Berisha i përgjigjet Ramës nga Saranda: I ke ditët e numëruara

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidative të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për kryetar bashkie për Sarandë, Ardit Cikuli dhe Konispol, Fatmir Shero tha se: Kandidatët tanë janë kandidatët e dinjitetit tuaj! Berisha u shpreh se kandidatët që paraqiten në këto dy bashki përkatëse, janë kadidatë shembullorë dhe familjarë të shkëlqyer.

Në fjalën e tij Berisha u shpreh se më 14 maj qytetarët e Sarandës dhe Konispolit vendosin për fatin e vendeve të tyre. Më tej, lideri opozitar iu përgjigj deklaratave të bëra nga Edi Rama, pasi ky i fundit kërcënoi duke thënë se: “Bashkitë të cilat do të votojnë për opozitën më 14 maj nuk do të marrin financime nga qeveria!” Berisha tha se, me nxjerrjen e kandidatëve të opozitës si kryetar bashkie, Rama do t’i nxjerrë lekët një e nga një, dhe se ai e ka kohën në pushtet të numëruar.

Gjithashtu, Berisha akuzoi se kandidati socialist është përfaqësues i mafies, dhe nëse fiton në Sarandë, ky i fundit do ta sjellë të gjithë bandën e Durrësit në Sarandë, pasi që Durrësi tashmë po iu ikën nga duart, dhe po kërkojnë terren për të shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Sarandës dhe Konispolit, një përshëndetje të përzemërt, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë në një rast shumë të veçantë të paraqitjes së kandidatëve tanë për kryetar bashkie të Sarandës dhe Konispolit.

Mirënjohje për të gjithë banorët e Sarandës dhe Konispolit kudo që janë sot, në Sarandë, Shqipëri, emigracion dhe diasporë.

I nderuar zoti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë.

I nderuar zoti Bujar Leskaj dhe zonja Ina Zhupa, deputetë të Kuvendit, drejtues politikë për zgjedhjet në qarkun e Vlorës, drejtuese politike për zgjedhjet në Sarandë.

E dashur zonja Nikolla, kryetare e Partisë Demokratike për rrethin e Sarandës.

Të dashur kandidatët tanë të shkëlqyer, për kryetar bashkie të Sarandës, Ardit Cikuli dhe Fatmir Shero për Konispolin.

I dashur zoti Ndriçim Kulla, një studiues, akademik, patriot që i bën nder Sarandës dhe mbarë Shqipërisë, me përpjekjet e tij.

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj!

Shumë herë kam ardhur në Sarandë, kam paraqitur kandidatë për deputetë, kam paraqitur kandidatë për kryetarë bashkie, por kësaj here është më e veçanta e jetës time. Sepse sot ne paraqesim kandidatë për kryetar të bashkisë së Sarandës dhe Konispolit, dy qytetarë shembullorë, dy njerëz, familjarë të shkëlqyer, dy punëtorë të virtytshëm. Dy njerëz, që e duan shumë Sarandën dhe Konispolin. Në dallim nga të gjithë të tjera, janë kandidatët tuaj, janë kandidatë të vullnetit tuaj, të votës tuaj, por në fakt edhe të dinjitetit tuaj. Sepse asgjë, nëse e marrim lirinë dhe e studiojmë, sa herë të vështrojmë mbi të, të përpiqemi ta zbërthejmë, gjithnjë në zemër të saj, do të gjejmë dinjitetin e njeriut.

Ndaj dhe ne vijmë këtu kësaj here me kandidatët tuaj, duke respektuar vullnetin dhe dinjitetin tuaj. Këta janë kandidatë krenarë, por janë gjithashtu kandidatë të vetëdijshëm se kanë çdo detyrim pafundësisht ndaj jush. Nuk janë kandidatët të kryetarit të partisë, nuk janë kandidatë të kryesisë së partisë. Ju garantoj se sado që në këtë Shqipëri me 1000 probleme, por ky standard është sot nga më të përparuarit që ekziston mbi tokë dhe ne duhet të jemi krenarë me këtë standard.

Shpërndarja jo gjithnjë është e barabartë në çdo gjë, se po të ishte e barabartë Saranda mbase mund të vendosej në një vend tjetër, por ja që kjo bukuri e dheut është e vendosur në Shqipëri. Kështu që, me primaret ne kemi shënuar një arritje të madhe. Ju dëgjuat programet e tyre, programe të një përgjegjësie të lartë. Programe të një përkushtimi dhe dashurit të vërtetë për komunitetin, për Sarandën për Konispolin, programe për të cilat kandidatët për qytetar të parë vendorë, synojnë të shënojnë kthesën e madhe, në këto dy zona ndër më të bukura e kësaj toke.

