Deputeti Luan Baçi dhe avokatja Adriana Kalaja shkuan te komisariati nr.2 për të kërkuar lirimin e protestuesve të opozitës, të cilët u ndaluan pas tubimit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Baçi tha se policia ka vepruar me urdhër për të frikësuar qytetarët. Ai theksoi se protestat do të jenë të vazhdueshme, ndërsa i përcolli një mesazh Policisë së Shtetit dhe kryeministrit Edi Rama.
“Thonë do t’i shoqërojnë te komisariati nr.1 se, sipas këtyre, aty është vepra penale. Protesta ishte e mirëorganizuar dhe e monitoruar nga PD. Policia kryen veprime për të frikësuar qytetarët. Kjo ishte protesta e parë, do ketë valë protestash dhe duan të bëjnë shantazh, duke i ndaluar pa shkak, duke dhënë mesazh që të mos jenë në protestat e radhës. Bashkë me avokaten zonja Kalaja do të jemi në ndjekje të problemeve. Shoqërimet janë të paligjshme, duan të fusin frikën para qytetarëve. Edhe shashkat i hedhin vetë e duan t’ua lënë qytetarëve.
Protesta e arriti qëllimin, Rama do ketë protestë pas proteste, pa ndalim. Drejtuesit e policisë nuk duhet të provokojnë protestuesit, të mos i shohin si armiq, janë bashkëqytetarë të tyre, janë vëllezërit e motrat dhe tyre, kanë dalë për të protestuar për padrejtësitë që i ka bërë kjo qeveri dhe ky kryeministër. Ditën e hënë protesta do të jetë para Parlamentit. Në orën 17.00 ka një seancë parlamentare, 8 deputetë të PD janë të përjashtuar nga seanca. Është dhënë urdhër të mos hyjnë në Parlament, por unë do shkoj dhe do të hyj. Nëse do të më tentojnë të më ndalojnë, është punë e tyre, por s’kam bërë asgjë. Parlamenti është puna ime”, u shpreh Luan Baçi.