Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”, Indrit Hoxha, ka reaguar me anë të një shkrimi në rrjetin social Facebook në lidhje me deklaratën e Enkelejd Alibeajt, i cili është shprehur se në Vorë nuk nxori kandidat të vulës, për shkak të bandave majtas dhe djathtas. Hoxha ka thënë se ai vetë po kandidon në emër të gjithë demokratëve pikërisht për të luftuar këto banda.
Ai thotë se këto të fundit janë shqetësuar nga kandidatimi i tij.
“Sot Enkelejd Alibeaj është shprehur se në Vorë nuk paska nxjerrë kandidat, për shkak të bandave majtas dhe djathtas. E vërteta është se kandidatura ime në Vorë është pikërisht për të luftuar bandat që kanë zaptuar Vorën dhe e kanë kthyer në simbol të krimit të pushteti lokal të Edi Ramës.
E vërteta është se në Vorë të gjithë demokratët janë bashkuar si kurrë më parë për të larguar krimin nga Bashkia Vorë. E vërteta është se demokratët, të cilët dua t’i falenderojë nga zemra, u bashkuan dhe lanë interesat individuale për një qëllim: Largimin e krimit dhe bandave nga Vora.
E vërteta është se kandidatura ime ka shqetësuar bandat e Vorës sepse e kanë shumë të qartë se pushteti i tyre më 14 maj merr fund dhe bashkia i kthehet qytetarëve. Unë jam kandidati i të gjithë demokratëve dhe njerëzve të ndershëm e punëtorë të Vorës. Kurrë në jetën time s’kam pasur të bëjë me krimin.
Përkundrazi, e kam denoncuar dhe akuzuar në çdo dalje time publike, madje me fakte, dhe kam ngritur akuza penale kundër tyre. Gjëja e parë që do të bëj më 15 maj është kthimi në ligjshmëri dhe dekriminalizimin e Bashkisë Vorë, në të mirë të njerëzve të Vorës dhe interesit të përbashkët. Unë do të kem vetëm banda muzikore në fushatë dhe në qeverisjen e Vorës, asnjë lloj bande tjetër. Të gjithë bashkë më 14, për të larguar korrupsionin dhe krimin nga Bashkia Vorë”, thekson Hoxha.