Berisha: Më 14 maj të votojmë ndryshimin, ndryshimi është shpëtimi i Hasit, shpëtimi i Shqipërisë!

Kryetari i PD, Sali Berisha në takimin elektoral të zhvilluar sot në Has, u shpreh se: “14 maji hap dyert për përmbysjen e Ramës, i bëj thirrje që të mos guxojë të luajë me çështjen e Kosovës.”

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se, Hasi, Tropoja, Dibra, Kukësi nuk mund t’ia falin Ramës miqësinë dhe vasalitetin e tij ndaj Beogradit dhe Vuçiçit. Berisha lëshoi një thirrje të fortë kundrejt Ramës që në asnjë mënyrë të mos e prekë Kosovën.

Lideri i PD, Sali Berisha kërkoi që qytetarët të bënin zgjedhjen e duhur më 14 maj, dhe të votonin për kandidatin e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti. Berisha u shpreh para simpatizantëve të tij, dhe qytetarëve se, ndryshimi në 14 Maj do të jetë shpëtimi i Hasit. Vota për ndryshim, citoi Berisha, është votë për shpëtimin e Shqipërisë.

Ditën e premte, më 12 maj, ora 19:00, në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, opozita do ta konkludojë fushatën e saj përmes një mitingu madhështor. Njoftimin e bëri vet kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit me qytetarët e Hasit. Berisha ftoi qytetarët që t’i bashkohen mitingut përmbyllës të premten e ardhshme në kryeqytet.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë. Banorë të Hasit. Vëllezër dhe motra. Zonja e zotërinj!

Përshëndetjet e mia më të përzemëërta dhe gjithmonë mirënjohje më të pakufijshme për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme. Vij sot këtu të sjell tek ju frymën dhe dritën e fitores nga Dibra, Bulqiza, Mati, Mamurrasi, Fushë Kruja, Malësia e Gjakovës. Dhe jam i sigurt, Hasi do të qendrojë si gjithmonë në fitoren e PD, në fitoren e Hasit.

I dashur z.Isuf Çela deputet dhe kryetar politik i grupit zgjedhor në qarkun e Kukësit. E dashur znj.Mimoza Hajdarmataj, anëtare e kryesisë së PD. I dashur z.Elez Maçi, kryetar i PD të Hasit. I dashur z.Miftar Dauti, kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë. Të nderuara zonja drejtuese të lidhjes së gruas dhe drejtues të forumit rinor.

Është kënaqësi e veçantë të vish sot tek ju për të kërkuar votën tuaj për njërin nga hasjanët më të ndershëm, më të përkushtuar, më të drejtë, për Miftar Dautin. Me bindjen se Miftar Dauti do të shkrijë të gjithë fuqinë, energjitë e tij për të ndryshuar jetën për mirë të banorëve të Hasit, për t’u siguruar atyre shërbimet më të mira. Për t’i lehtësuar ata nga barra e rëndë e taksave. Për të ndërtuar infrastrukturën që meritojnë.

Miqtë e mi!

Edi Rama po kërcënon. Mos votoni thotë, kandidatët e opozitës se nuk do keni para. Tani më lejoni t’i them një fjalë këtu para jush.

Atje nga fshati yt, rrëzë Shpiragut kanë një fjalë. I thonë: “Gusht e gunë!” Dhe unë po ta them: “Gusht, dhe pushteti yt merr fund!”

