Berisha: 14 maji është një rast që çdo njeri që do këtë vend të firmosë me votën e tij ndryshimin

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR MALËSINË E MADHE, ISA RAMAJ

Të dashur malësore dhe malësor, banorë të Malësisë së Madhe, një mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, për këtë pritje kaq entuziaste, e cila përbën edhe mesazhin më të fuqishëm që ju përcillni në të 4 anët e Malësisë së Madhe, në të 4 anët e Shqipërisë, mesazhin e përmbysjes së monizmit, mesazhin e fitores tuaj, fitores së opozitës shqiptare.

I dashur zoti kryetar i PD-së të degës së Malësisë së Madhe, Veshtaj, e dashur zonja drejtuese politike e grupit elektoral tëqarkut të Shkodrës, Greta Bardeli, i dashur zoti Ramadan Lika, deputet i shkëlqyer, përfaqësuesi juaj dinjitoz në parlamentin e vendit, i dashur zoti Isa Ramaj, kandidati dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Koplikut.

Zonja dhe zotërinj!

Cilido që vjen këtu, vjen me kënaqësi të madhe dhe largohet gjithashtu me frymëzim të veçantë, sepse ai që lexon për këtë trevë, mahnitet, mrekullohet me trashëgiminë tuaj të jashtëzakonshme. Me rolin, kontributin tuaj thelbësor në historinë tonë kombëtare. Mahnitet dhe admiron, adhuron, shpirtin tuaj fisnik, bujar, trim.

Kjo malësi quhet Malësi e Madhe, nuk i vjen kjo, nuk quhet e madhe për përmasat gjeografike, e madhe quhet për përmasat shpirtërore të banorëve të saj. E madhe quhet për rolin që ata kanë luajtur në historinë kombëtare, për virtytet, që ata shfaqin dhe mbartin në jetën e tyre.

Shumë vite më parë, një udhëtare e shquar, Edith Durham ndalet në një familje në një fshat të kësaj malësie dhe mikpritja e të zotit të shtëpisë, kodi i mikpritjes që ai shfaq para saj, atë e mahnit dhe ajo e përshkruan si një dëshmi e një qytetarie, qytetërimi e cila thotë që koha nuk më lejoi që të merresha dhe ta studioja thellësisht. Pra këta keni qenë ju edhe 130 vite më parë dhe kjo trashëgimi u ka bërë ju njerëz të virtytshëm, trima, liridashës. Në çdo kohë të historisë, ju keni qëndruar në anën e drejtë, nga pavarësia.

Rezistenca juaj ndaj regjimit komunist është legjendë e rezistencës së njeriut për liri dhe dinjitet. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ju keni qenë dhe mbeteni një bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj.

Sot unë vijë këtu tek ju, për të paraqitur si kandidat për kryetar të bashkisë së Koplikut, njeriun që përzgjodhët me vullnetin tuaj, votën tuaj, që i dhatë besimit Isa Ramajt. Isa Ramaj është një demokrat i përkushtuar, por Isa Ramaj është gjithashtu edhe një ish-qeveritar vendor i PD-së, i sprovuar, i suksesshëm i respektuar. Isa Ramaj është edhe njëri prej jush, mbart, mishëron tiparet tuaja më të mira. Kam bindjen më të thellë se me Isa Ramaj, bashkia e Koplikut do të shndërrohet në shtëpinë tuaj të parë dhe Isa Ramaj në qytetarin tuaj të parë.

Kam bindjen se Isa Ramaj, së bashku me ju me ndryshimin që firmosni në datën 14 maj, do të arrijë të shënojë një kthesë të madhe, së pari në administrimin dhe përdorimin e të gjitha burimeve të bashkisë, me transparencën më të madhe para jush, me përgjegjësinë më të madhe, me ndershmëri të plotë.

Së dyti në shfrytëzimin e burimeve të pafundme natyrore që ka kjo malësi. Burimeve turistike, burimeve ujore, burimeve të bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë dhe të gjithanshme.

