Berisha: Të ndryshojmë që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri

Kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë thirrje nga Pogradeci, që të ndryshojmë me qëllim që shqiptarët të mos ikin nga vendi, por të ndërtohet e ardhmja në Shqipëri. Berisha tha gjatë fjalës së tij në prezantimin e kandidatit të PD në Pogradec, Zihni Tollozhina se, ne nuk do të rrijmë duarkryq!

“A nuk është kjo një thirrje e ndërgjegjes njerëzore, kombëtare për çdo shqiptar që të ngrihemi, të mos lejojmë që vendi ynë të tretet para syve tanë. Të ngrihemi, të mos lejojmë që dhe për 8 apo 16 vite të tjera, këtu nuk dihet se kush do të jetë me këto ritme. Të ngrihemi, sepse kjo që po ndodh është absolutisht pasojë e politikave anti-shqiptare.

Unë ju rikujtoj ju këtu, se në vitet 2007-2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Popullata u rrit. Dhe nga 2014 e deri më sot, shqiptarët tejkalojnë çdo komb tjetër për një hark të tillë kohor në braktisjen e vendit të tyre.

A duhet ne të qëndrojmë duarkryq? A duhet ne ta përcjellim këtë me indiferencë? A duhet ne të shkojmë të udhëtojmë të përgjumur në fatin tonë? A duhet ne t’i nënshtrohemi këtij fati? Kurrën e kurrës!

Secili nga ne nuk ka në Shqipëri 1/3 e familjes. Nuk ka në Shqipëri 1/3 e miqve, 1/3 e njerëzve të tij. Dhe ku kanë shkuar? Sigurisht, kanë shkuar në vende tjera që janë më të pasura.

Po ju them një gjë. Si Pogradeci, si Shkodra, si Korça, si Vlora, si Shqipëria nuk ka vend më të pasur mbi tokë me rezervat natyrale.

Asnjë vend nuk ka pasuritë përrallore  të Shqipërisë, por kjo kërkon t’i përgjigjemi asaj thirrje të brendshme që na thotë të ndryshojmë gjendjen. Sot një kushtrim, një apel buron nga çdo zemër, mendje, ndërgjegje. Të ndryshojmë, në mënyrë që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të bukur në Shqipëri, në Pogradec, në Korçë dhe kudo”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të ndalet!

Nga Oerd BYLYKBASHI Në Podgoricë, me Presidentin Manfred Weber dhe përfaqësues të Partisë Popullore Europiane …

Leave a Reply