Berisha: Rama po kërcen nga ‘sevdaja’, por do kërcejë edhe më shumë pas 14 majit kur të humbë zgjedhjet!

Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin elektoral të zhvilluar sot në Fushë Krujë me kandidatin për kryetar bashkie, z. Agron Loka tha se: “Më 14 maj çdo demokrat, socialist, çdo qytetar i paparti voton për veten e tij, për dinjitetin e tij.”

Lideri demokrat, tha se, është koha t’i japim fund kësaj vjedhje, të firmosim ndryshimin. Ne duhet të vendosim ndryshimin sot ose kurrë. Berisha u shpreh në fjalën e tij se, ngrirja e rrogave është një krim monstruoz, pasi do e fusë vendin në një krizë edhe më të thellë.

Berisha shprehu shqetësimin e tij kur shtoi gjatw fjalës së mbajtur se shqiptarët po largohen, dhe se Shqipëria po ‘pushtohet’ nga njerëz që vijnë prej Bangladeshi, apo India. Berisha akuzoi Ramën, duke thënë se e ka paralizuar drejtësinë në vend, dhe se e ka kthyer Shqipërinë në çifligun e të atit të tij.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se Rama po kërcen nga ‘sevdaja’, por do kërcejë edhe më shumë pas 14 majit kur të humbasë zgjedhjet. Ai e quajti taktikën e të bërit fushatë sipas kryeministrit, një ofendim të madh për figurën e gruas në Shqipëri.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që më 14 maj të marrin në dorë flamurin e fushatës, dhe të përmbysin regjimin monist, si një nga misionet më të rëndësishme në jetën e tyre.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fushë Krujës dhe Krujës, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Më së pari mirënjohjen më të thellë, nderimin më të madh, për ju, mbështetjen tuaj, për këtë takim të shkëlqyer në të cilin ju firmosni sot fitoren, firmosni ndryshimin, firmosni çeljen e dyerve të shpresës në Krujë, Fushë Krujë dhe mbarë Shqipërinë.

I nderuar zoti Oerd Bylykbashki, nënkryetari i PD, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtues politik në qarkun e Durrësit. I nderuar zoti kryetar i PD-së, së Krujës, e nderuar zonja sekretare. I nderuar zoti anëtar i Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja. I dashur zoti Ylli Lame, Safet Stafuka.

Të dashur miq!

Është nder i madh dhe kënaqësi, të paraqes këtu qytetarin shembullor, të paraqes Agron Lokën për kryetar bashkie, të paraqes njeriun e ndershëm, biznesmenin e ndershëm, demokratin e përkushtuar, duke ju garantuar ju se Agron Loka do të shkrijë të gjithë energjitë e tij, aftësitë e tij, për të ndryshuar jetën tuaj për mirë, për të ndryshuar këtë bashki, e cila mbart mbi supe historinë e kombit, e cila përbëhet nga burra dhe gra të jashtëzakonshëm, punëtorë, të mençur, trima, atdhedashës.

Të ndryshojmë Krujën, ta shpëtojmë atë nga një regjim i cili sot të gjitha pushtet i ka një duart e një njeriu. Të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e Edi Ramës. Keqësia e tij shpirtërore rrezatohet në jetën e fëmijëve tanë, në jetën e të rinjve tanë, në mirëqenien e familjeve tona, në bizneset dhe fermat tona.

Miqtë e mi!

Vërtetë në datën 14 maj votojmë Agron Lokën për qytetar të parë të Krujës, por ju garantoj se në datën 14, duke votuar Agron Lokën, çdo demokrat, socialist, çdo qytetar i paparti i këtij rrethi, voton para së gjithash për veten e tij. Voton për dinjitetin e tij, për të respektuar veten e tij. Voton për të zëvendësuar dëshpërimin, zhgënjimin, indiferencën me shpresën, besimin, suksesin dhe një jetë tjetër nga ajo e sotmja.

Miqtë e mi!

Cili do krutane e krutan, cili do shqiptare dhe shqiptar që gjatë këtyre 8 viteve ndjehet se është më mirë, ndjehet se është ekonomikisht më mirë, i them vazhdo rrugën, voto Edi Ramën dhe ke mirëkuptimin tonë. Por sot, ata të cilët mund të pohojnë një gjë të tillë janë shumë të paktën. Ata janë një rreth i ngushtë i qeveritarëve, janë një rreth i ngushtë i qeveritarëve vendorë, janë pastaj grupet e malavitës, të lidhura me pushtetin.

