Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një takim me strukturat e PL në Elbasan. I shoqëruar nga kandidati për kryebashkiak Luçiano Boçi, Meta ka deklaruar se Elbasani për nga kushtet e jetesës ndodhet në vend të pafundit dhe se varfëria ka kapur vendin. Po ashtu ai ka krahasuar Kosovën me Shqipërinë për nivelin e jetesës, duke thënë se ne kemi dyfishin e buxhetit të tyre, por pensionet dhe ndihmat ekonomikë Kosova i ka më të larta.
“Elbasani ndodhet e parafundit kushtet e jetesës, varfërinë. Elbasani që është 20 minuta larg Tiranës, për shkak të tunelit të ndërtuar nga i madhërishmi Sali Berisha. Këtu mbizotërojnë bandat që i mbështet qeveria e krimit. 75 mln euro ishte për t’u bërë rruga e Arbrit. Ka vajtur 350 mln euro dhe nuk ka sy për të mbaruar ajo. Atje po vriten njerëz në aksidente dhe probleme. Nuk po përmend rrugë të tjera. Aq miliardë euro sa janë marrë borxhe, do ishin bërë rrugë nga Tirana në Londër. Ja ku jemi. Nuk do krahasohemi as me Britaninë dhe Austrinë. Kemi Kosovën, shumica e qytetarëve janë shqiptarë. Buxheti ynë për 2021, 4.9 mld euro, i tyre 2.5 mld. Ndihmë ekonomike në Shqipëri, një familje ka përfituar 58 euro në muaj, ndërsa në Kosovë ka marrë 100-120 euro në muaj. Niveli mesatar i pensioneve në Kosovë është 300 euro. Ndërsa në zonat rurale në Shqipëri është 79 euro. Fitorja e padiskutueshme,” tha Meta.
Po ashtu, Meta tha se fitorja e Boçit në qytetin e Elbasanit, do të jetë e padiskutueshme, duke e konsideruar atë kryebashkiakun e ardhshëm.
“Boçi është kryebashkiak i padiskutueshëm i Elbasanit dhe jo thjesht një kandidat por një super kandidat. Edhe profesor edhe sportist i talentuar. Edhe i mençur edhe kurajoz. Ndaj të mos i dëgjojmë ato ide që duan të përhapin rilindasit. Ata që kujtojnë se Elbasanin do e mbajnë të nënshtruar mes krimit, korrupsionit, intimidimit e kanë shumë gabim”, tha Meta.