Denoncim i sekretarit funksional pranë Partisë Demokratike Vlorë z.Rezenbrik Serjani, lidhur me mungesën disa ditore të ujit në disa rajone të qytetit të Vlorës
Ndërkohë që ushtria propagandistike qeveritare, po çan çdo ekran e media, për arritje “imagjinare”, sot e 8 ditë Vlora gëdhihet pa ujë në rubineta.
Edhe pse uji 24 orë, ka 26 vite që premtohet nga qeveritarët lokalë e qëndrorë socialistë, përsëri vitin e 27 do të na serviret e njëjta gënjeshtër, kur në fakt realiteti është krejt ndryshe.
Vlora sot vuan sindromën e bolierave, ku këta të fundit ndihen Zotër në taracat e gjithë pallateve të qytetit.
Asnjë investim, abuzime kolosale nga ndërmarrja e Ujësjellësit, ku është kthyer më shumë në një çetë të militantëve socialistë, por njëkohësisht edhe e parazitëve që s’bejnë asnjë punë, të cilët shpërblehen me këto vende pune, për devotshërinë e tyre partiake.
Rreth 3 vite më parë Bashkia Vlorë, ngriti çmimin e ujit, me justifikimin e investimeve për rritjen e cilësisë së shërbimit dhe premtimin e famshëm “ujë 24 orë”.
Sot pas afro 3 vitesh, kemi shërbim më të keq dhe çmim më të lartë të ujit. Kemi abuzime dhe vjedhje më shumë, pos asnjë pikë ujë në çezmat tona.
Rajonet 2,3 dhe 4 kanë probleme të mëdha me ujin sot e 8 ditë. Nuk kanë vend ku të ankohen qytetarët, nuk gjejnë zgjidhje për këtë problem jetik, sepse gjithë administrata ka sytë dhe energjitë te kandidati që do bëjë premtimet e genjeshtërta njësoj si paraardhësit e tij socialistë.
Këto ditë do të na shurdhojnë veshët me fjalët: Turizëm elitar, investime infrastrukturore, ujë 24 orë, parajsën mbi tokë e tokën mbi parajsë, por në fund ujë në shtëpitë tona s’do të kemi.
Vlora perla bukurisë natyrore, po kthehet në mbretëreshën e pisllëkut.
Ne nuk do ta lejojojmë këtë, më 14 Maj bashkia duhet t’i kthehet qytetarëve, një bashki për qytetarët dhe jo për hajdutët përsëritës.