E them këtë sepse nuk ka nevojë të thurësh vargje, apo të bësh theozë për Sarandën, por duhet ta dini se sa herë që unë dua të pushoj shpirtërisht, një nga vendet që shkon e prehet mendja ime është në malin e Milesë, para së cilit ti ke pamjen më të magjishme që mund të kesh parë ndonjëherë. E keni vetë parasysh, unë një lidhje me malet e kam të pazgjidhshme.

Ne vijmë sot në këtë ngjarje shumë të madhe dhe me 14 maj, vendosim për qytetar të parë, në fakt vendosim për shumë më tepër. Vendosim për fatin e Sarandës, fatin e Konispolit, fatin e Shqipërisë.

Miqtë e mi!

Pavarësisht resurseve të jashtëzakonshme që ka Saranda, që ka Konispoli, vitalitetit të burrave, grave, të rinjve të kësaj zone, përsëri sot Saranda është një tokë që braktiset. Përsëri Konispoli është një vend që braktiset. Berati është i shënuar një nga 50 vendet më mahnitëse të globit si qytet, përsëri Berati braktiset, braktiset nga banorët e tij. Dhe kështu braktiset Shqipëria.

E kështu erdhëm ne në 8 vite të kësaj qeverie të humbasim 1/3 e popullatës, të humbasim më shumë se Ukraina nga agresioni rus. Edhe ata kanë ikur në zona të tjera, edhe këta vëllezërit, motrat tona ikin dhe shkojnë refugjatë në vende të tjera.

Shumica dërrmuese, 80% e këtyre që kanë ikur janë të rinj, nën 30 vjeç. A mund ta imagjinojmë pak për një moment se çfarë ka ndodhur me neve; kemi humbur më shumë se një gjeneratë dhe në rast se ecim kështu, si symbyllas, në rast se ecim kështu me indiferencë apo të mashtruar ju garantoj se pas 8 vitesh, ata 1 milionë shqiptarë më së paku do të marrin mbrapa edhe 1 milionë tjetër, çfarë do të mbesë këtu?

Nuk dua ta besoj dhe i sigurtë që nuk do të ndodhë, por një analist britanik thoshte se aty do të mbeten, vetëm trafikantë, qeveritarë dhe oligarkë të tyre. Pra është një moment kritik që kërkon një përgjegjësi të madhe nga ne. Kërkon, me 14 maj, të votojmë ndryshimin, vota jonë për ndryshimin, është votë për shpresë, është votë për të ardhmen.

Para se të votojmë secili nga ne duhet të pyesë veten, pse na ndodhi kjo, çfarë ndodhi këto 8 vite me ne, çfarë pësuam ne që po braktisim, braktisim dhe vetëm braktisim këtë vend të bekuar. Por a ka vend më të bukur se Saranda, a ka vend më të bukur se Konispoli, a ka vend më të bukur se Gramshi.

Unë isha në Gramsh, Gramshi një rreth plot ujëra, por nuk ka bekim më të madh se sa uji, nuk ka pasuri më të çmuar se sa uji, aty ku janë. Të gjithë ikin, ikin nga të 4 anët, sepse kemi një pushtet, kemi një qeveri, e cila na varfëron, na varfëron, na varfëron.

Në vitin 2007-2014, statistikat e po kësaj qeveri, na tregojnë se numri i shqiptarëve u rrit nga viti në vit, në Sarandë, në Konispol dhe mbarë Shqipërinë. Çfarë ndodhi ato vite? Ndodhi sepse u dyfishuan rrogat, u dyfishuan pensionet, u dyfishuan bizneset, u trefishua turizmi. Ndodhi një rindërtim i fuqishëm i infrastrukturës. Në fund të fundit këto as nuk na bënë të pasur, as nuk na bënë të mëkëmbur si vendet e zhvilluarat Europës, por na bënë me shpresë. Na bënë me shpresë.

Ne dolën në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione. Prap nuk ishin të larta, por ishim në krye ama. Po si dolëm në krye ne më të varfrit, dolëm në krye se ne jemi më të pasurit, ne kemi vendin më të pasur në Europë, për frymë. Nuk ka vend me pasuritë përrallore, nuk ka vend me Sarandë, nuk ka vend me Butrint, nuk ka vend me Xarë, nuk ka vend me Berat, nuk ka vend me Valbonë, nuk ka vend me Theth, askërkund.

