Kur pati treguar historinë e kompjuterit të tij të parë, Sali Berisha e pati bërë të qartë se pasioni i tij për teknologjinë është diçka e hershme.
Ndërsa në qeverisje, ky pasion ishte i rëndësishëm për të çuar përpara vendin në kohën kur teknologjia kishte marrë një rëndësi jetike, në opozitë situata ishte më ndryshe.
Pasioni për teknologjinë në këtë rast është me një rëndësi të jashtëzakonshme për të shmangur atë censurë dhe manipulim ekstrem të vendosur nga kryeministri Edi Rama mbi ato që rëndom njihen si mediat tradicionale.
Në një regjim të ngritur mbi propagandën dhe manipulimin, mediat sociale ishin një mundësi e artë që duhej shfrytëzuar sa më shumë nga opozita.
Ndërsa u bënte thirrje vazhdimisht zyrtarëve dhe anëtarëve të partisë së tij që të ndjekin këtë rrugë, kryetari demokrat ishte vetë i pranishëm në çdo dritare që të mundëson bota online.
Në fund të vitit të kaluar, ai nisi edhe një formë të re komunikimi, e cila njihet edhe si podcast. Bëhet fjalë për një program ose një koleksion materialesh që mund të shkarkohen në internet dhe mund të dëgjohen ose shikohen në momentet e caktuara.
Nga pamjet e publikuar sot nga vetë Berisha, shihet se programi i tij ka nisur që në dhjetor të vitit të shkuar, për shkak se transmetimi është bërë pranë një peme të Vitit të Ri.
Megjithatë këto ditë, kryeministri Edi Rama lajmëroi me bujë në median pranë tij se ka vendosur të nisë një podcast, me të cilin do të komunikojë me qytetarët. Por përse Rama vendosi të nisë një podcast pikërisht? Në shkencat politike, çdo lider autokrat gjen një shpikje të re kur është në mesin e skandaleve.
Në këtë rast megjithatë historia është më ndryshe. Rama vendosi të shkojë pas Berishës, duke e imituar edhe për çështjen e podcast-eve. Një burim tha se lajmi për transmetimet me podcast nga Berisha ka rrjedhur nga dikush pranë stafit të kryetarit demokrat, Sali Berisha. ‘Informatori’ ka gjetur rrugën për të dërguar lajmin në veshin e Ramës, i cili e lajmëroi një gjë të tillë në këto ditë të para prilli.
Megjithatë kjo nuk është vetëm një histori e thjeshtë kopjimi, pasi për opozitën dhe kreun e saj, mediat sociale dhe format e saj të komunikimit janë jetike në një republikë manipulimi.
Por ajo vendoset në një kuadër më të gjërë dhe tregon se Rama po i shkon pas kreut të opozitës.
Kështu ndodhi kur ishte fjala për çështjen e shpopullimit, për të cilën Rama u kujtua vetëm tani. E njëjta gjë edhe me rrogat, për të cilat Rama nisi të fliste vetëm pasi opozita dhe kreu i saj e kishin vendosur këtë çështje në qendër të fushatës.
Kjo histori kopjimi tregon më shumë sesa një ide për transmetimet. Ajo është një panoramë më e madhe e faktit që opozita po udhëheq narrativën, ndryshe nga sa ndodhte dikur.
Në një reagim sot, kryetari demokrat, Sali Berisha tha se podcast-et e tij nuk janë politike. Por meqë Rama po e ndjek nga pas, ai i bëri sërish një ftesë publike Ramës; të përballen publikisht në një debat.
Madje dritarja e re është e hapur. Le ta bëjnë në podcast. A do e ndjekë Rama pas edhe në këtë drejtim?! /SYRI.net