1 Mars 1945, i pari gjyq special në Shqipëri

Nga Bujar LESKAJ

78 vite më parë, Gjyqi Special i Tiranës (1 mars- 13 prill 1945), “gjykoi” dhe “dënoi” në 31 seanca, 60 nacionalistë të akuzuar si kriminelë të luftës.

U dënuan 17 vetë me pushkatim, 8 me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. Vetëm 2 u shpallën të pafajshëm.

Prokuror i Përgjithshëm ishte anëtari i Byrosë Politike të PKSH, Bedri Spahiu, dhe kryetar gjyqi ishte anëtari tjetër i byrosë politike të PKSH dhe zv. kryetar i qeverisë, Koçi Xoxe, (teneqexhi me 5 klasë shkollë).

Midis tyre ishin politikanët, intelektualët, ushtarakët dhe nacionalistët e njohur: Bahri Omari, Kolë Tromara, Aqif Përmeti, Ismail Golemi etj, të cilët u pushkatuan. Madje u pushkatua edhe një nga firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë, Fejzi Alizoti.

17 të pushkatuarit janë: Aqif Përmeti, Bahri Omari, Beqir Valteri (deputet, antizogist), Daut Çarçani (prefekt), Dik Cami (zogist, ushtarak), Fejzi Alizoti (nënshkrues i Shpalljes së Pavarësisë, disa herë ministër), Gustav Mirdash (ish-ushtarak austriak, oficer i lartë i ushtrisë shqiptare), Hilmi Leka (politikan, ish-ministër), Ismail Golemi (ushtarak), Javer Hurshiti (nëpunës, ish-ministër), Kolë Tromara (ish-ministër), Kostandin Kote (ushtarak, ish-ministër), Reshit Merlika (deputet), Shyqyri Borshi (ushtarak), Tahsim Bishqemi (ushtarak), Terenc Toçi (patriot romantik arbëresh, jurist, politikan), Zef Kadarja (drejtor i Zyrës Sekrete, drejtor i përgjithshëm i Policisë).

Me dënime të rënda intelektualët Mihal Zallari, Xhevat Korça, Kostaq Kotte, ish- kryeministri Ibrahim Biçakçiu, e dhjetëra të tjerë.

Me këtë gjyq dhe gjyqet e tjera në vazhdim komunistët synonin të zhduknin që në muajt e parë të pushtetit të tyre ajkën e kombit dhe ta zëvendësonin me të pashkolluarit besnikë të diktaturës që po instalohej.

Pasojat ishin tragjike. Terror, frikë, burg, internime e ekzekutime për cilindo që mendonte ndryshe.

Ironia qëndron në faktin, se disa vite më vonë edhe Koçi Xoxe u dënua me pushkatim nga një gjyq ushtarak me prokuror akuze Bedri Spahiun.

Vite më vonë edhe Bedri Spahiu u dënua si armik me burg e internim nga një gjyq i tipit të tillë komunist.

About Redaksia

Check Also

Bashkia Elbasan pranon: “Nuk ka incenerator”! Rritet çmimi për depozitimin e mbetjeve në landfill!

Nga Boldnews.al Në një kohë që Prokuroria e Elbasanit po kryen hetimet mbi abuzimet e …

Leave a Reply