Dhe këtu, përsëri duhet të ndalemi. E vërteta është se grupet kriminale dhe ato të malavitës janë fuqizuar, por do të ju them një gjë, miqtë e mi; është në mençurinë tonë të ndalemi dhe të mendojmë. Ju garantoj se asnjëri prej tyre nuk i afrohet kurrë atij kriminelit në parlament që i mbron ata, që pasurohet prej tyre, që vjedh, atij ministrit, kryeministrit që vjedh ju, në shuma, dhjetëra e dhjetëra herë më të mëdha se sa të gjitha bandat dhe hajdutët e Shqipërisë të marrë së bashku. Po. Po.

Vërtetë ka hajdut që futet e vjedh 10 mijë, 100 mijë, ta zëmë dhe 1 milion. Por sot kemi kryeministër që firmos për 430 milionë paratë tuajat dhe nuk ekziston asgjë për ato që janë firmosur paratë.

Sot keni kryeministër që blen 4 mln euro një vazo druri, se ja ka ënda syve të tij. Sot keni kryetar bashkie që ju thotë qytetarëve e shqiptarëve, se kam mbjellë 1 mln pemë. Po kush vjedh më shumë më thoni ju mua. Po sa ka vjedhur ai me faturat e 1 mln pemëve, ta keni të qartë se nuk kanë vjedhur të gjithë hajdutët e Shqipërisë të marrë së bashku.

Pse po i them këto sot? Për të justifikuar hajdutët, jo, jo. Por po i them se kjo votë është për secilin prej nesh, kjo votë është të ndahemi nga këta hajdutë të cilët si shushunja po i thithin gjakun shqiptarëve.

Edi Rama erdhi në pushtet me zotimin se do heqë taksat për ushqime. Ku jemi sot. Vetëm me shpenzimin tuaj për shkak të bordeve komuniste të Edi Ramës që rriti çmimet me to, secili prej jush nga 2021 në 2022 ka shpenzuar 430 mijë lekë më shumë për ushqime. 430 mijë lekë më shumë janë dy pensione, janë 1 rrogë. Pra jo që nuk dha rrogën e 13, por mori rrogën e 12-të.

Edi Rama 1 e dy, në fjalime thotë; hë se në Shqipëri nuk vdes kush urie. Llogjikë e turpshme, nuk është puna të vdes njeri urie, është puna të jetojë njerëzit si njerëz, të jetojnë jetën që meritojnë është puna se ju këtu dhe kudo shqiptarët jetojnë në një vend të bekuar, në një vend me pasuri përrallore.

Vetëm turizmi, bregu, fusha kanë potenciale të jashtëzakonshme për të mëkëmbur çdo qytetar të Fushë Krujës dhe Krujës. Po pse nuk ndodh kjo, pse nuk ndodhi kjo. Po kjo nuk ndodhi sepse zotëria e tij i ngriu rrogat. Ngrirja e rrogave është një krim monstruoz, ua them unë ju këtu.

Ne kemi qenë njerëz të varfër, shumë të varfër, por ne ja dolëm që në vitin 2013 të firmosim në bordero rrogat më të larta në rajon, më të larta se rumunët e bullgarët. Po si ja dolëm thoni ju, ja dolëm sepse jemi vend i pasur. Nuk ka vend më të pasur, për këta banorë që ka sot Shqipëria. Ja dolëm sepse qeveria, si çdo qeveri që del nga ju nuk mund të ketë objektiv tjetër më madhor se sa përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ndaj dhe dyfishuam pensionet, rrogat, përgjysmuam taksat, u dyfishuan bizneset.

Por çfarë ndodhi mbrapa? Pse them unë këto zgjedhje janë për çdo njeri para së gjithash. Sepse mbrapa ky njeri, ngriu rrogat, dyfishoi taksat, ka lëshuar një lukuni të tmerrshme gjobëvënësish mbi bizneset, të paskrupullt, një pasion për gjobat, për të mashtruar qytetarët nga mëngjesi deri në darkë.

A mund të ecim kështu më. A nuk po ushtojnë në të 4 anët e vendit, thirrjet, sirenat për ndryshim. A nuk po ikin shqiptarët nga ky vend, sikur të ishte tokë e mallkuar, më shumë se nga çdo vend tjetër, më shumë se të gjitha vendet që janë në luftë. Po pse? Sepse janë qytetarët më të vjedhur, sepse ai kryeministër me ekipin e tij ndërton rrugën me 24 mln euro, kur ajo kushton 2 mln euro. Sepse ai kryeministër udhëton me avion me dhomë gjumi dhe shpenzon 22 milionë euro në 137 udhëtime. Ndërkohë kancelari i Austrisë një vend të paktën 10 herë më i pasur se Shqipëria, mos më shumë, udhëton me linjë tregtare dhe ministrat e tij udhëtojnë në klase ekonomike.

