Angazhimi për transportin publik falas pas 14 majit, ishte kryefjala e bashkëbisedimit që kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi zhvilloi me banorë të Njësisë Nr.7 në kryeqytet.
Këlliçi iu përgjigj reagimeve që kërkojnë ta cilësojnë si të parealizueshëm këtë projekt. Pohoi se, deri më tani ka pasur 430 milionë euro për inceneratorët fantazëm, ndërsa nuk paska 6.8% të buxhetit për t`u ofruar shërbim 200 mijë qytetarëve në ditë.
_“Kur paske ti 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, si ka mundësi që nuk ke ti 6.8% të buxhetit për 200 mijë qytetarë të Tiranës në ditë. Për pensionistë, për studentë, për familjet në nevojë. Për ata që janë me ndihmë ekonomike, për ata që janë të pamundur, për ata që marrin dy linja urbane për të shkuar në punë që paguajnë 800 lekë një rrugë dhe 800 lekë rrugën e kthimit, 1600 lekë në ditë për të marrë një rrogë 400 mijë lekë në muaj. E që në fund të muajit i shkon 10 deri në 15% kostoja e autobusit_”-u shpreh Këlliçi.
Belind Këlliçi shtoi se Erion Veliaj nuk ka pasur prioritet hallet e qytetarëve dhe uljen e kostove të jetesës për ta, ndaj tashmë është në panik nga angazhimi për transport publik falas, pasi e di që do të humbë në 14 maj.
_“Sigurisht kur nuk ke prioritet qytetarët, uljen e kostos së jetesës për ta, kjo duket e pamundur, kur nuk jeton mes qytetarëve, sigurisht kjo duket e pamundur. Ndaj paniku që e ka kapur Erion Veliajn, pikë së pari nga bashkëpunimi ynë dhe nga koalcioni jonë, e së dyti nga programi yne që çdo ditë po shpaloset para qytetarëve, është një panik që është më së i vërtete, sepse ai e di fare mirë që në 14 maj do të humbe_”-u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.
Por, nuk do të jetë vetëm transporti falas. Belind Këlliçi u shpreh para qytetarëve të Njësisë Nr.7, se nga mirëadministrimi i parave, do të mundësohet edhe investimi 5 milionë dollarë në vit për modernizimin e këtij shërbimi.
_“Jo vetëm i kemi lekët 16.5 milionë euro për të subencionuar biletën, por ka mjaftueshëm lekë që do investojmë dhe 5 milionë dollarë në vit për të modernizuar flotën e autobusëve, për të mos parë më këto aksidentet që ndodhin njëherë në dy ditë me autobusët në Tiranë, për të investuar në dixhitalizimin e të gjithë rrjetit, për të investuar në stacionet e autobuzëve, sepse paratë janë aty, ma besoni janë aty, e gjitha është çështje vullneti_”-u shpreh Këlliçi.
Gjatë takimit, ku e pranishme ishte dhe deputetja e Partisë së Lirisë, Znj.Monika Kryemadhi, Belind Këlliçi theksoi gjithashtu se në zgjedhjet e 14 majit është e rëndësishme të mbështetet edhe lista e përbashkët e koalicionit për anëtarët e Këshillit Bashkiak, e cila është më e mirë se lista e Partisë Socialiste.
_“Kemi qëllimin që çdo votë të shkojë për koalicionin tonë “Bashkë Fitojmë” dhe për listën tonë të këshilltarëve, për të cilën jam shumë krenar, që ne kemi një listë të shkëlqyer. As nuk krahasohet lista e koalicionit tonë me atë që ka sjellë Partia Socialiste ku keni drejtora, zëvendësmininistra, titullar institucionesh, njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët, asnjë lidhje me realitetin. Shkëputja nga realiteti e kryetarit aktual të bashkisë është një arsye më shumë për ta larguar me votë në 14 maj dhe për të hapur një kapitull të ri për Tiranën_”-u shpreh Belind Këlliçi.
Në fjalën e saj, deputetja e Partisë së Lirisë, Znj.Monika Kryemadhi, deklaroi se vota për Belind Këlliçin dhe këshillin bashkiak të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, do të bëjë të mundur realizimin e proramit për transport publik falas.
_“Vota për kryetarin e Bashkisë është shumë e rëndësishme për ta çuar në kutinë e votimit dhe për ta nxjerrë votuesin nga shtëpia. Ndërkohë dhe vota për këshillin bashkiak është akoma shumë e rëndësishme për të vetmen arsye sepse do të shkojnë të dyja paralelisht për të pasur atë program aq të qartë dhe aq të thjeshtë që e përmendi Belindi, që është transporti falas”, deklaroi Kryemadhi.