë jo se nuk donte aspak ta mbronte dmeokracinë “borgjeze”, por se donte të “bënte revolucionin”. Disa deklaronin se donin ta bënin si në Rusi. Të tjerë, anarkistët, trockistët, se donin ta bënin më mirë, domethënë më keq se në Rusi, ku Stalini do t’u dorëzohej burokratëve. “[Ai i Frontit Popullor] është një program qendër konservator më shumë se qendër reformistë; kapu pas këtij programo dhe revolucioni do të katandiset në pafuqishmëri […]” ankohej një editorial i “El Liberal”, gazetë e afërt me Izquierda Republicana, domethënë liberal – radikale, as e majtë e majtë.
I habitshëm ky fakt i testatave: gazeta e së djathtës ekstreme quhej në fakt “La Verdad”, saktësisht si “Pravda”, organ i PKBS. Për hir të së vërtetës nuk ishte së homologia puçiste ishte më e pakët në fushën e përçmimit të demokracisë. “Ne nuk besojmë në qeveritë që dalin nga kutitë e votimit. Kombi spanjoll nuk do të mundet kurrë të shprehet lirisht nëpërmjet votës…”, kishte deklaruar Francisco Franco në deklaratën e parë pas rebelimit. Jo saktësisht një kartëvizitë qetësuese për ndjeshmëritë demokratike të fqinjve europianë. Dukej se do të zgjaste pak, të zgjidhej me ngut për njërën palë apo për tjetrën dhe në fakt tmerri zgjati 2 vjet e gjysëm, qe i tillë që ende sot është në fuqi pacto de olvido i heshtur, pakti për të harruar, i nënshkruar nga të gjitha palët politike për të mundësuar një tranzicion pa trauma për demokracinë pas vdekjes së Caudillo Franco. Në planin ushtarak, u alternuan për 2 vjet e gjysëm ofensiva, kundërofensiva, avancime, tërheqje, rrethime, sulme. Një moment që dukej se po fitonin rebelët, momentin tjetër se po mbizotëronin forcat e Republikës dhe të vullnetarëve të ardhur nga e gjithë bota për t’u dhënë një dorë. Qytete dhe fshatra shumë herë kalonin dorë dhe çdo herë fituesit e momentit pushkatonin dhe masakronin ata që kishin lënë në jetë herën e parë. “No pasaran”, thoshin mbrojtësit e Madridit. Dihet: Alfin pasaron.
(nga Il Foglio)
Përgatiti
ARMIN TIRANA