Shkoni ju në Shkodër, dilni në Rozafë dhe aty shikoni një mrekulli natyrore të pashembullt. Në një anë Buna, deti, alpet në anën tjetër. Shkodranët dhe vlonjatët janë në kulmin e atyre që kanë ikur, sepse kjo qeveri në vend që të vazhdonte rritjen e rrogave, arritëm ti kemi më të lartat në rajon, synimi ishte të kapnim sllovenët. Po pse të kapnim sllovenët, sepse sllovenët ishin më afër austriakëve dhe vendeve të zhvilluara. Po pse të kapnim ne sllovenët, sepse Shqipëria është më e pasur se Sllovenia.

Shqipëria ka pasuri natyrore përrallore, disa herë më shumë se Sllovenia, atëherë pse mos ti gëzojnë qytetarët tanë, pse mos të kthehen këto në pasuri për qytetarët tanë. Jo e kundërta ndodhi, rrogat u ngrinë. U ngrinë rrogat, por nuk ngrihen çmimet, në ekonominë e tregut, çmimet rriten në mënyrë natyrale dhe rritja e tyre është shëndet për ekonominë, inflacioni natyral. Kurse ky bllokoi rritjen e rrogave, cili ishte rezultati, u vidhisëm të fundit në Ballkan. Kosova doli 30-40 % para nesh. Mjeku në Kosovë, dyfishin e rrogës së mjekut në Shqipëri, mësuesi në Kosovë 60% më të madhe se në Shqipëri.

Fermeri në Kosovë, 400 euro për hektarë grurë, 1 mijë euro për hektarë sera, 90 euro për një lopë, 25 euro për një dhi. Për çdo gjë, një subvencion. Biznesi, ndodhi pandemia, apo u rritën çmimet, një paketë mbështetje disa herë më të madhe se Shqipëria. Po Shqipëria pse nuk e bëri, kishte apo nuk kishte lekë? Dy herë më shumë se Kosova. Po lekët i vjedhin, sepse ndërtojnë 1 kilometër rrugë me 24 milionë euro, sepse ndërtojnë një shkollë me 6 milionë euro.

Sot Edi Rama ishte në Kamzë dhe foli si një pushtues i egër. Pati paturpësinë ti thotë qytetarëve të Kamzës, se po nuk votuat Rakip hajdutin nuk do të keni para, nuk do të keni para. Ja them këtu para jush, do të ti nxjerrim një nga një dhe mos guxo, se absolutisht pas 14 majit, kohërat tuaja janë të numëruara dhe do të ndjekësh fatin e mafias tënde.

Çfarë ndodh miqtë e mi. E përgëzoj Fatmirin, foli për socialistët me një respekt të palëkundur. Unë u them sot, se shqiptarët, është një moment për tu bashkuar, çfarë do partie që janë. Sekti i rilindjes është sekti më i egër, është sekti më i keq, është fara më e keqe që ka parë kjo tokë ndonjëherë.

Po marrim kandidatët, ja ku është zoti Cikuli, ja ku është zoti Shero. Ku është ai kandidati i Sarandës, a e dini ju kush është ai. Ju se njihni asnjë, nuk e njeh asnjë socialist. Ju them unë kush është ai. Asnjë socialist nuk e njeh. Ai vjen nga Durrësi, ai vjen me mision të kobshëm, ai vjen për të sjellë këtu mafian e tmerrshme të Durrësit.

Sepse e shofin se Durrësi po u ikën, Igli Cara do të fitojë dhe tani kërkojnë zona për veprimtarinë e tyre kriminale dhe mendojnë se mund të mashtrojnë sarandiotët. Po nga doli ai njëherë. Po si ka mundësi që Saranda me këta burra, me këto gra, me këta të rinj, të mos ketë një njeri për ta kandiduar, por do ta sjellim nga Durrësi pasi ka bërë shkollën e mafias së Durrësit.

Ky është kandidati, ky është vlerësimi i Edi Ramës për Sarandën.

Isha në Patos. E shoqja e kandidatit të Patosit, me mandat arresti kombëtar dhe ndërkombëtar, në Londër fshihet se ka vjedhur këtu tokat në hipotekën e Sarandës. Kurse i shoqi i saj kandidonte në Patos.

