Ku po ju çon mushka, o ditëzinj?!

Nga Klodian XHYHERI
Sekretar Politik i PD Vlorë 

Varianti më i fundit i përgjimit të miletit nga qeveria, është një lloj aplikacioni që mund të shkarkohet lehtë në telefon, me emërtimin “Aktiv1st”. Një lloj prototipi më i përparuar, më i kamufluar dhe sofistikuar se modeli i parë “Patronazhist”.

Me keqardhje shoh se njërëzit që regjistrohen në këtë aplikacion alla “Sigurim Shteti”, me moton “Fuksat në aktivitet të plotë”, janë pothuaj 98% administratë shtetërore. 2% e tyre njësoj si dikur, janë spiuna të devotshëm që nuk mungojnë në çdo sistem, shtet e dovlet.

Nuk e kam shqetësimin me qeverinë se ajo në rregull i ka punët me hajdutëritë dhe kërkon me çdo mjet e mënyrë të mbajë në këmbë sistemin kusaro-dikaturë që ka ngritur, sesa e kam me ata “Patronazhistë” e “Aktiv1stë”, që robërohen për një copë rrogë, e leqendisen duke spiunuar: kunatin, vëllain, xhaxhain, fqinjin, shokun, mikun, pijanecin e lagjes apo edhe llafazanen e mëhallës.

Veprimi i ulët i spiunimit, duket se jo vetëm na shëmton si karakter, po rrekemi madje të bëjmë një punë joligjore dhe mbajmë në këmbë një regjim, i cili po e shkërrmoq kombin tonë në çdo gjymtyrë të tij.

Në ana tjetër, shifrat duken se ngrihen rrufeshëm çdo ditë me ikjet e të rinjve.
Me sa kuptojmë, kjo ikje nga fëmijët tanë vjen jo vetëm si një protestë e brendshme, në pamundësi për të ndryshuar diktatin e shtruar këmbë kryq, por edhe si një injorim që na bëhet neve si shoqëri pa dinjitet e ndërgjegje demokratike, aq sa përfundojmë spiunë të njëri-tjetrit, sepse Sulltan-Salepit kështu ia do puna për të mbajtur në këmbë regjimin e krijuar me aq zell nga Ai vetë.

Ekonomia po dihet; atë e ka marrë perrupia.
Mirëpo ditëzinjtë “Aktv1stë” e “Patronazhistë”, mbeten në krye të detyrës, pa u bërë aspak përshtypje as ekonomia në vdekje klinike e as kuja e shpopullimit.

Me keqardhje them: -Ku po ju çon mushka, o ditëzinj?!

Përpos rolit neveritës të spiunit, si 1200-shat dikur, i bëj pyetjen kësaj “Soj-Fare”: – Nuk ju vjen keq për fëmijët tuaj dhe të ardhmen e tyre?!

Kam përshtypjen se ajo vlen më shumë sesa një rrogë, që të jep regjimi-sekt.

Me duart tona, me dhe pa vetëdije, po mbajmë në këmbë një karakatinë-diktaturë, që ka shuar çdo ravijëzim të demokracisë sonë të brishtë dhe po i japim ashtu si padashur oksigjen një sistemi që gjithnjë e më shumë i ngjan si në ADN, ashtu edhe në pamje fizike, Partisë Komuniste dhe diktaturës moniste 45 vjeçare, që aq shumë plagë i ka hapur shoqërisë sonë.

Krejt e sigurt që pas këtyre modeleve, priten modele të tjera më të zhvilluara teknologjikisht të tipit: “Aksion1st”, “Sigur1ms”, “Pionerist”, “Ed-ver1st”, “Fuks1st”, që na evokojnë një kohë sa qesharake, aq edhe tragjike.

E si për ironi, vazhdojmë melodinë me strofën: “Parti Ed-ver, jemi gati kurdoher’ !”

About Redaksia

Check Also

Çështja nuk është “sa janë”, por “kush janë këshillëtarët”…?

Nga Gent STRAZIMIRI Çështja nuk është ‘sa janë’, por ‘kush janë këshillëtarët’…? Janë ata që …

Leave a Reply