Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, Lindita Nikolla dhe Rakip Suli kanë vijuar me mbjelljen e pemëve në kuadër të fushatës elektorale në Kamëz.
Gjatë takimit me qytetarët e Kamzës, Rama akuzoi ish-kryebashkiakun Xhelal Mziu se gjatë mandatit të tij, qytetarët nuk patën as asfalt, as ujë, kanale por thjesht emra rrugësh si “Donald Trump”.
Po ashtu, kryesocialisti u bëri të ditur qytetarëve të Kamzës, se nëse mbështesin kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, bashkia nuk do të ketë mbështetje nga qeveria.
Deklarata e tij skandaloze konfirmon edhe njëherë se qeveria ka lënë pa investime dhe mbështetje zonat ku votohet për opozitën. Po ashtu Rama bëri edhe deklarata fyese ndaj kandidatit opozitar, duke e quajtur gomar disa herë.
“Kush do të fusë gomarin me veshë të gjata në bashki, ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer, me demek në emër të votës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojmë me individë të shpallur “non grata”, jo nga unë. Me individë të shpallur non grata, jo nga Mali i Zi, as nga Maqedonia por nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kreu i qeverisë.
Po ashtu, Rama u tha qytetarëve se ata që thonë se kryeministri nuk e do Kamzës, nuk thonë të vërtetën pasi sipas tij “veprat tregojnë të kundërtën”.
Kujtojmë se në bashkinë Kamëz, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar të bashkisë është Arjan Hoxha, ndërsa PS po kandidon për një mandat të dyte, Rakip Sulin.