Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vaun e Dejës në Shkodër, ku mësohet se i është vendosur tritol, makinës së kryetarit të degës së PD, Bernard Ndrecës, në makinën e tij. Nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Banesa e z. Ndreca ndodhet në fshatin Paçram dhe shpërthimi ka ndodhur rreth orës 7:00 në momentin kur Ndreca po hipte në makinën e tij.
Ky incident, i cili nuk duhet ende nëse ishte paralajmërim apo atentat i dështuar, ndodh në nisje të një fushate elektorale ku z. Ndreca është angazhuar me të gjitha energjitë me Koalicionin “Bashkë fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Sipas Policisë, lënda plasëse shpërtheu pikërisht në momentin kur Benard Ndreca hipi në automjet dhe ajo ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 7:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.
Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.
Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.