Berisha në Peqin: Koha provoi se në mbarë Shqipërinë ne kemi kandidatët më të mirë se kurrë më parë

Kryetari i PD, Sali Berisha ndodhet në Peqin për prezantimin e kandidatit të primareve, Mustafa Pashja për bashkinë e Peqinit. Berisha tha se, koha provoi se në mbarë Shqipërinë ne kemi kandidatë më të mirë se kurrë më parë.
“Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetarë dhe qytetare, banorë të Peqinit.
Edhe njëherë një mirënjohje të pakufishme për këtë entuziazëm, për këtë takim kaq të ngrohtë, që përbën mesazhin më të shkëlqyer që ju i dërgoni demokratëve shqiptarë në të 4 anët e vendit, u dërgoni shqiptarëve kudo që janë.
Ky entuziazëm është energjia e bashkimit të shqiptarëve në një betejë historike, në një betejë të rivendosjes së pluralizmit në Shqipëri.
Ky entuziazëm është energjia e fitores në 14 maj, e Mustafa Pashjes dhe kandidatëve të primareve në mbarë Shqipërinë.
Ky entuziazëm është energjia e ndryshimit që po vjen. Është energjia e shpresës që sjell ndryshimi, është pra, një entuziazëm që çel për Shqipërinë dhe shqiptarët, një kohë tjetër, që rivendos pluralizmin, demokracinë, rikthen Peqinin, peqinasve dhe rikthen Shqipërinë, shqiptarëve.
Kam ardhur në dekada shpesh tek ju, kam paraqitur kandidatë për kryetarë bashkie, kandidat për deputetë. Mustafa Pashjen e kam një mik të vjetër, bashkëpunëtor të hershëm, por kësaj here, Mustafai dhe të gjithë kandidatët tanë janë tjetër, ata nuk janë më, kandidatët e kryetarit dhe kryesisë, ata janë kandidatët tuaj. Janë gra dhe burra që vendosën të dalin para jush, të vlerësohen nga ju, të votohen nga ju, dhe kjo ndodhi.
Në këtë kontekst, miqtë e mi, kandidatët e primareve janë nuset dhe dhëndurrët e lirisë.
Ne vendosëm një standard që nuk ka ekzistuar më parë, por ju garantoj ju se për lirinë, ky është standardi më i mirë që ekziston sot dhe në vendet më të zhvilluara të botës.
Dhe kur në takime para një viti e gjysëm, demokratët kërkonin kudo që ne duhet të zgjedhim vetë, kryetarin tonë të partisë, duhet të zgjedhim vetë kryetarin tonë të bashkisë, deputetin tonë, dhe jo të na i emëroni ju, unë premtova një gjë të tillë. Premtova me besimin më të madh se ju keni një shkallë formimi politik shumë të lartë. Se ju keni një shkallë vlerësimi të shkëlqyer dhe koha provoi se sot në Peqin dhe mbarë Shqipërinë se ne kemi kandidatë më të mirë se kurrë më parë.
Krahasoni pak këta kandidatë me krahun tjetër që vijnë sikur vijnë nga bodrumet e mafias. Që shpallen në ora 1 të natës. Që nuk kanë takuar një socialist, një demokrat, një të paparti për tu vlerësuar, por që të gjithë nga padrinoja i mafias më të rrezikshme në Europë, nga Edi Rama. Që të gjithë mbi haraçin që paguajnë, mbi lidhjet e krimit që kanë, mbi vjedhjet që kanë bërë.
Ju e ndoqët procesin e emërimit të tyre, diku kërciti dajaku në mbledhje, diku tjetër u vendosën hekurat në duar, të tjerë u thirrën në SPAK se nuk po bindeshin, kurse ne gjithçka e lamë tek ju, tek besimi, vullneti, juaj dhe të jeni të sigurtë se ky është një investim i madh për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi.
Ne besojmë shumë në dinjitetin njerëzor, besojmë se ai që do të zejë vendin e qytetarit të parë, kryetarit të bashkisë, ai duhet të jetë gjithçka i varur nga ju, pafundësisht mirënjohës ndaj ju, ai duhet të jetë një shërbëtor ndaj jush. Ai duhet të bëjë gjithçka që të tregojë se e meritoi votën tuaj.
Dhe ky është rregulli i demokracisë, ky është përfaqësimi demokratik”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Bufi i Roskovecit blen fuoristradë luksoze me paratë e taksapaguesve

Në çdo fundvit njësitë e qeverisjes vendore mbledhin këshillin bashkiak për të miratuar buxhetin e …

Leave a Reply