Nga Erion DASHO
Para pak ditësh Gjermania përkujtoi 80 vjetorin e një ngjarjeje tragjike, një ndër ato pak ngjarje të Luftës së Dytë Botërore të cilat gjermanët i kujtojnë me krenari. Bëhet fjalë për ekzekutimin e një grupi studentësh mjekësie antarë të lëvizjes Trëndafili i Bardhë, një lëvizje rezistence paqësore që ju kundërvu nazizmit në kulmin e fuqisë së tij.
Në 18 shkurt të vitit 1943, tre studentët e mjeksisë u arrestuan duke shpërndarë fletëpalosje në mjediset e universitetit dhe pas një gjyqi rrufe, u dënuan me vdekje për t’u ekzekutuar vetëm katër ditë më pas, më 22 shkurt. Në total, 16 antarë të lëvizjes u ekzekutuan.
Në vitin 2003, Hans dhe Sofi Sholl, vëlla e motër të ekzekutuar, u renditën në vendin e katërt midis gjermanëve më të shquar të të gjithë kohërave, duke qëndruar në klasifikim para Ajnshtajnit, Bismarkut dhe Gëtes.
***
Kjo ngjarje më është rikujtuar këto ditë kur disa mijëra mjekë, infermierë dhe drejtues të sistemit shëndetësor shqiptar u ftuan në mjediset e Pallatit të Kongreseve për të duartrokitur arritjet e rilindjes në shëndetësi. Ditën e parë, një mijë prej tyre mbetën rrugëve, pasi për të mbushur sallën prej dy mijë vendesh, ishin ftuar më shumë se tre mijë kolegë bluzëbardhë.
I ashtuquajturi “Kongres i Shëndetësisë”, që mund dhe duhej të ishte një mundësi për të analizuar me përgjegjësi dhe, pse jo, me sy kritik situatën ku ndodhet sot sistemi shëndetësor, u kthye në një manifestim politik: rilindasit që rrihnin gjoksin dhe mburreshin për “sukseset” dhe “fitorjet” dhe salla e mbushur me bluza të bardha që duartrokiste!
Fatkeqësisht, nuk është rast i shkëputur.
Mjekët dhe infermierët janë pjesë e aplikacionit famëkeq Aktivisti. Janë të shumtë kolegët që më kanë nisur ankesa në inbox dhe mesazhe në rrjetet sociale për t’u ankuar se detyrohen t’u bëjnë “like” dhe “share” statuseve të drejtuesve.
Në komunikimin e fundit, një infermiere ankohej se shefi i shërbimit në QSUT ishte depersonalizuar në një shkallë të tillë sa merrej vetë me numërimin e “like” dhe “share” dhe i kishte caktuar plan ditor çdo mjeku dhe infermieri të shërbimit.
***
I nderuar koleg bluzëbardhë!
Ti nuk jeton nën diktaturën hitleriane. Askush nuk të dënon me vdekje nëse nuk plotëson kuorumin e “like” dhe “share” që të kërkon shefi. Nëse ti sot ngre zërin dhe refuzon publikisht të bëhesh pjesë e aplikacionit depersonalizues Aktivisti, maksimumi që mund të të ngjasë është të pushohesh nga puna.
Kolegët Ilir Allkja, Frrok Bardhi, Petrit Vargu, Elson Jaçaj, etj. u pushuan nga puna, por as vdiqën nga uria, as mbetën rrugëve. Sektori privat i mirëpriti dhe sot janë shumë më të kënaqur dhe dinjitozë se çdokush nga ju që e ndjen veten të dhunuar.
Asnjë mjek nuk vdes për bukë po u largua nga puna shtetërore. Një profesor i njohur shqiptar dikur ka thënë “Doktorit edhe në luftë dhe në krizë urie, do të gjendet dikush që do t’i ofrojë dy vezë të zjera”!
I nderuar koleg!
Ti duhet të kuptosh se sot Shqipëria, vendi ynë, ka shkarë drejt një diktature të butë.
Nëse një mësues apo zyrtar i punësuar në një “punë shteti” i ka këmbët të lidhura sepse pushteti realisht i ka bukën e gojës në dorë, ti nuk je në këtë situatë të pashpresë. Ti je mjek, ti je infermier dhe në asnjë rrethanë ti nuk do të mbetesh në rrugë! Ti je në pozicionin unik dhe të privilegjuar për t’i rezistuar diktaturës!
Kujto tre studentët e Trëndafilit të Bardhë që ju kundërvunë diktaturës më të egër që ka njohur njerëzimi. Kujto edhe 140 mijë gjermanët e tjerë që u ekzekutuan nga regjimi hitlerian pasi ju kundërvunë atij.
Nëse nuk do të shkosh kaq larg, kujto martirët shqiptarë që ju kundërvunë regjimit të baballarëve shpirtërorë dhe ideologjikë të rilindasve, një pjesë e madhe e të cilëve e paguan rezistencën me jetë.
Hitleri dhe Enveri të çonin në gijotinë, litar apo togën e pushkatimit. Borati nuk të vret, maksimumi (po e përsëris) do të të heqë nga puna. Ti me garanci të plotë do ta gjesh një punë tjetër për të siguruar të ardhurat për vete dhe familjen!
Për demokracinë e vlen të bëhet kaq sakrificë!
I nderuar koleg!
Nuk të kërkoj të votosh për X apo Y parti politike. Vota është e fshehtë, bindja politike është e drejta jote themelore dhe ti mund ta votosh partinë socialiste dhe rilindjen nëse dëshiron. Çdokush do ta respektojë zgjedhjen tënde.
Por, të lutem, mos u bëj servil dhe puthador duke shpërndarë statuset e ministres, drejtorit apo shefit! Mos shko të duartrokasësh në kongres “fitorjet” kur e di që në pavion nuk ke ilaçe për pacientët! Mos prano lulet dhe çokollatat e Boratit kur e di që pacienti i djeshëm vdiq sepse mungonin preparatet e kimioterapisë.
Mos u dhuno dhe mos dhuno miqtë e faqes tënde ne facebook e instragram duke i ekspozuar ndaj paçavureve politike! Me siguri që do të ndihesh më mirë dhe më i çliruar!
Nesër do të kesh të drejtë të thuash me krenari “Edhe unë i rezistova diktaturës”!