Po ndodh kjo në botë? Si mund të ndodhë? Ndodh se i ka dërguar valixhen me para, ose tokat, trojet këtu në Sarandë, ia ka dhënë Edi Ramës me shokë dhe i ka lumturuar. Nuk mund të ndodhë ndryshe.

Shkon diku tjetër, e gjen me dy tri emra kandidatin. Shkon në Mirëditë, e nxjerrin me dajak. E rrahin në zyrat e veta. Çdo gjë mafie. A kakrahasohen këta kandidatë me kandidatët e Edi Ramës.

Ndaj edhe është koha që të bashkohemi. Kjo parti, ju garantoj unë ju, se ne në epiqendër kemi familjen, dhe ne i qendrojmë fort kësaj. Se kjo shoqëri që po rrokulliset, kjo ka jetike rivendosjen e familjes shqiptare në epiqendër, mbështetjen e saj për konsolidimin, forcimin e saj. Edi Rama me ideologjinë e George Sorosit, do që të shkatërrojë familjen.

Ju e keni marrë vesh në Tiranë, prindi 1, prindi 2. Çfarë është kjo, p rindi 1, prindi 2? Është shuarja e familjes. Në kopështe i porosisin edukatoret t’ju thonë fëmijëve. Çfarë gjinie dëshiron të jesh? Absolutisht, po.

Pra, ne do të vendosim në epiqendër familjen. Do bëjmë gjithçka për prosperitetin e saj. Do bëjmë gjithçka për suksesin dhe solidaritetin e saj. Ne do bëjmë gjitçka që pasuritë tona publike të shndërrohen në mirësi për ju.

Ina Zhupa ka bërë një betejë të jashtëzakonshme për Butrintin. Butrinti është një pasuri përrallore e rrallë, jo në Europë, po në botë, ua them unë ju. Personalisht si ish-kryeministër jam marrë jo pak me të.

Dy burra më kanë ndihmuar mua në të kohë, dhe iu jam mirënjohës, dhe do t’ua them unë juve këtë Lord Rotchild, dhe Lord Salisbury. Po çfarë ndihme? Ndihma e tyre që të mos preket parku, të mbetet siç është. Sepse Butrinti, krahas qytezës, vendit arkeologjik, ka zona përrallore të tjera me biodiversitetin më të lartë në Europë, me pamje dhe me çdo gjë. Dhe ata më dërgonin letra për çdolloj shkelje që bëhej. Tani, kur një ditë, shoh unë shpërbëhet parku. Ajo mua duk mua aty u bë ndarja e parkut. Ti merr vendin arkeologjik, dhe unë po marr zona tjera për ndërtim.

Edi Rama ka realizuar në këtë mënyrë megaaferën më të madhe korruptive, dhe unë i them këtu para jush, sepse z.Granof, njeri që unë e kam respektuar shumë, do të deklaronte në televizion se ajo është punë e qeverisë. Jo, zotëri nuk është punë e qeverisë, është punë e kombit shqiptar ajo. Ç’punë ka qeveria. Qeveria është një hajdute që do të vjedhë. Por, ajo është pasuri. E kemi për sot, e kemi për brezat që vijnë, do ta lëmë brez pas brezi që shqiptarët të krenohen me të. Që e gjithë bota ta njohë se çfarë është.

Deputetja ka bërë një betejë, dhe ne do të bëjmë një betejë, dhe do ta shpëtojmë Butrintin. Butrinti është një pasuri e jashtëzakonshme, jo vetëm e shqiptarëve, e njerëzimit.

Zonja e zotërinj!

Edi Rama po bën një fushatë poshtëruese, siç është për qytetarët. Në qoftë se e keni ndjekur përdor duke patur një bilanc negativ, duke patur mbi vete aferat e tmerrshme të vjedhjeve të qytetarëve, skandalet njëri pas tjetrit, mashtrimet e pafundme. Tani mendon se duke marrë një lopatë, dhe duke hapur një gropë, do t’ju hutojë ju. Mendon se, duke përdorur fjala alla halabakësh, përsëri do bëni që qytetarët do flasin për fjalorin e tij, dhe nuk do kujtohet për bëmat dhe aferat e tij. Nuk pranon asnjë debat, e tha z.Meta. Kandidatët e tyre nuk duken kund.