Askush nuk ka sakrifikuar më shumë se ju për liri dhe dinjitet kombëtar. Askush nuk ka qëndruar më fuqishëm se ju ndaj monizmit hoxhist, monizmit stalinist. Ndaj dhe ju sot këtu ju ftoj që të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe me votën tonë 14 maj të votojmë ndryshimin të votojmë rivendosjen e pluralizmit politik në Malësinë e Madhe dhe mbarë Shqipërinë.

Ju dhe gjithë shqiptarët e dinë mirë se monizmat janë katastrofat më të rënda kombëtare. Në një monizëm që ne kaluam në 47 vite, përfunduam jo vetëm në njerëzit më të shtypur, më të persekutuar, por përfunduam në njerëzit më të varfër, në një nga tre kombet më të varfra të planetit.

Ne në 1992 të dashur miq, kishim të ardhura 204 dollarë për frymë në vit dhe krahasoheshim vetëm me popullin e Ugandës dhe Angolës. E gjithë ajo erdhi si pasojë e një monizmi barbar që na shndërroi në skllevër, që pasuritë, mundin, lumenjtë e djersës, i shndërroi në bunkerë, i shndërroi në burgje dhe tunele.

Por sot pas 32 vitesh, ne përsëri jemi në një monizëm të plotë. Kësaj here ky monizëm nuk vjen nga doktrina marksiste-leliniste, por ky monizëm vjen nga një trinom, krimi, vjedhja, droga.

Ky monizëm nuk ka asnjë ligj, asnjë normë, asnjë siguri asnjë garanci. Ky monizëm ka krijuar në Shqipëri, kudo një pasiguri të plotë. Brenda 10 ditëve ju jeni dëshmitarë se si breshëri skuadrash të paguara pushkatimi. Se mos mendoni se banditët dalin vetë në pritë, nuk dalin tani, kanë para ata dhe paguajnë këto skuadrat e vrasësve, kanë marrë disa jetë. Ku, në male? Jo në mes të Tiranës. Po pse, sepse padronët e tyre, banditët janë të lidhur me Edi Ramën, janë të lidhur me qeverinë, sepse ata nuk guxon kush ti prekë.

Dhe Edi Rama na deklaron sikur të ishim njerëz primitivë ne, se; rendi sot është më i mirë se kurrë. Nuk ka cinizëm më të madh. Kjo pasiguri largon njerëzit nga Shqipëria, kjo pasiguri, largon investitorët nga Shqipëria, kjo pasiguri është e qëllimshme. Për Edi Ramën, në Shqipëri duhet të mbeten ai dhe soji i tij kriminal dhe trafikant.

Është ai, kryeministri i vetëm në botë, kryeministri i vetëm në botë që paguan një polici prej 15 mijë vetësh, që paguan një shërbim informativ kombëtar, që paguan mijëra e mijëra policë bashkiakë dhe deklaron; kokën hëngshin, do të thotë licencë për vrasje nga qeveria. Në një vend që dënimi me vdekje është hequr dhe askush në këtë vend nuk mund të thotë, vrafshin veten apo kokën e njëri-tjetrit. Vendin e kanë para ligjit, por ata nuk i arreston, se me ata qeveris ai, se me ata majmet ai, se ushqehet me paratë e tyre.

Miqtë e mi!

Ja pra, 14 maji është një votë për Isa Ramaj, por 14 maji është një votë për ndryshimin, për sigurinë tonë. 14 maji është një votë e jetës tonë. Me 14 maj çdo shqiptar është në një mision historik për të shpëtuar Shqipërinë nga monizmi.

Nga të katër anët e dheut bien sirenat e trishtimit, bien sirenat e gjëmimit të këtij vendi, i cili pakësohet me shpejtësi të madhe, nga i cili u larguan në 8 vite, 35 % e shqiptarëve. Malësia e Madhe me të gjithë këto potenciale të jashtëzakonshme ka sot brenda 8 vitesh, 1/3 e banorëve më pak, po kështu Shkodra, po kështu Vlora, po kështu Gjirokastra.

