Kandidati i opozitës për Bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha, paditi sot në SPAK kryetarin e kësaj bashkie, Blerim Shera. Ai tha se bëhet fjalë për një abuzim me vlerë 2.3 milionë euro me tenderin për pastrimin e qytetit.
“Sot kam bërë kallëzimin e parë penal për një abuzim me vlerën 2.3 milionë euro. I bëj thirrje SPAK që të sekuestrojë dokumentet në Bashkinë e Vorës dhe të çojë përpara drejtësisë abuzuesit.
Koha e abuzimit me taksat duhet të marrë fund. Kush ka vendosur dorë mbi taksat e shqiptarëve, duhet të shkojë përpara drejtësisë.
Përshëndes deklaratën e SHBA për hapjen e zyrës së DEA në Tiranë. Inkurajoj qytetarët të japin informacion se si paratë e krimit dhe drogës po përdoren për të blerë vota. Drejtësia nga sot të fillojë të bëjë detyrën që i takon ndaj çdo qytetari.
I bëj thirrje SPAK të hetojë pasurinë time, gjithashtu të hetojë pasurinë e kryebashkiakut të Vorës dhe familjarëve të tij. Uroj dhe besoj se drejtësia do bëjë drejtësi”, tha Hoxha për mediat.