Kryetari i degës së PD në Vaun e Dejës, Benard Ndreca, deklaroi sot se eksplozivi që iu vendos makinës së tij dhe shpërtheu në momentin kur ai hpi në të, është sulm i pastër politik ndaj tij si kryetar i degës së PD.
“Nuk i është vendosur mina, Benard Ndrecës, por i është vendosur mina kryetarit të PD, dega e Vaut të Dejës dhe kjo dihet hapur”, deklaroi ai para mediave sot banesa e tij në fshatin Paçram ku ndodhi shpërthimi.
“Ky është një incident i mirëorganizuar ndaj familjes sime. Unë jam Benard Gjon Ndreca. Ky incident e ka një emër, dihet që është emri politik. Mua më është bërë sulm politik si kryetar i degës së PD. Çdo gjë është e pasqyruar me pamje filmike, pasi shtëpia është me kamera.
Në orën 6 e gjysmë të mëngjesit kam dalë nga shtëpia, kam ndezur makinën, kam hyrë dy minuta brenda dhe jam kthyer e kam hipur në makinë. Në momentin që ka lëvizuar makina nga vendi, atëherë ka plasur, siç pasqyrohet në pamjet filmike.
Unë nuk kam asnjë lloj konflikti të hapur me asnjë dhe emrin kjo e ka, është e përdorur politikisht.
Nuk i është vendosur mina, Benard Ndrecës, por i është vendosur mina kryetarit të PD, dega e Vaut të Dejës dhe kjo dihet hapur”, deklaroi Ndreca.