Nga Bujar LESKAJ
106 vite më parë, në 10 shkurt 1917 në Adana lindi Musine Kokalari, veprimtare politike e kulturore, shkrimtare dhe intelektuale e shquar.
Studimet e larta i kreu në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nënoja plakë” në vitin 1939.
Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.
Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga banda komuniste në pushtet dhe gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.
Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan për 22 vite në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret me kancer, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.
Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.
Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë” ndërsa në vitin 2008 i jepet titulli i lartë “Nderi i Kombit”.