Unë iu bëj thirrje mediave, mos qendroni në anën e shtetit mafioz, por kini guzim dhe vendosni dy karrige, ftoni dy kandidatë të Sarandës, Konispolit dhe çdo rrethi. Nxirrini aty, se është në standartin më të mirë tuajin që të bëhet ballafaqimi. Po nuk dalin dot. Ku pranon Erion Veliaj të dalë me kandidatin tonë. Ka një vit që iu thotë qytetarëve të Tiranës: kam mbjellë 1 milionë pemë. E kuptoni sa janë 1 milionë pemë? Janë tri rreshta me pemë nga Kepi Stillos në derdhje të Bunës. Kam mbjellë 1 milionë pemë, dhe kur e pyet gazetari: ku i ke ato? Nuk e di ti thotë, Tirana fillon nga baza e Natos në Bizë, e përfundon këtej e andej. Po të paskrupullt! Ka vjedhur paratë për 1 milionë fidanë.

Po çfraë vjedhjesh thoni ju? A mund të imagjinoni ju që Tirana të ketë faturuar pishë me 5600 euro? Jo një, qindra pisha. 5600 euro rrënja. Këta nuk kanë një kufi në vjedhje, nuk kanë në asgjë. Dhe natyrisht ai, nuk mund të ballafaqohet.

Në Tiranë është tmerr për kopështe dhe çerdhe. Nuk gjen, do shkosh te privati. Dhe ai del, qarkullon: kam ndërtuar 40 shkolla. Ça 40 shkolla? Një mashtrues. Dhe kur vjen puna e i thotë gazetari: pa m’i thuaj pak, numër 5 apo 6.

U ka marrë 41 milionë euro taksë qytetarëve të Tiranës për arsmin, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Me Kushtetutë shqiptarët e kanë falas arsimin. S’mund ta marrësh, as qeveria nuk mund të vendosë taksë për arsimin se Kushtetuta thotë: e ka falas! Kurse ky betoni i Bashkisë, ky vë taksën për arsimin. Merr 40 milionë. Thotë kam ndërtuar 40 shkollë. Kurrë, nuk ka ndërtuar as gjysmën e tyre, ndërkohë kur me 40 milionë duhet të ndërtonte në standartin europian dhe amerikan 70 shkolla.

Pra, këta vetëm vjedhin! Por, për ta mbyllur. Një thirrje kam shumë të veçantë për të rinjtë të cilët po na bëhen siç thotë një fjalë, dhe ethem me shumë dhimbje: si uji ynë i pakët. Se shumica juaj po ikin. Të bëjmë gjithçka që të fitojmë këto zgjedhje, të firmosim ndryshimin. Dhe ju garantoj ju, se ai ndryshim do ketë për objektivin më madhor gjendjen tuaj, suksesin tuaj në vendin tuaj, shkollimin, punësimin, sistemimin dhe gjithçka që ju të ndërtoni ëndrra tuaja në këtë vend.

Një thirrje të veçantë kam për vajzat, gratë, nënat, motrat. Sot më shumë se kurrë, vendi pret nga ju, shoqëria pret nga ju. Po pse nga ju do të thoni? Sepse ju në mënyrë të pamohueshme, me inteligjencën emocionale tuajën, ju i keni më të qarta se kushdo tjetër dramën që po kalojmë ne nga ky sistem monist. Dramën që po kalojmë ne, për faktin që një njeri i ka kapur të gjitha pushtetet, dhe i përdor ato, jo për ju, jo për qytetarët, por për veten e tij, dhe klientelën e tij.

Ju jeni ato që ndieni pshehrëtimat e nënave që përcjellin fëmijët e tyre në shkollë me kërkesa të paplotësuara. Ju jeni ato që ndjeni pshehrëtimat e nënave që përcjellin fëmijët e tyre jashtë, se Edi Rama u ka rritur mesatarene futjes në universitete. Ju jeni ato që diplomat e fëmijëve tuaj, të marra me aq sakrificë nuk vlejnë më shumë se një biletë udhëtimi për të kërkuar punë në dhera të tjera.

Të gjitha këto unë them se çdo nënë, çdo grua, çdo motër, çdo vajzë të këtij vendi duhet ta motivojë, dhe si misionare e vërtetë të përdorë të gjithë energjinë, të gjithë fuqinë e saj bindëse që me datën 14 maj të votojmë kandidatët e ndryshimit. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë fitojmë!

Rroftë Saranda, rroftë Konispoli, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

About Redaksia

Check Also

Revolta të shndërrohet në kryengritje popullore

“RD” Opozita të udhëheqë revoltën që ka bërë bashkë dje të djathtë dhe të majtë. …

Leave a Reply