Nëse vazhdohet në këtë mënyrë nuk do të jenë 2/3 dhe pas 16 vitesh i takon, merreni me mend se kush do të jetë këtu. Një banor në Ana Mal më tregoi para 1 viti. Më thotë; Sali unë dal këtu, e kishte shtëpinë në krye të fshatit dhe pi ka kafe në mëngjes. Jo më shumë se 3-4 banesa nxjerrin tym, jo më shumë se 3-4 oxhakë nxjerrin tym. Dhe po të shkoni aty, ai është një parajsë ai fshat, buzë Bune me të gjithë ato pasuri natyrore.

Pas 8 vitesh, aty mund të nxjerrë një oxhak dhe mund të mos ketë më oxhaqe që nxjerrin tym.

A do të rrimë ne soditës në këtë gjendje, a mund të rrimë ne, kurrë nuk do të na falet. Kurrë nuk do të na falet. Shqipëria kërkon sot më shumë se kurrë, pak dashuri nga secili prej nesh dhe kjo dashuri, dëshmohet me votë me 14 maj, dëshmohet me votën për Isa Ramajn për të firmosur ndryshimin.

Pse po ikin shqiptarët, pse 84% e shqiptarëve deklarojnë se duan të largohen nga Shqipëria. Po ikin sepse janë njerëzit më të vjedhur të planetit. Po ikin sepse Edi Rama, taksat tuaja, qeveritarët vendorë, taksat tuaja, kanë gjetur me dhjetëra dhe qindra mekanizma që ti vjedhin dhe vetëm ti vjedhin.

Edi Rama e zhbëri Shqipërinë në shumë drejtime.

Së pari, thashë se kishim të ardhurat në ’92, 204 dollarë për frymë, por arritëm me lumenj djerse, me besim tek Shqipëria, me besim tek Malësia e Madhe, në vitin 2008 të kalojmë në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm që në këtë Ballkan të kemi rrogat më të larta. Më të larta se bullgarët dhe rumunët që ishin anëtarë të BE-së. Më të larta se serbët, malazezët dhe ju e keni përjetuar atë periudhë. Më të larta se maqedonasit dhe se gjithë të tjerët.

Sot ku jemi? Më të ulëtat. Sot rrogat në Shqipëri janë 30-40% më të ulëta se në Kosovë. Sot mjeku në Kosovë merr rrogë dy herë më të madhe se në Shqipëri. Sot mësuesi në Kosovë, merr rrogë 2 herë më të madhe se në Shqipëri. Polici dhe oficeri po kështu.

Kosova ka një buxhet sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë. Ne e kemi 4 miliardë euro me të ardhura, ata e kanë 2 miliardë. Por çfarë ndodh, por qeveria ato para ua kthen qytetarëve, ato para ua kthen fermerëve, ato para i kthen në infrastrukturë. Po këtu çfarë ndodh. Ato para vidhen dhe vetëm vidhen.

Me shumë të drejtë mund të më shtroni pyetjen se si vidhen. Po o zotëri vidhen se rruga ndërtohet me 8-fishin e çmimit, 10-fishin e çmimit. Sepse në të gjithë botën, 1 km autostradë në fushë ndërtohet me 2, maksimumi me 2.5 mln euro. Në Shqipëri ndërtohet me 24 mln euro. Sepse në Shqipëri, rruga anësore e autostradës kushton 2.2 herë më shumë seç ka kushtuar ndërtimi i autostradës.

Sepse në Shqipëri shkolla kushton 6 mln euro, ndërkohë po në Tiranë, shkolla e standardeve Europiane që ndërtohet nga PNUD-i me paratë e donatorëve, kushton 680 mijë euro. Ndërtimet kanë manuale, që përcaktojnë çmimet. Të ndërtosh një shkollë 6 mln euro, do të thotë të vjedhësh, minimumi 90% të parave të investuara në atë shkollë.

Këto janë disa nga vjedhjet që bëjnë në qeveri.