14 maji hap dyert për përmbysjen e tij si figura më e keqe e historisë sonë kombëtare pas Enver Hoxhës. Si armiku më i egër i veriut pas Car Dushanit dhe Enver Hoxhës. Si njeriu që ndjehet shumë më krenar me miqësinë, me armikun e egër të shqiptarëve, të cilën edhe këto ditë Nju Jork Times e denonconte si një kriminel, që bënte gjahun e shqiptarëve, Aleksandër Vuçiç. Dhe thotë se atë e kam vëlla, jam krenar me të, kurse Albin Kurtin e ka kundërshtar. Hasi, Tropoja, Dibra, Kukësi nuk mund t’ia falin kurrë atij miqësinë, vasalitetin ndaj Beogradit dhe Vuçiçit. Nuk mund t’ia falin, sepse ata që ai i shpalli kushërinjtë e tij, ata janë faktuar në histori si barbarë ndaj shqiptarëve. Dhe jo vetëm në shekujt e shkuar, jo vetëm në dekadat e shkuara, por edhe 20 vite më parë. Me dhjetëra e dhjetëra hasjanë ranë për t’u bërë të pavdekshëm për lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar, për lirinë e Kosovës.

Ndaj është rasti t’i themi këtij vasali, mos guxo të luash me çështjen e Kosovës. Larg duart! Shko po deshe në Beograd. Me Kosovën nuk ke punë, Kosova ka qeverinë e saj, ka qytetarët e vet. Kosova dhe veriu, dhe gjithë shqiptarët janë një. Se ndien ti veten një me Deogradin, atje do përfundosh pasi të lash të gjitha kusuret që ke me shqiptarët.

Miqtë e mi!

Edi Rama është treguar një armik i kombit shqiptar, sepse ai me politikat që ka ndjekur, me rikthin e tiransë së varfërisë gjatë këtyre 8 viteve, me masa shtrënguese, me arrestime për energjinë elektrike dhe ujin, me shkatërrimin e dhjetëra e mijëra bizneseve, me dyfishimin e taksave, Edi Rama ka detyruar mbi 1 milionë shqiptarë të brakstisin Shqipërinë. Ai ka kryer gjenocid të vërtetë ndaj kombit shqiptar. Koha për të ka kohë që ka përfunduar. Ndaj edhe më 14 maj të gjitha hasjanet dhe hasjanët në këtë rreth dhe kudo që ndodhen, iu bëj thirrje të vijnë të votojnë ndryshimin, të votojnë Miftar Dautin.

I garantoj se duke votuar Miftar Dautin kanë votuar shpresën për veten e tyre. Kanë votuar shpresën për fëmijët e tyre. Kanë votuar rikthimin e Hasit dhe të Shqipërisë në rrugën që ata meritojnë. Kanë votuar gjithashtu çlirimin nga nga terrori i varfërisë. Shqipëria, Hasi nuk janë të varfër, përkundrazi qytetarët e Hasit dhe Shqipërisë janë të vjedhur, tmerrësisht të vjedhur.

Po pse në vitet 2005-2013, 3 miliardë euro ishte buxheti. Pse mjaftuan në ato vite të dyfishohen rrogat? Pse mjaftuan në ato vite të dyfishohen pensionet? Të ndertohen autostradat, të ndërtohen 11 mijë kilometra rrugë, 1300 shkolla e kopshte, etj. Sepse paratë tuaja përdoreshin për ju, me qëllimin më të madh të investojmë tek njeriu. Të bëjmë gjithçka që qytetarët shqiptarë të kenë një jetë në përmirësim. Të bëjmë gjithçka që të kenë rrugët që meritojnë. Të kenë furnizimin me ujë, kanalizimet, shkollat.

Kjo kohë pse ndaloi? Pse ndodhi? Nuk kishte para 2 herë shumë se dyfishoi taksat. Vitin e kaluar ka patur 5 miliardë euro buxhet, dhe gënjen e vetëm gënjen. Nuk më la lufta të rrisja rrogat. Cila luftë nuk të la të rrisje rrogat? Po lufta të ndihmoi ty t’i vjedhësh shqiptarët nga xhepat me bordet 520 milionë euro, të cilat po të kishe moralin minimal ua ktheje një nga një. Ua ktheje pensionistëve në pensione. Ua ktheje rrogëtarëve në rroga. Ua ktheje fermerëve në subvencione. Ua ktheje bizneseve në mbështetje, siç bënë të gjitha qeveritë. Por ky jo! Përkundrazi i mori dhe i shpërndau për veten dhe klientelën e tij.

