Ndryshimi fillon nga fshati

Nga Luçiano BOÇI

Sopoti e ka shitur vajin e ullirit sivjet me 400 lek për litër (më pak se 3.5 euro). Në fakt, zona ku ai banon është të paktën 20 e sa kilometër larg zonës industriale dhe shumë më lart se ajo. Për ta prodhuar vajin, ai dhe bashkëfshatarët e tij zvarriten me çdo mjet të mundshëm deri në Cërrik. I futur në thasë dhe në arka të vjetra – ulliri vritet, nxihet dhe oksidohet. Vaji i tyre e humbet cilësinë e lartë përpara se të prodhohet.

Nëse zona e tij do të kishte një fabrikë vaji dhe nëse mjedisi do të ishte i certifikuar si i pastër, çmimi i vajit ekstra të virgjër që prodhon Sopoti dhe njerëzit e tij do të ishte të paktën 8 euro për litër me shumicë. Kjo do t’i jepte Sopotit dhe çdo familjeje tjetër në po atë zonë më shumë se dyfishin e të ardhurave.

Vetëm zona e Gjergjanit ka mbi 1 milion rrënjë ullinj. Elbasani në tërësi si qark ka më shumë pemë ulliri edhe se Berati dhe është nr. 1 në Shqipëri në prodhimin e vajit.

Në kornizën e përgjithshme fshati i Elbasanit është tejet prodhimtar. Përfund edhe Labinot Mali shkëlqen me Sericën, të cilën braktisja shtetërore e ka lënë thuajse të izoluar dhe pa rrugë. Janë dhjetra fshatrat që prodhojnë pemë, qershi, ullinj, perime, patate, e gjithçka tjetër. Elbasani si qark prodhon bujarisht mbi 1.2 milion ton produkte bujqësore të freskëta.

Nëse Elbasani do ta kapërcejë një ditë stigmën e varfërisë, kjo do të nisë nga fshati. Edhe pse Elbasani është Qyteti i Qyteteve, zemra e vërtetë e qytetarisë shqiptare, është shkolla dhe zejtaria më fine e imagjinueshme, është shtëpia e esnafëve të shquar dhe e poetëve këngëtarë, është qyteti par excellence – përsëri e ardhmja e këtij rajoni do të nisë dhe do të buisë nga fshati.

Elbasani është prodhuesi i dytë më i madh në Shqipëri i bimëve medicinale dhe erzave. Kushtet natyrore e favorizojnë atë që të jetë prodhuesi kryesor.

Administratat socialiste i kanë braktisur qytetet me kohë. Por kjo vlen disafish për fshatin: rrugët janë lënë të shkatërrohen, uji dhe kanalizimet janë të standartit afrikan, shërbimet bujqësore janë përherë e më të shtrenjta, agronomë nuk gjen më dhe veterinerët janë më të shtrenjtë se spitalet private në Tiranë.

Toka është shpresa e fundit që u ka mbetur banorëve, të cilët kur nuk kanë bukë për të ngrënë – nisin fëmijët jashtë dhe lypin ndihmë ekonomike.

Mizoria e varfërisë i shtohet pafuqisë së fermerëve të vegjël për t’a nxjerrë prodhimin në treg.

Logjika e aplikimit të TVSH-së për produktet bujqësore dhe blegtorale që aplikoi administrata Rama rriti artificialisht me 20-30% çmimet e lëndëve të para, që fabrikat e vogla – ende larg konkurueshmërisë – duhet të fusin në treg.

Kjo ndodh ndërkohë që importet vazhdojnë të konkurojnë pa mëshirë fshatarin shqiptar.

Politika e regjistrimit të pronës në fshat ka dështuar totalisht. Për këtë arsye sektori bujqësor ka tërhequr vetëm 2% të totalit të kreditimit të ekonomisë. Çdo investim qeveritar në fshat shkon për blerje votash, jo për zhvillim të qëndrueshëm.

Fshati realisht ka nevojë për investime dhe për politika sektoriale të thelluara. Mbi të gjitha, fshati ka nevojë për një logjikë të re që mbështet sipërmarrjen më shumë se asistencializmin, një logjikë që forcon fermerët përkundër dëshirës së administratës së majtë për t’i marrë njerëzit peng.

Politika e së djathtës duhet ta pavarësojë njeriun nga shteti dhe ta shndërrojë shtetin në shërbëtor të qytetarit, të fermerit, të intelektualit, të të rinjve që kërkojnë një të ardhmen atje ku jetojnë e përkasin.

Detyra jonë është të ngrejmë një sistem të ri vlerash duke ngritur fuqinë e individit dhe shpirtin e tij të lirisë. Është turp që varfëria – si fjalë dhe si koncept – të ekzistojë më tej në trevën e pasur e të begatë të Elbasanit.

Unë nuk mund të flas për çdo qytet tjetër. Por e ardhmja e Elbasanit fillon nga fshati.

About Redaksia

Check Also

Të gjitha “duart” që i kontrollojnë “pavarësinë” SPAK-ut!

Nga Gent STRAZIMIRI “Është dora e amerikanëve” thonin fillimisht, dhe në fakt amerikanët fare “pa dorë” …

Leave a Reply