Po të marrim djegësat. A e dini se ju me taksat tuaja keni paguar 420 mln euro për djegësat. Asnjëri prej tyre nuk ekziston. Asnjë prej tyre nuk ekziston në punë. Pra, është vendosur një sistem i tmerrshëm i vjedhjeve, një pashpirtësi që nuk ka ekzistuar kurrë. Po pse kjo, çfarë e kanë këtë qëndrim këtë qeveritarë. Si mund të vjedhin në këtë mënyrë? Vjedhin sepse qytetarët atyre u duken qenie të dorës së dytë. Vjedhin sepse ata e urrejnë qytetarin, njëlloj si hajduti dhe e urren viktimën.

Këta qeveritarë që futin çdo ditë duart e tyre të zeza, me firmat e tyre në xhepat tuaj, këta ju urrejnë ju.

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti se në 9 muajt e vitit të kaluar kanë vjedhur 122 miliardë lekë. 122 miliardë lekë janë të barabarta në rritjen e përgjithshme të rrogave, 130%. Edi Rama ka marrë një borxh 5 miliardë euro. Me këtë borxh mund të rriste rrogat 6 herë, rrogat dhe pensionet 3 herë. Po pse si bën, nuk ja ndjen për qytetarin, udhëton vetëm me çarter me dhomë gjumi se lodhet shumë, lodhet shumë duke vjedhur dhe bën 137 udhëtime me çarter, 22 milionë euro. Blen për oborrin e zyrave të tij, që nuk e shef njeri, vazon e drurit, 4 mln euro nga djersa juaj.

Nuk ka kryeministër në botë që i bën këto përveç Edi Ramës. Dyfishoi taksat. Këto janë arsyet se pse shqiptarët sot vuajnë nga ana ekonomike. Pse kjo është një varfëri e frikshme, pse ky varfërim i ka dëshpëruar ata dhe i ka bërë të mos besojnë më tek Shqipëria, të mos besojnë më tek Malësia e Madhe, të mos besojnë tek vetja e tyre se nuk mund të ndërtojnë të ardhmen këtu.

A kemi ne pra një detyrim absolut si misionar të bëjmë gjithçka, të trokasim në çdo zemër, në çdo derë, tek çdo demokrat, çdo socialist, çdo i paparti, të bashkohemi, të shpëtojmë Shqipërinë, të bashkohemi të rivendosim pluralizmin. Të bashkohemi që të ndahemi me këtë grup që në çdo aspekt përfaqëson një organizatë kriminale, që vjedh çdo minutë, çdo orë, çdo ditë qytetarët shqiptarë, që po shndërron pasuritë e shqiptarëve në një mallkim për ta, që po shndërron buxhetin dhe të ardhurat e tyre në një mallkim për ta, sepse taksat ua merr dhe asgjë nuk u kthen.

Vetëm me çmimet e ushqimeve dhe të naftës, ka fituar shteti 520 mln euro. Çfarë bëri me to, ato janë tuaja, janë marrë në xhepat tuaja në dyqane, kudo që keni shkuar. Të gjitha qeveritë ua kthyen qytetareve.

Qeveria e Kosovës 100 euro ua rriti pensionin. Kurse ky mashtrues, mashtrues ordiner ua premtoi në 80 mijë lekë, e u zbriti në 50 mijë lekë. E dini se çfarë do të thotë 50 mijë lekë. 50 mijë lekë janë rritur çmimet e ushqimeve nga vjet në sivjet. Po çmimet që u rritën gjatë 7 viteve të tjera para kësaj. Në vend që të ua dyfishojë, të ua trefishojë pensionin, ka 5 ditë që thotë e mbajta fjalën se e di që nuk i beson kush. Pensionistët ta gëzojnë atë 5 mijë lekësh. Por u them një gjë, ai që ua jep ketë 5 mijë lekësh, ai u ka marrë me dorën e tij të zezë, me firmat e tij, jo një por disa pensione gjatë këtyre viteve, ndaj dhe paratë ti gëzoni, por ato janë tuaja, janë mundi juaj, janë djersa juaj, ato i keni paguar ju dhe shumë më tepër në çdo dyqan ku keni shkuar.

