Kandidati i Opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, u shpreh sonte në emisionin “Erla Now”, në Euronews, se fokusi kryesor i programit të tij është të zbusë koston e jetesës për qytetarët.
Këlliçi tha se në këtë sens, ai do të ofrojë transportin publik falas, një gjë që do të ndihmojë të paktën 200 mijë qytetarë që përdorin autobuzët urbanë, duke bërë që ata të kursejnë mbi 50 mijë lekë në muaj.
Këlliçi shtoi se transporti publik falas do të ndikojë edhe në lehtësimin e qarkullimit dhe uljen e ndotjes së ajrit.
Kjo, pasi programi i Këlliçit parashikon edhe shtimin dhe modernizimin e flotës.
Kandidati i Opozitës theksoi se ky projekt i kushton Bashkisë vetëm 6.8 përqind të buxhetit, dhe është tërësisht i mundshëm, nëse paratë nuk shpërdorohen.
Këlliçi u shpreh se propozimet e tjera që ai ka për të zbutur koston e madhe të jetesës në Tiranë që vuajnë banorët, janë ulja e taksave dhe tarifave, dhe ndërhyrja urgjente në çështjen e parkingjeve, që është një barrë shumë e rëndë sot në kryeqytet, me çmime të papërballueshme, pothuajse sa në vende të zhvilluara të Bashkimit Europian.
Belind Këlliçi solli si shembull të abuzimit dhe keqpërdorimit të buxhetit të Bashkisë, rastin e inceneratorit të Tiranës që merr 41 mijë euro në ditë, edhe pse nuk ekziston.
Korrupsioni, sipas Këlliçit, është i përhapur edhe në fusha të tjera e në sektorë të Bashkisë, ku përmendi studimin se pothuaj 40 përqind e të ardhurave nuk mblidhen nga administrata e Veliajt, si pasojë e qokave dhe përfitimit të paligjshëm.
Me një qeverisje të mirë, transparente dhe të ndershme, Këlliçi tha se të ardhurat e Bashkisë mund të shtohen me 60 milionë euro në vit.