Berisha: Të rinjtë u bënë promotorët e fitores së PD në vitet ‘90 dhe procesin e rithemelimit të PD

Kryetari i PD, Sali Berisha, tha në një takim me të rinjtë e Forumit Rinor, se ishin pikërisht të rinjtë që bënë revolucionin demokratik të dhjetor, por edhe ata që ndërmorën procesin e rithemelimit të PD-së.

“Të rinjtë ishin ata që bënë revolucionin demokratik të dhjetorit ‘90 dhe themeluan PD-në. Të rinjtë, ishin pa asnjë mëdyshje ata të cilët çuan mesazhin, dritën e lirisë dhe u përballën me monizmin më stalinist të Europës në atë kohë dhe u bënë promotorët e fitores së PD-së.

Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës dhe ndër më të izoluarit e planetit. Shqipëria kishte nevojë për mendje të hapura dhe mendjet e hapura ishin mendjet e të rinjve. Në këtë kontekst, ata luajtën një rol kryesor në të gjitha reformat dhe transformimet e vendit.

Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i viteve ’90, që bazohej në doktrinën çnjerëzore marksiste, monizmi i sotëm bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen. Edi Rama sot kontrollon 10 përqind më shumë pushtete se diktatori i fundit komunist në vitin 1991.

Në këtë kontekst, kjo mbështetje e juaj merr një rëndësi edhe më të veçantë. PD dhe forumi i saj, u themeluan dhe mbetën gjithnjë forca më perëndimore e vendit, lokomotiva të vërteta të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE.

Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet. Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës,” tha Berisha.

Por kreu demokrat tha se të rinjtë ndërmorën dhe mbështetën edhe procesin e rithemelimit të Partisë Demokratike.

“Kur vërtet po bëheshin përpjekje për të asgjësuar PD-në si forcë të të vërtetë politike opozitare, ishin të rinjtë, forumi rinor, i pari që mbështeti nismën me të cilën unë kundërshtova vendosmërisht atë përpjekje shkatërrimtare për opozitën shqiptare. Ishte forumi rinor, drejtuesit e saj, ata të cilët kaluan me vendosmëri në mbështetje dhe ndërmorën procesin e rithemelimit të PD-së”, theksoi Berisha.

About Redaksia

Check Also

Rezistuam për 49 ditë, do të rrimë dhe për 490 ditë, derisa atë të gjatin ta shkulim prej këtij vendi!

Një prej protestuesve që mori fjalën gjatë tubimit kundër qeverisë së Edi Ramës u bëri …

Leave a Reply