Kur ndahen dy epoka!

Nga Fjoralba DIZDARI

Kur ndahen dy epoka! Mijëra njerëz të kryqytetit, por dhe të rretheve për shkak të atyre ditëve historike, atë të mërkurë të 20 shkurtit 1991 u nisën nga kudo: qëndrat e punës apo shtëpitë, për të përkrahur grevën e studentëve dhe kërkesat e tyre. Vetëm dy muaj më parë ishte themeluar Partia Demokratike dhe ishte shpallur dita e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri në 31 mars 1991. Ime më, tregon që sot 32 vite më parë nga Kombinati Tekstileve ku punonte, ishte nisur në këmbë së bashku me kolektivin e punës të shkonin tek studentët ku po mbahej greva e urisë, por u gjendën në mes të sheshit Skëndërbej, në një situatë tejet të nderë.

Njerëzit kishin filluar të mblidheshin, policët endeshin rrugëve të qytetit me qen, një helikopter dëgjohej e shihej të bënte xhiro nga lart, si për të krijuar gjëndje paniku. Një përleshje mes njerëzve rreth bustit dhe policëve që vraponin sa andej këndej duke tërhequr litarët e gjatë të qenve, zgjati disa minuta të ethshme. Njerëzit rreth e rreth në shkallët e pallatit të kulturës, 15-katëshit dhe shkallet e muzeut ndiqnin ngjarjen simbol. Busti ra! Të gjithë bashkë u nisën, drejt Qytetit Studenti, një turmë e madhe e njerëzve të mbledhur tashmë me qëllimin e vetëm: të tërheqin zvarrë bustin, deri tek studentët e ngujuar.

Tashmë të gjithë bashkë ishin tek greva, në Qytetin Studenti me bustin që rënkonte në asfalt dhe mesazhin për t’i thënë studentëve, që i gjithë kryeqyteti ishte me ta. Në ato momente, nuk e mendonte askush që ai gjest i rrëzimit të bustit do të mbetej simboli i lirisë. Kjo përshpejtoi gjithçka ndodhi më pas, si një pishtar flake për ato ditë të errëta të shqiptarëve, që më në fund po hidhte poshtë një herë e përgjithmonë diktaturën dhe diktatorët për të marrë frymë, erë lirie. Askush nuk e dinte se ky rrëzim i bustit të diktatorit, do ndante epokat!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply