Qytetarët mirëpresin projektin e Belind Këlliçit për transportin publik falas

Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi turin e takimeve me qytetarët, duke prezantuar planin e tij për zbutjen e kostos së jetesës. Këlliçi u ndal në zonën e Kombinatit, ku prezantoi për qytetarët angazhimin për ta bërë transportin publik falas. Teksa Belind Këlliçi i pyeti nëse e përdorin autobusin dhe nëse e duan transportin publik falas, qytetarët u përgjigjën: “Na intereson, si s`na intereson. E përdorim autobuzin, ku do shkojmë pa autobuz. Do donim pa lekë, ajo na pëlqeu. Po e bëre falas ti, më del llogaria. Po u zgjodhe ti, si nuk e duam ne”, u shprehën disa qytetarë që shtrënguan duart me kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Më tej, Belind Këlliçi shpjegoi si do të realizohet ky shërbim, i cili ka kostot financiare, vetëm 6.8% të buxhetit vjetor të bashkisë Tiranë. “18 milionë euro në vit shkon kjo punë, nga të cilat bashkia aktuale 1.5 milionë euro i paguan. Me 16.5 milionë euro paguhen 140 mijë bileta në ditë, që i paguajnë në Tiranë. Buxheti i bashkisë Tiranës është 240 milionë euro. Eshtë si një familje. Si me pas një rrogë 240 mijë lekëshe dhe paguan 16 mijë lekë për këtë shërbim. Vetëm se në këtë rast, përfitojnë 200 mijë veta në ditë”, tha Këlliçi.

Përfaqësues të biznesit treguan problemet që po kalojnë, ndërsa Belind Këlliçi u paraqiti planin për uljen dhe heqjen e disa taksave dhe tarifave vendore. “Kam vënë krevatin atje, rri 24 orë, do laj qeranë, do ha bukë për veten. Po të rri 8 apo 10 orë, as qera nuk del këtu”, tha një sipërmarrës. “Për bizesin e vogël edhe të mesëm do përgjysmojmë dy tarifat, hapësirën pulike dhe gjelbërimin, pastrimin dhe do heqim dhe taksën e infrastrukturës arsimore, do e bëjmë zero”, u shpreh Belind Këlliçi.

Një tjetër shqetësim për banorët e Kombinatit është mungesa e ujit. Sipas banorëve, uji nga çezmat nuk vjen as gjysëm ore në ditë. “E bën ujin 1 mijë lekë një depozitë 1 mijë litra, ashtu e bën Erioni, me ujin e Bovillës që është pa lekë. Pa investim pa asnjë gjë dhe me orar, gjysëm ore. Për mua problemi më i madh është uji. Ne nuk kena asnjë sekond ujë, asnjë kile. Unë dua 10 kuintal ujë në ditë, gjysëm ore ujë dua unë të vijë nga çezma. Ky harxhuar 5 milionë lekë me puse, por është në zonën që s`ka ujë”, dëshmuan banorët.

Në këtë zonë, shqetësim kryesor mbetet marrja e pronës nga Bashkia e Tiranës. Shumë qytetarë treguan se katër vjet pas tërmetit u ka ardhur njoftimi për shembjen e pallateve, ndërsa të tjerë janë përballur edhe me gjoba nga inspektoratet e bashkisë, pasi kanë bërë ndërhyrje në banesa. “Ka ardhur njoftim për këtë hyrjen këtu. Pas katër vjetësh vijnë për tërmetin, vinë thonë do të prish pallatin. Edhe një çati që kërkoj me ndërtu po vijnë ma shemb. Më kanë vënë dhe 38 milionë lekë gjobë. Kur shtëpia kushton 20 milionë, më vënë 38 milionë lekë gjobë”, denoncon një qytetar.

Për banorët e Kombinatit dhe gjithë kryeqytetit, Belind Këlliçi dha garanci se pas 14 majit do t`i japë fund abuzimit me pronën e qytetarëve. “Unë di të them kaq, shtëpia e njeriut, trualli dhe prona nuk do i merret. Se këta janë duke i nxjerr nga shtëpia e duke i shpronësuar me dy lekë dhe nga ana tjetër, i përzënë njerëzit nga shtëpiat e veta. Kjo me mua nuk do ndodhë”, u shpreh Belind Këlliçi.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Të trokasim në shtëpitë e shqiptarëve, t’u tregojmë se në programin e ri të PD, misioni është investimi tek ata

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, është koha të trokasim në shtëpitë e shqiptarëve, …

Leave a Reply