Pra a është koha ti japim fund, të firmosim ndryshimin. Unë mendoj se sot ose kurrë ne duhet të vendosim ndryshimin.

Askush nuk e meriton varfërinë. Por të qendrosh indiferent kur të varfëron tjetri është mëkat dhe nuk duhet ta bësh kurrë. Askush nuk duhet të pranojë të pajtohet me mashtrimet e kësaj qeverie dhe të Edi Ramës.

A e keni vënë re ju këto kohë, pasi i ka shpërthyer skandal pas skandali, pasi është vërtetuar se ka firmosur për ndërmarrjen e tij 430 milionë euro, dhe ju paguani, dhe qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro tonin e mbetjeve në fushën e Sharrës, në një kohë kur kontrata thotë gjithësej 11 euro. Asnjë kilogram nuk digjet atje. Ato para të gjitha shkojnë në llogaritë offshore të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Pra, a mund të vazhdojmë në këtë mënyrë ne si njerëz të vjedhur, si popull i mashtruar, si njerëz që braktisim vendin tonë, sikur nuk ushqejmë ndjenjat më minimale të dashurisë ndaj tij. Jo dhe jo, koha është për ndryshim, ndryshimi është në duart tuaja. Ndaj edhe ju bëj thirrje më 14 maj votoni Agrin Lokën, dhe ju garantoj se Agron Loka do bëjë gjithçka për ndryshimin e jetës suaj.

Por miqtë e mi, më 14 maj duke votuar Agron Lokën ju i keni marrë pushtetin vendor një njeriu i cili e ka përdorur dhe e përdor atë vetëm për t’ju vjedhur ju. Në vend të këtij monizmi të sotëm ju riktheni në skenën politike pluralizmin politik në qeverisjen vendore. Dhe kjo është një arritje e madhe e juaja. Ju garantoj ju këtu se pas fitores më 14 maj asgjë në botë nuk do mund të ndalojë ortekun e fitores brenda disa muajve në zgjedhjet e përgjithshme largimin përfundimtar të Edi Ramës nga skena politike.

Kudo që shkoj e ftoj dhe i them dil këtu në shesh, të dalë para qytetarëve, kemi detyrim, sepse janë ata që paguajnë për ne, janë që shprehin besimin tek ne. Urdhëroni këtu të dalim t’u japim llogari atyre, të na pyesin ata, t’i raportojmë atyre për çdo gjë. Edhe për jetën personale. Jo, jo nuk del kurrë. Përkundrazi, fshihet dhe ikën. Sikundër fsheh Bushin.

Po vij nga Mamurrasi, ç’të shoh unë. Ajo zonja edhe para tri javësh tenderin me 99.7%. Bushi shumicën e tenderave kështu i ka, se edhe Bushi nuk mbetet prapa. Dosjet i ka në SKAP. E mori Edi Rama, shko tani, dosjet i ke këtu dhe vazhdo fushatën. Prandaj Bushi nuk vjen këtu me Agron Lokën. Nuk ka si vjen, sepse duhet të japë hesap për helmimin e qytetarëve të Krujës. Duhet të japë hesap për ujësjellësin.

E tha bukur, Agroni, apo Oerdi: Askush nuk mbajti përgjegjësi! Nuk mban përgjegjësi kjo mafie e tmerrshme shtetërore.A nuk vdiqën para tri viteve një 24 qytetarë në Thumanë, në pallate të cilat ishin deklaruar të pabanueshme. Çfarë ndodhi? U arrestuan dy ish komunarë të PD në Farkë dhe në një komunë tjetër që nuk kishin asnjë banesë të plasaritur. Asnjëri. Ishin ministra ata që kishin firmosur. Nuk pësuan asgjë!

Prandaj e nisa fjalën time pak si të veçantë, duke ju thënë që vërtetë ka kriminelë të këqinj, keqbërës të përditshëm. Po më kriminelë se këta me kollare, dhe me kostume të lustruara që veprojnë në këtë mënyrë, nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kanë paralizuar ligjin, kanë shkatërruar drejtësinë. Kanë krijuar një drejtësi e cila vetëm mbulon krimet e tyre, vjedhjet e tyre. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë qytetarë pa të drejta. Dhe të tillë janë sot qytetarët shqiptarë.

Ndaj dhe më datën 14 maj çdo qytetar voton për dinjitetin e tij, për të drejtën e tij. Urdhëroni ç’bëjnë! Heqin gjykata, prokurori, e ka bërë Shqipërinë sikur të ishte çifligu i Kristaq Ramës. Po kanë nevojë qytetarët për shërbime, apo jo? Atij që i largon gjykatën, ia dyfishon shpenzimin me avokatin, shpenzimin e rrugës për procesin. As që pyesin fare.