Çdo fermer kudo që ndodhet, në Malësi të Madhe dhe kudo që është në Shqipëri, nuk duhet të harrojë se në këtë qeveri ka një armik. Edhe ai që thotë nuk kuptoj se çfarë është monizmi, i them të kuptosh se, kjo qeveri është një armik për ty. Po se është një armik, sepse taksën që të ka vënë ty, TVSH-në që e ka vendosur në shitje dhe jo në blerje, ka shkatërruar prodhimin tënd. Ka bërë që përpunuesi të blejë më mirë prodhimet e importit dhe jo tuat.

Së dyti, kudo në botë të dashur fermerë të Malësisë së Madhe dhe Shqipërisë, kudo në botë në kushte tregu, shteti subvencionon, sipërfaqen e mbjellë, prodhimin e dalë nga sipërfaqja, shitjen e tij, kudo.

Po marr prapë Kosovë, nuk po shkoj më larg, se po të shkosh më larg, është ku e ku më shumë.

Kosova për një hektar grurë financon 400 euro. 150 imputet, 150 mbjelljen, restin kilogramët e grurit që merren. Kosova për një hektarë sera financon 1 mijë euro. Për një hektarë zarzavate në fushë financon 500 euro. Për një hektarë bimë mjekësore financon 800 euro. Për një hektar livadh, për mjaltin, për bletët financon 600 euro. Për çdo lopë financon 90 euro. Po pse hedhin para ata, jo asnjë. Përkundrazi, të gjitha vendet e tjera financojnë më shumë se Kosova, sepse kanë buxhet më të madh, por unë mora Kosovën që jep më pak.

Po këtu? E kishte 5.1 miliardë shumën, e zbriti në 3.2 miliardë dhe ato i marrin kryesisht aparatet administrative dhe fermerëve ndonjë militanti, as me pikatore nuk u bie gjë.

Ndaj dhe priten lopët e rracës, ndaj dhe priten bahçet e mollëve, drutë frutorë, ndaj dhe toka mbetet djerrë, ndaj dhe fëmijët tanë shkojnë dhe punojnë në fushat e Greqisë, fushat e Italisë apo Gjermanisë, në një kohë kur të tyre janë më cilësore, janë më të mira, por qeveria shqiptare mban qëndrim armiqësor ndaj fermerëve.

A duhet ne të vazhdojmë në këtë mënyrë? A mund të pranohet që fermerët shqiptarë të mos ndëshkojnë në datën 14 maj këtë qeveria armiqësore ndaj tyre. Unë kam besim të plotë se ata do të japin përgjigjen e merituar.

Miqtë e mi!

Edi Rama është i vetmi njeri në histori, tradhtar, krenar me tradhëtitë e tij. Tradhtar që krenohet me tradhtitë e tij.

Tani po i del kallaji ‘Ballkanit të Hapur’, me të cilin shkatërroi qindra, mijëra ferma. Po, po, sepse qumështi pluhur që prodhohet në Shumadi, vjen këtu dhe furnizon fabrikat e djathit dhe qumështit, lopët e rracës theren se nuk mbahen dot.

Por tani del se OKB-ja ka gjetur, se Ballkani i Hapur ishte Ballkani i kokainës. Raportet e fundit tregojnë se ajo liria e qarkullimit të kamionit që thotë Edi Rama, prej 1100 vite, ajo është shndërruar Ballkani i Ramës dhe Vuçiçit, në një zonë të lirë për kokainën.

Edi Rama për këto interesa i futi thikën në çdo rrethanë çështjen e Kosovës. E shndërroi Tiranën në epiqendrën e luftës së ftohtë, kundër Kosovës. Dhe krenohet me politikën që ndoqi.

Nuk ka vend në botë që të mbajë kryeministër një përçarës, një antikombëtar siç është Edi Rama.

14 maji është një rast që çdo patriot shqiptar, çdo njeri që do këtë vend, çdo malësore dhe malësor të firmosë me votën e tyre ndryshimin.

Të votojnë Isa Ramajn të votojnë koalicionin opozitar.

Rrofshi ju, rroftë Malësia e Madhe, rroftë Shqipëria.

Faleminderit shumë!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …

Leave a Reply