Nga Prof. Abdulla DIKU
Tregojnë në një fshat, një person ishte bërë tmerri banorëve. Nuk kishte lënë gjë pa ju bërë; i rrihte, i mashtronte, i vidhte, i spiunonte, i tradhtonte. Ishte bërë aq i keq për fshatin sa gjithkush lutej që ai të zhdukej sa më parë nga jeta e tyre. Dhe më në fund, i keqi i fshatit sëmuret rëndë dhe kuptoi se po vdiste. Mblodhi fshatin për t’i njoftuar se ishte sëmurë dhe që shpejt do të vdiste. Të gjithë po e dëgjonin me vëmendje.
E di që kam qenë vërtet shumë i keq – iu drejtua bashkëfshatarëve. E di që edhe nuk do më falni ndonjëherë për ato që ju kam bërë. Por kam menduar një mënyrë që ju të hakmerreni sadopak ndaj meje. Kam blerë këtë litarin – tha, – dhe kur të vdes, ma lidhni për qafe. Ama, pjesën tjetër të litarit dua të ma lini jashtë varrit!
Dakord, pranuan menjëherë fshatarët aty. Kaq gjë e bëjmë, veç të të heqim qafe…
Vdes i keqi dhe sipas porosisë së tij, i lidhin litarin për qafe dhe e varrosin. Menjëherë fshati ra në qetësi, i çliruar prej së keqes… dhe po vazhdonte jetën normalisht.
Një ditë, dy policë po ecnin nëpër fshat dhe rrugës shohin një litar. Duke tërhequr nga pak litarin, panë që pjesa tjetër e litarit përfundonte në një varr. Hapën varrin dhe shohin që litari ishte lidhur në qafën e të vdekurit. Njoftuan rajonin dhe fshati u mbush plot me policë.
Policët mblodhën fshatin dhe filloi sërish dajaku për të gjetur se kush e kishte mbytur me litar të vdekurin. Duhej gjetur autori, ndryshe dajaku nuk do pushonte në fshat. Filloi sërish e keqja, por këtë herë edhe më e madhe. Fshatarët po vuanin edhe më shumë prej dhunës. Edhe i vdekur, thanë fshatarët, po vuajmë prej të keqit. Keq sa qe gjallë, dhe akoma më keq tani që vdiq…
***
Mirë që ka lënë vetë litarin (vulën) jashtë varrit, por ka futur përjetësisht edhe sherrin brenda partisë… Keq sa ishte kryetar e akoma më keq tani që nuk është më, por duke qenë sërish e duke vendosur vulën me korrespondencë…
Mirëpo a duhet të presë njeri, që të skuqet faqja e zezë?!
Nc….nc….nc…nc….