Berisha: Pavarësia e Kosovës është vepër e presidentit vizionar, Ibrahim Rugova!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Kosova sot është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më lirë se në të gjitha trojet e tyre. Berisha tha se, Pavarësia e Kosovës është vepër e presidentit vizionar, Ibrahim Rugova.
“Pas pavarësisë së Shqipërisë, pavarësia e Kosovës shënon ditën më të rëndësishme në historinë e lirisë së shqiptarëve.
Është kjo ditë që shënon lirinë për të gjithë shqiptarët në sensin që një komb, që ka pjesët e tij të robëruara, nuk mund të jetë kurrë i lirë.
Pavarësia e Kosovës është në radhë të parë, dëshmi e shpirtit të pamposhtur të qytetarëve të saj.
Kosova është një trevë, në të cilin nga 1870 deri 1999 është derdhur gjak, janë bërë luftëra dhe kryengritje më shumë se në çdo trevë tjetër të kontinentit.
Pavarësia e Kosovës është vepër e presidentit vizionar, Ibrahim Rugova, i cili me guxim të jashtëzakonshëm, me vizion të madh, thuri dhe ndërtoi në ndërgjegjen, shpirtin dhe zemrën e qytetarëve të këtij vendi, ëndrrën e pavarësisë. Ndërtoi aty pushtetin paralel të shqiptarëve, që kundërshtonte pushtetin e pushtuesve.
Pavarësia e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili vendosi në historinë e shqiptarëve, kulmin e guximit, burrërisë, sakrificës për vendin dhe kombin.
Natyrisht, mbarë kombi kontribuoi në pavarësinë e Kosovës, por kjo pavarësi do ishte e pamundur pa mbështetjen e fuqishëm, pa rolin udhëheqës në këtë proces nga SHBA. Kongresi i këtij vendi, presidentët Klinton dhe Bush, vendet e NATO-s që ndërmorën ofensivën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot, çdo shqiptar feston me krenari të veçantë 15-vjetorin e republikës së pavarur të Kosovës. Në 15 vite, Kosova ka shënuar suksese mahnitëse, arritje të mëdha.
Ajo është sot shteti me të drejtat dhe liritë të pakicave më të respektuara në rajon. Shteti i standardeve më të mira të funksionimit të ligjit. Shteti, në të cilin ekonomia zhvillohet dhe ndër më solidet, ka një infrastrukturë më moderne në rajon.
Kosova i ka dhënë botës disa nga zërat më magjikë të kohës me çikat e saj. Por edhe kurorën mbretërore në sportet e admirueshme të vajzave të saj.
Kosova sot është vendi ku shqiptarët jetojnë më mirë dhe më lirë se në të gjitha trojet e tyre.
Ndaj ta urojmë në këtë 15-vjetor, Kosovën, qytetarët e saj, mbarë shqiptarët, për suksese edhe më të mëdha në të gjitha rrafshet!”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Vëllai i Veliajt numëron 32 milionë euro pas 10 viteve në Bashki të Erionit, e nisi me 240 mijë euro

Pas kontrollove ndaj familjarëve të kryebashkiakut Veliaj, SPAK zbuloi se ato janë kryer në kuadër …

Leave a Reply