Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi nga Paskuqani Edi Ramën për konflikt interesi, në dhënien e tenderave për të afërmit dhe rrethin familjar. Baxhanaku i Edi Ramës, Armando Frangu – tha Berisha – ka fituar 100 tendera. Ndërsa vajza e Linda Ramës fiton çdo tender nga institucionet e shtetit, duke bërë që të çoj drejt falimentimit studiot e arkitektëve në Tiranë.
“E kam ftuar dhe e ftoj, hajde këtu dil para qytetarëve. Ti ke familjar, unë kam familjar, ti marrim njëherë tefteret e shtetit të gjitha. Të dalë, çfarë tenderash kanë fituar familjarët e mi nga shteti dhe çfarë tenderash kanë fituar familjarët e tu. Me ligj familjarët tanë nuk mund të fitojnë tendera. Ligji nuk e lejon. Ligji nuk e lejon pushtetarin të përdorë pushtetin e tij për t’i dhënë tendera familjarit të vet. Që në atë moment është vjedhje, është përdorim i pushtetit për të pasuruar veten. Nuk del dot, sepse i nxjerr unë këtu të paktën 100 tendera për Armando Frangun, baxhanakun e tij, të paktën 100 ja nxjerr një e nga një. Ja këtu.
I nxjerr me dhjetëra tendera për thjeshtrën. Edhe ajo një vajzë e re, vajzë e mirë nuk them, por i shkatërroi të gjitha studiot e arkitektëve në Tiranë, sepse është lidhur me një kompani të huaj, kompania e huaj fiton tenderat, këtë e merr nënkontraktore dhe çdo projekt do të marrë bekimin e saj. Nuk del dot Edi Rama, nuk del dot sepse ka marrë përsipër të përdorë pushtetin për pasurimin e tij. Urdhëro hajde pak të të tregoj se çfarë drame ka krijuar Olsi me ortakët e vet, mbi 2 miliardë euro me call centera. Nuk del dot sepse detyrohet të ikë po të dalë. Prandaj dhe as Kipen nuk lejon të dalë. Nuk lejon asnjë”, tha Berisha.