Opozita do të zhvillojë sot një protestë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë në orën 12:00 ku ka ftuar pa dallim, jo vetëm mbështetësit e saj, por qytetarët pa dallim që janë të goditur nga kriza ekonomike dhe korrupsioni i qeverisë Rama.
“Shqipërisë i dalim zot, pluralizmit, votës së lirë, demokracisë” është motoja zyrtare e kësaj proteste të organizuar nga Fronti i Shpëtimit Kombëtar – “Vetëm ti ke fuqinë ta largosh Kryeministrin” është mesazhi i përcjellë me videon drejtuar shqiptarëve.
Në këtë protestë do të bëhet thirrje për dorëheqjen e kreut të qeverisë, pas një sërë aferash korruptive që kanë dalë në dritë dhe po hetohen si edhe skandalit më të fundit, marrëveshjeve të tij të fshehta me agjentin e arrestuar të FBI, Charles McGonigal, për të shkatërruar Partinë Demokratike, partinë më të madhe të opozitës në Shqipëri, duke paguar shuma të mëdha financiare.
Skandali McGonigal eci paralelisht me një skandal tjetër që shpërtheu në dhjetor, zbulimin e të mijërave euro në para të thata të fshehura në shtëpinë e zyrtares së lartë të Kryeministrisë që mbulonte kontratat e inceneratorëve. Zbulimi i mbi 400 mijë eurove të padeklaruara që ndodhi për një shkak të një incidenti të shkaktuar nga pastruesja, vërtetoi akuzat prej vitesh të opozitës se inceneratorët ishin vjedhja më e madhe e shekullit nga qeveria dhe në krye të skemës korruptive ishte bashkëpunëtori më i afërt i kryeministrit, Zv.ministri Arben Ahmetaj, i zhdukur nga skena politike dhe i mbyllur në heshtje të plotë.
Përplasjet e opozitës me qeverinë kanë agravuar së fundi pasi kryeministri pengoi me çdo mjet të drejtën e mocionit me debatit në Kuvend për aferën McGonigal dhe dënoi deputetë e opozitës që ngulmuan për të kërkuan fjalën.