Tre zarfet e kryeministrit

Nga Ardi STEFA

Ka qenë viti 2003. Punoja si gazetar në “Gazetën e Athinës”, që nxirrnim në gjuhën shqipe në Greqi, kur drejtori i njërës prej gazetave më të mëdha greke “To Vima”, Stavros Psiharis, botoi një shkrim të cilin ia adresonte kryeministrit të atëhershëm, Kostas Simitis.

Shkrimi, i cili mbante titullin: “Tre letrat e kryeministrit”, me pak fjalë flet për një kryeministër, i cili kur merr detyrën në tavolinën e zyrës gjen tre zarfe nga paraardhësi.

Secili zarf kishte nga një numër dhe zarfi i parë kishte shënimin sipër: “Hape dhe lexoje kur të kesh vështirësi, të cilat nuk i zgjidh dot!”

Në vështirësinë e parë hap zarfin e parë dhe lexon: “Fajëso paraardhësin!”

Në vështirësinë tjetër pas pak kohësh ai hap zarfin e dytë dhe lexon: “Fajëso ministrat e tu!”

Kur ndeshet me vështirësinë e radhës hap zarfin e tretë dhe lexon: “Përgatit tre letrat për pasardhësin tënd!”

Për të gjithë ata që e duan dhe e kuptojnë politikën historia e tre zarfeve është një metaforë e shkëlqyer.

Ndoshta kjo nuk ka të bëjë shumë me Shqipërinë, e cila ka një mungesë të theksuar të kulturës politike, por më kujtohet ai shkrim gjithnjë e më shumë sa herë shikoj situatën politike në Shqipëri këto vitet e fundit kur vendi ka hyrë në një periudhë të gjatë introversioni të thellë.

Më kujtohet ai shkrim sa herë kryeministrat kanë vështirësi, sa herë liderët tanë politikë dështojnë të na bindin.

Sepse i tillë është fati qeverive dhe i politikanëve: Të mbajnë mbi supe përgjegjësitë e tyre, por edhe ato, të cilat nuk janë të tyret.

Por sidomos shitjet që i u bëjnë idealeve tona!

Gjithsesi kam bindjen se në Shqipëri ka kaluar me kohë periudha kur një kryeministër apo një politikan përgatit letra, në të cilat fajin ua hedh paraardhësve dhe vartësve, derisa të vijë tek letra e tretë, kur do t’i duhet të ulet e të përgatisë tre letrat për pasardhësin.

Dhe kjo kohë ka kaluar për faktin se në këto 32 vite tranzicion Shqipëria dhe politikanët do të duhet të kishin nxjerrë disa mësime për t’u bërë më të mirë, natyrisht.

Në vend të kësaj secili kryeministër, cilido lider politik, përveç zarfit e letrës së tretë ka hapur vetëm e me kokëfortësi dy zarfet e para: “Gjithmonë fajin e kanë të tjerët!”

Kështu kryeministri i nxjerr “kartonin e verdhë” ministrave, ish- ministrave, kryebashkiakëve të tij. U “pret kokën” vartësve të tij për të shpëtuar veten, pa e kuptuar që fillimisht ka falimentuar politikisht, pastaj ekonomikisht, shoqërimisht, etj.

E njëjta gjë edhe me liderët e tjerë të politikës, të cilët gabimet e tyre as i njohin, por kërkojnë nga militarët e partive të tyre t’i ndjekin verbërisht, pa e kuptuar se në jetë vijnë edhe çastet e largimeve të mëdha apo të vogla.

Pyetja është se nëse apo kur do të vijë ora e çeljes së letrës së tretë: Do të jenë zgjedhjet e ardhshme apo jo? Përgjigjja është e vështirë të jepet qysh tani, sepse kryeministri ka ende shumë armë në dispozicion, megjithëse shtrenjtësia, kriza, skandalet e krimi zakonisht nëpër shtete normale rrëzojnë qeveri normale, ndërkohë që edhe pjesa tjetër e politikës përpiqet të gjejë argumente, të cilat nuk janë argumente për t’u zvarritur.

Nga ana tjetër, opozita bën gabim të nënvlerësojë kryeministrin, ndërkohë që me politikat e saj krijon përshtypjen sikur në vend të rrëzimit të qeverisë, do të jetë fituese mbi pjesën tjetër të saj…

Dhe kur kundërshtarët politikë shajnë njëri-tjetrin thuajse çdo ditë, si mund të kërkojnë nga shoqëria, elektorati, qytetarët e përgjegjshëm të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike për të mirën e vendit të tyre?

Vështirë se arrihet…
Dhe Shqipëria vërtitet në një rreth vicioz pa nxjerrë asnjë mësim, por duke mprehur thikat kundër njëri- tjetrit.
.
Sepse në Shqipëri, mesa duket të rinjtë janë me tepri, përderisa flijohen duke i larguar në emigracion.

Sepse në Shqipëri mesa duket pensionistët janë me tepri, përderisa trajtohen si qytetarë të kategorisë së fundit, me pensionet qesharake dhe trajtimin shëndetësor përtokë.

Sepse në Shqipëri, mesa duket shqiptarët teprojnë përderisa çmimet kanë arritur majën, varfëria është ulur këmbëkryq, korrupsioni galopant nuk po ndëshkohet, pronat po grabiten në mes të ditës, arsimi e shëndetësia janë përtokë….

Por Shqipërisë asnjëri nuk duhet t’i teprojë, për t’i flijuar në altarin e një paaftësie kriminale, pa pasur mundësi të ndërtojmë një shtet serioz.

Mesa duket sot në Shqipëri as edhe “letra e dytë” nuk ka sukses. D.m.th që fajin e kanë ministrat, apo rastësitë…, pasi njerëzit e mençur tashmë nuk gënjehen nga truket komunikative, as nga lotët e krokodilit të liderëve tanë.

Qytetarët duan vepra, punë, jo fjalë, akuza nëpër rrjete sociale apo tribuna mbledhjesh partie. Qytetarëve nuk u intereson “konflikti” gjasme parimor i forcave politike, as hallet e politikanëve, as “përgjegjësitë” e premtimet shterpë. Nga ping- pongu i akuzave qytetarët janë lodhur dhe revoltuar, pasi në thelb, në fund të gjithçkaje rezulton të mos ketë fajtorë; askush të mos dënohet penalisht apo politikisht dhe jeta të vazhdojë ashtu si më parë, me të gjithë kastën politike të lumtur.

Sepse kur e sotmja ia hedh gjithmonë fajin së djeshmes, është fajtore ndërkohë përpara së nesërmes!

Dhe politika shqiptare tashmë është përgjegjëse ndaj së nesërmes dhe duket fajtore për të ardhmen që po vjen shumë shpejt.

Dhe letra e tretë është ende larg, shumë larg horizontit dhe kulturës politike shqiptare!

About Redaksia

Check Also

Hierarki keqbërësish!

Nga Gent STRAZIMIRI Në çdo burg, ai që ka kryer krimin më të rëndë, më …

Leave a Reply