Kryetari i PD, Sali Berisha mori pjesë këtë pasdite në aktivitetin “Akademia e Lidershipit për vajza”, organizuar nga FRPD.
Në fjalën e tij, lideri demokrat theksoi se në çdo familje e para është vajza. Kreu i PD vlerësoi vajzat shqiptare të suksesshme në botë, duke theksuar se ato po pushtojnë zemrat e njerëzimit.
“Së pari, dëshiroj të ju përshëndes përzemërsisht, ata që kanë forumin për këtë organizim shumë të veçantë. Organizimi i këtij takimi me zonjushat, vajzat e reja, ka një simbolikë të madhe, cila është kjo? Sot më të famshmet në botë nga ky komb, janë vajzat shqiptare.
Jo vetëm sot, por ky komb, kombi ynë, një bijë e këtij kombi ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit. Të marrë titullin më fisnik të kësaj toke që është titulli nënë, duke mos patur kurrë fëmijë, ose duke mos pas qenë ndonjëherë nënë, dhe kjo ishte Nënë Tereza.
Sot magjia e zërit të vajzave shqiptare është e jashtëzakonshme, është botërore, planetare, dhe kjo dëshmi e një ADN-je shumë të fuqishme. Nuk është vetëm këmba dhe muzika, por sporti. Rekordet e Majlinda Kelmendit dhe të disa sportisteve të tjera, janë botërore, janë të jashtëzakonshme.
Por në qoftëse Nënë Tereza ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit, sot një vajzë shqiptare, po pushton mendjen e mbarë njerëzimit me ChatGPT, kjo është Mira Murati. Mira Murati me kontributin e saj në OpenAI, e vërteta është se me një shpejtësi më të rrufeshme se çdo invencion tjetër po transformon shoqërinë dhe botën. Ajo solli inteligjencën artificiale në duart e çdo njeriu.
Sot kjo ka një diskutim jo të vogël, të hapur, të madh, për ndikimet e ChatGPT, robotit që komunikon me gjunën natyrale, por sidoqoftë diskutimet janë të përkohshme. Asgjë pas universalizimit të saj, nuk do të jetë më siç ka qenë.
Edhe kjo një atribut i një vajze shqiptare.
Tani unë do të kthehem në dy momente të jetës time, shumë vite para, do të kthehem në fëmijinën time më të hershme. Të gjithë në përgjithësi konsiderojnë fat, familjen, rritjen në familje, unë e konsideroj një fat shumë të madh, sepse kam lindur dhe jam rritur në një familje strikt patriarkale në kodin e saj, me një përjashtim të çuditshëm, paradoksal për kohën.
Në atë familje, mbretëreshë, apo princeshë të themi, ne ishim tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër, por familja dhe çdo gjë sillej rreth motrës, kjo ishte vërteta dhe në mënyrë të çuditshme, nëna ime me një vendosmëri absolute do ta vendoste atë në epiqendër, kurse vëllai im që ishte më i madh, e unë më i vogël se ajo, do të ishim përreth saj.
E kam menduar shumë herë dhe e kam konsideruar gjithnjë, si një nga trashëgimnitë më të çmuara që unë kam pasur nga fëmijëria ime. Ndaj në rast se do të kërkonte një njeri këshillë nga unë, e vetmja këshillë që mund ti jipja në çdo familje, e para është vajza, sepse kjo, ka një ndikim jashtëzakonisht të dobishëm tek e gjithë familja dhe tek djemtë, apo djali i asaj familje.
E kam treguar edhe një herë tjetër. Shumë më vonë lexoj për Frojdin. Frojdi kishte një motër, Anën. Frojdi i përkiste një familje intelektuale në Vienë dhe Anës prindërit i blenë në piano. Por meqenëse Frojdi nuk donte të dëgjonte piano, pianoja iku nga shtëpia, sepse prindërit i dhanë përparësi Zigmudit. Nëse do të kishte ndodhur kjo në familjen time, unë do të isha i detyruar që me orë të dëgjoja koncertet e motrës time. Nuk mund të imagjinohej që pianoja të dilte jashtë”, u shpreh Berisha.