Banorët e Kavajës kanë mbnetur të tronditur nga vrasja e dyfishtë. Dy 43-vjeçarët Edmond Gosa alias Armand Gosa dhe Altin Rexha alias Sali Rexha vranë njëri-tjetrin pas një sherri banal. Gosa plagosi me thikë Rexhën, dhe ky i fundit reagoi duke e plagosur me armë zjarri. Të dy pësuan plagë të rënda, u dërguan në spital, por fatkeqësisht ndërruan jetë.
Lidhur me ngjarjen e rëndë banorët janë shprehur të tronditur. Njëri prej tyre ka deklaruar për gazetarët se i njihte të dy viktimat.
“Si nuk jemi tronditur. Kavaja është qytet i qetë s’ka ndodhur ndonjëherë, kurrë në botë. Janë nga Kavaja, si fytyra i njohim. Të jem i sinqertë nuk di gjë”, u shpreh një banor.
Një tjetër u shpreh se u trishtua shumë kur mësoi lajmin pasi në qytetin e Kavajës, ngjarje të tilla janë shumë të rralla.
“Çfarë të them unë. Unë u befasova se u bëra kurioz se ne shqiptarët jemi pak kuriozë për çdo gjë që ndodh. Pyeta këtë djalin dhe më tha janë vrarë dy djem. U trishtova në vend. Të ikin mosha e re kështu. Sido që të ishte puna nuk shkohet deri në atë përfundim, djem të rinj. Mund t’i njoh si fytyra, por nuk i njoh se këta janë djem të rinj besoj. Ne njohim moshën tonë në përgjithësi. I trishtuar shumë jam, Zoti i ruajtë të tjerët dhe Zoti i dhëntë forcë familjeve të tyre. Mos na ndodhin ngjarje të tilla më se qyteti jonë është qytet i qetë. Nuk ka pasur fenomene. E shumta një zënkë, para ’90. Kanë ardhur nga ana-anës dhe është përzier qyteti jonë”, tha banori.
Një tjetër prej banorëve të zonës ka treguar se Altin Rexha ishte i ardhur dhe ishte bashkë me djalin e tij të vogël përdore në momentin që u konfliktua me Edmond Gosa.
“Kanë pasur sherr koti, nuk arritën me e mbyll. Ai ishte më djalin përdore, ai malësori se s’ja di emrin se janë të ardhëm. Dhe po bisedonin, i pamë duke biseduar, kishte fëmijën për dore, ai me thikë, ai u shtri aty, ky këtu, nja 4 plumba i dëgjiva, mirë që nuk më kapi njeri mua”, tregon ai.
Raportohet se Armand Gosa dhe Sali Rexha janë konfliktuar para 3 ditësh për motive të dobëta në një lokal të qytetit ku janë konfrontuar edhe fizikisht. Dyshohet se ata janë takuar sot për tu sqaruar lidhur me konfliktin që kan pasur më herët.
Dy palët, fillimisht janë zënë me fjalë fyese. Më pas Gosa ka goditur me thikë Rexhën, e ky i fundit është kundërpërgjigjur duke qëlluar të paktën 3 herë me armë zjarri në drejtim të bashkëmoshatarit të tij. E gjithë ngarja ndodhi në sy të dëshmitarëve të shumtë, si dhe të fëmijës së mitur që Rexha kishte përdore.