Shqipëria është një vend emigrator, prandaj kompanitë që premtojnë emigrimin e shqiptarëve drejt vendeve të perëndimit kanë lulëzuar prej vitesh.
Kompania “Minerva” është një prej tyre që pati rritje të konsiderueshme, sidomos në vitin 2019.
Denoncuesi ynë duke parë situatën e pashpresë u mashtrua nga kjo kompani me shpresën se do të prekte ëndrrën gjermane. Ai tregon se si ra pre e kësaj skeme mashtruese.
“Doja të ikja në Gjermani në vitin 2019. Pashë në internet kompaninë Minerva. Shkova të interesohesha dhe në fillim gjithçka ma bënë shumë të thjeshtë. Nuk nevojitet as gjuha, as ndonjë profesion specifik, vetëm jepje 600 euro dhe merrje kontratën e punës. I besova dhe futa në këtë lojë dhe bashkëshorten”.
“I dhashë kompanisë 1200 euro, ndërsa 1200 euro të tjera do i jepja në momentin që do të realizohej aksioni dhe do të shkoja në Gjermani. Kisha shpresë se do të shkoja, por kaluan vite dhe asgjë nuk u bë”.
“Kanë kaluar 3 vite. Vendosa të kërkoja paratë e mia mbrapsht, por nuk mi japin. Madje më morën në telefon për të paguar këstin e dytë. Marrëveshja paraprake ishte se nëse nuk shkoja unë për fajin e tyre merrja të gjitha paratë mbrapsht, nëse nuk doja unë të shkoja merrja gjysmën mbrapsht”.
Bëjmë një kërkim të thjeshtë dhe nuk na bën përshtypje fakti që Minerva Group shfaqet si një kompani fantazëm.
MINERVA GROUP SHPK është e regjistruar më 31 tetor 2018 me NIPT L82231012A. Amir Ilazi është ortaku i vetëm i kompanisë me 100% të kuotave dhe administrator i saj. Subjekti është regjistruar në adresën: Rruga Teofos Keko, ndërtesa nr. 36, Tiranë, fusha e veprimtarisë është: “Shërbime konsulence për punësim në Gjermani, punësim në profesione të ndryshme.
Amir Ilazi në momentin e regjistrimit ka paraqitur pasaportën e tij zvicerane duke u regjistruar si shoqëri me kapital 100% të huaj. Më datë 20 shtator 2019, shoqëria pezullon aktivitetin e saj në QKB me
CN-339896-09-19 dhe ndryshon kodin e pronësisë, nga shoqëri e huaj, në shoqëri 100% shqiptare. Kjo do të thotë se shtetasi Ilazi mund të ketë përfituar shtetësinë shqiptare.
Më 24 shtator 2021, Drejtoria e Tatimeve ka kërkuar bllokimin e pasurive të subjektit në masën 100, 000 leke për një detyrim të pashlyer. Nga ky moment subjektit nuk ka kryer asnjë veprim të mëtejshëm në regjistrin e biznesit, as depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2021.
Subjekti Minerva Group nuk do të thotë që ka falimentuar, apo ka qëndruar pa punuar, përkundrazi, paralelisht me aktivitetin e shoqërisë MINERVA GROUP shpk, Amir Ilazi më 15 mars 2019 ka regjistruar një tjetër shoqëri me emrin NLA GROUP me NIPT L91515024U.
Adresa e aktivitetit është e njëjta me Minerva Group shpk dhe me adresën e banimit të Amir Ilazit. Kjo shoqëri ka ndryshuar disa here emrat nga NLA Group, në Rahmberger, më pas në Minerva Real Estate Group e më pas në MG Consulting.
Duke deklaruar fitime minimale, apo humbje, pavarësisht se të ardhurat duken të bollshme. Në pasqyrat financiare të depozituara për këtë shoqëri, rezultati është si më poshtë.
Viti 2019: Të ardhura-18,189,392; Rezultati -1, 054,097 / Humbje
Viti 2020: Të ardhura: 3, 052, 016; Rezultati -1, 376, 859/ Humbje
Viti 2021: Të ardhura: 13,956,181; Rezultati 1, 479, 070 / Fitim
Pasqyrat financiare në asnjë rast nuk janë firmosur nga ndonjë kontabilist. Shtetasi Amir Ilazi ka njëkohësisht të regjistruar në Kosovë dhe një biznes të ngjashëm me emër MG Consulting Service SHPK me numër biznesi 810062349.
Vendosim të shkojmë me denoncuesin tonë te Minerva Group, por është mjaft e vështirë për t’u futur, prandaj duhet të lëmë takim. Lëmë takim dhe denoncuesi futet, aty përballet me paturpësinë e mashtrimin e punonjëses.
“Të kemi marrë në telefon se diçka ke qenë duke e marrë. Ne e kemi si obligim që të gjejmë kontratë pune nga 6-8 muaj. Ti nuk je paraqitur dhe nuk është faji ynë që nuk ke ardhur. Tani të lutem mos më irrito, sepse ti je individ, pavarësisht se ke paguar 1200 euro së bashku me bashkëshorten. Ti je individ dhe konsiderohet se ke paguar vetëm 600 euro. Ne duhet të të gjejmë shtëpinë dhe kontratën nga 6 deri në 8 muaj”, thotë ajo.
Duke pare irritimin e denoncuesit, gazetari Eraldo Harlicaj, futet dhe kërkon ballafaqimin me punonjësit e Minerves.
Ata nuk kanë asnjë argument dhe largohen duke lënë zyren të boshatisur.
Fatkeqësisht, shqiptarët vazhdojnë e mashtrohen nga kompani të tilla fantazëm, prandaj duhet të keni kujdes.
Minerva shkruante në kontratë se ishte në fuqi deri në momentin që personi që firmoste shkonte në Gjermani, pritje që mund të zgjasë dhe 10 vite. /Syri.net