Për këtë shqiptarët të ikin, dhe të vijnë këtu cingalezë, indianë, bangladeshas. A mund të vazhdojmë më kështu? Unë besoj që jo. Kurrën e kurrës!

Ju ftoj të gjithë ju këtë periudhë të takojmë me çdo qytetar. Fitorja është e sigurt, por duhet të takojmë çdo qytetar. Të bëjmë këtë bisedë me të. Nuk është vota për Sali Berishën, nuk është vota për PD, as PS, është votë për ju, për dinjitetin, për mirëqënien, për shpresën, për besimin tuaj.

Nuk meritoni ju një trajtim të tillë. Nuk meriton Shqipëria të braktiset në këtë mënyrë. Nuk meritojnë qytetarët të qeverisen nga hajdutë që vjedhin nga mëngjesi në darkë. Nuk meritojnë këtë përçmim, jo dhe jo. Ju jeni njerëz të lirë.

Çfarë bën Edi Rama sot? E keni parë vetë. Kalon nga takimi në takim, duke u hedhur dhe përdredhur. Ia them këtu që, e ke nga sevdaja Edi Rama atë kërcim. Absolutisht! Si i thotë populli: kërcen nga sevdaja. E ka kapur tmerri, dhe ka arsye të tmerrohet se ka vjedhur.

Kur u bë kryeministër, OSBE i tha me raport: ke 200 milionë dollarë të fshehura offshore. Nuk guxoi të çelë gojën, nuk guxoi t’i hedhë në gjyq, se i ka të vjedhura, dhe vazhdoi të vjedhë çdo gjë. Jeton në Saraje 720 metra të gjata themelet, me një kopësht 5000 metra. Po, po jeton si pasha atje. Po nga i more kur ti, ua them këtu para jush, se prandaj nuk vjen ai. Se kur ndërtoi Sarajet kishte gjithësej të deklaruara 3800 euro. Po si mund të ndërtosh Saraje?

Kam 30 vite kam një apartament, absolutisht asnjë metër tjetër, as 130 metër katrorë. Aq ishin të ardhurat e mia dhe ato realizova. Kurse ti u bëre më Saraje? Sigurisht, duke gjobitur, duke ryshfetuar, duke blerë me leje ndërtimi pasurinë tënde.

Ndaj edhe më datën 14 ta bëjmë të kërcejë edhe më shumë. Nuk shpëton!

Do ndalem edhe në një moment. Duke besuar se bëhet më interesant mbledh nënat, motrat, vajzat tona dhe iu mban fjalime. E vërteta është se në këto takime nga analiza emocionale, del se mbi 80-90% e kanë pritur me përçmim dhe neverinë që meriton. Sepse në histori askush nuk iu ka shkaktuar nënave, motrave dhe grave shqiptare dhimbje reale më të mëdha se Edi Rama.

Janë ato të cilat çojnë fëmijët në shkollë pa u plotësuar kërkesat. Janë ato që përcjellin fëmijët në dhera të tjera, se nuk kanë mundësi t’i ushqejnë. Edi Rama është një mizogjen. Rrethohet nga një grup zyrtaresh të cilat ndjekin vetëm sektin e tij të pashpirt.

Po vij nga Peshkopia, Bulqiza dhe Mati. Zv. e tij de facto kryeministre me banda dhe banditë, me qese dhe para bënte çdo gjë në mënyrë që të mashtronte dibranët, matjanët. Por zonja porosit zyrën 220 mijë euro, sikur të ishte e bija e Sulltanit të Arabisë Saudite, dhe jo një vajzë shqiptare. Po rosit biftekun 1 mijë euro. Nuk ka asgjë të përbashkët me gratë dhe vajzat shqiptare.

Ndaj edhe iu bëj thirrje nënave, motrave këto ditë që kanë mbetur të marrim në dorë flamurin e fushatës. Inteligjenca emocionale e juaja është energjia më pozitive e kësaj fushate. Është energjia më e madhe bindëse edhe për ata që nuk kanë vendosur akoma të votojnë. Ndaj edhe ju ftoj në këtë mision, një nga misionet më të rëndësishme të jetës suaj: përmbysjen e këtij regjimi monist, rivendosjen e pluralizmit, ndryshimit, shpresës, të ardhmes.

Rrofshi ju, rroftë Kruja dhe Fushë-Kruja, rroftë Shqipëria!

Faleminderit shumë!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply