Nis izolimi i regjimit, udhëzimi i OKB: Pezulloni çdo projekt me Tiranën zyrtare

Zyra e OKB-së në Shqipëri ka urdhëruar mëse një muaj më parë agjencitë e saj në Shqipëri që të ndërpresin çdo projekt me qeverinë shqiptare, duke shënuar një rast unikal në historinë e marrëdhënieve të nisura në vitin 1955. Udhëzimi i brendshëm është dhënë më 19 janar 2023 gjatë një takimi të Koordinatores së Përhershme të OKB-së, Fiona McCluney, me drejtuesit e 19 agjencive të OKB-së që veprojnë në Shqipëri.

TPZ ka siguruar dokumentin që u është dhënë drejtuesve të agjencive të OKB-së, që në fakt është një përmbledhje në anglisht e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar në vitin 2021.

Sipas udhëzimit, agjencitë e OKB-së nuk duhet të bashkëpunojnë në projekte me qeverinë 4 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, që këtë radhë janë caktuar për në 14 maj. Kjo u referohet dispozitave të reja të Kodit Zgjedhor që parashikojnë ndalimin e veprimtarive publike dhe përdorimit të burimeve shtetërore në një periudhë 4 mujore deri në ditën e zgjedhjeve dhe këto kufizime synojnë krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike, që marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe të burimeve publike për qëllime të subjekteve zgjedhore. Ato hynë në fuqi për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, por OKB nuk mori të njëjtin vendim si për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Sipas udhëzimit të koordinatores McCluney, krerët e agjencive të OKB-së janë udhëzuar që të pezullojnë aktivitetet me qeverinë deri në zgjedhjet vendore me motivin se kështu mund të favorizohen kandidatët e partisë me pushtet.

Pezullimi i projekteve është një goditje e rëndë për qeverinë e kryeministrit Rama, që ka përfituar deri më sot nga hartimi i strategjive, ndërhyrjet logjistike, financimi i projekteve të rëndësishme dhe programi i qeverisjes lokale.

Në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, që në hyrje thuhet se ajo e ka të detyrueshme dhe pa asnjë ekuivok bashkëpunimin me çdo qeveri në Shqipëri:

“Nën koordinimin dhe drejtimin e Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, OKB-ja, si një familje agjencish të specializuara në Shqipëri, punon ngushtësisht me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe partnerë të tjerë, duke përfshirë shoqërinë civile, sektorin universitar dhe atë privat, për të luftuar varfërinë, fuqizuar shtetin e së drejtës, nxitur liritë themelore dhe të drejtat e njeriut, mbrojtur mjedisin dhe mbështetur reformat shoqërore dhe ekonomike”.

Burime pranë OKB-së thanë se ky vendim është drastik dhe mendohet si ndëshkim për sjelljen e qeverisë qendrore dhe vendore ndaj investimeve të agjencive të OKB-së që janë shitur si të qeverisë.

Zyrtarët e agjencive kanë raportuar pakënaqësi ndaj qeverisë dhe ndaj disa bashkive, veçanërisht ndaj asaj të Tiranës, që kanë “pronësuar” investimet e tyre, për t’i shitur si të tyret para dhe gjatë fushatave zgjedhore.

Ndërkohë që OKB ka dhënë këtë udhëzim, Shqipërinë po e viziton nga dita e djeshme Drejtoresha Rajonale e Rezident-koordinatorëve për Evropën Juglindore, Gwi Yeop Son, duke vënë në qendër të agjendës projektet e suksesit me qeverinë shqiptare.

TPZ arriti të sigurojë agjendën e zonjës Son në Shqipëri, me takime që bëhen shumica në restorante, ndërsa në ditën e fundit, zyrtarja e lartë me origjinë koreanojugore do të vijojë vizitën në Maqedoninë e Veriut.

Zyra e OKB-së në Shqipëri në një reagim të menjëhershëm me redaksinë e TPZ-së tha se lajmi për pezullimin e projekteve nuk është i vërtetë, edhe pse u pranua se në dokumenti i publikuar është i vërtetë, por që gjithsesi nuk pasyron vendimmarrjen e OKB-së, por legjislacionin shqiptar, Kodin Zgjedhor.

About Redaksia

Check Also

Thirrja e Berishës për Veriun: Fshini nga faqja e dheut të gjitha vendpagesat për kalimin në rrugë

Kryetari i PD. Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve nga Fushë Kruja në Vermosh, t’i …

Leave a Reply