Në tetë vite, 70 deri në 90 përqind e të gjithë investimeve në punë publike janë vjedhur nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij. Kanë ndërtuar rrugë në fushë me dyfishin e çmimit me të cilin është hapur tuneli i Elbasanit. Kanë ndërtuar rrugë në fushë me 10 deri në 12 herë sa ndërtohet në Gjermani rruga në fushë, me 24 milionë euro. Ndërton shkolla me 7 milionë euro, e gjitha djersë e juaja, të gjitha paratë tuaja.

Dhe pastaj, kur fëmijët tuaj ikin, kur djemtë dhe vajzat tuaja ikin, çfarë u thotë? U thotë se do marrim nga Bangladeshi. A ka më antishqiptar se ky? Unë nuk jam racist, por ne kemi detyrë në radhë të parë të mbajmë këtu të garantojmë jetën e fëmijëve tanë, të rinjve tanë. Kemi detyrë që energjitë e tyre, ëndrrat e tyre të shndërrohen në projekte për Hasin dhe Shqipërinë. Çfarë ndodh? Ata ikin, dhe vetëm ikin. Kurse ky thotë se do marrim nga ata, se nuk votojnë.

Ndaj dhe unë ftoj çdo hasjan që me 14 maj ta ndëshkojmë me votë. Ftoj nënat, motrat dhe vajzat e Hasit të bëjnë gjithçka këto ditë që kanë mbetur për ta marrë këtë fushatë në dorë. U them atyre se fajtor kryesor për problemet e mëdha të jetës së tyre të përditshme që ato përballen më shumë se burrat e tyre, për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen, për brengën dhe mallin për fëmijët që nuk i kanë këtu, për të gjitha këto është Edi Rama.

Është ai i cili kërkon të shpërbëjë familjen shqiptare, ta emërojë nënën me numër 2, dhe babën me numër 1. Ndaj dhe me datën 14 maj, të votojmë ndryshimin. Ndryshimi është shpëtimi i Hasit, ndryshimi është shpëtimi i Shqipërisë.

Miqtë e mi!

Ju e shini fushatën e tij, kalon nga takimi në takim me një gjuhë të denjë për një halabak. Përdor fjalë të turpshme.

Përse e bën këtë?

E bën këtë sepse ata qytetarë i ka vjedhur, i ka varfëruar, i ka përzënë nga vendi i tyre. Tani thotë më mirë të thonë se ky është halabak, se ky është i pacipë, por të mos thonë se i kam vjedhur, se i kam përzënë. Por ne do e ndëshkojmë atë me 14 maj pikërisht për këto krime që ai ka kryer.

Këto ditë janë ditët e finishit. Fitorja po ju pret ju, po pret popullin opozitar në Shqipëri. Le të rendim me shpejtësinë më të madhe drejt saj. Me datën 12 maj, në ora 7, ftoj banorët e Hasit, Tropojës dhe të gjithë Shqipërisë, të mblidhemi dhe të festojmë fitoren e datës 14 në Tiranë në sheshin Nënë Tereza.

Votoni numrin 1, koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. Votoni Miftar Dautin, kandidatin e fitores.

I bëj thirrje Beqirit dhe Halitit. Tani, z.Mula, deri tani ka qenë me dy emra. Këto ditë u bëre me dy mbiemri, edhe Mula dhe Mielli. Jep dorëheqjen, mos shklo të kërkosh më votë, se je turpëruar me atë që ke bërë! Shko e pyet atë paraardhësin tënd, ai është socialist i vërtet. Është patriot, është hasjan, i cili e denoncon racizmin e Ramës, kurse ty të përdor si vegël. Jep dorëheqjen dhe ti. Mos u bëj mashë e tij, se të jap fjalën se me datën 15, Rexha, ti dhe Safet Gjici do të krijoni partinë e pabesisë.

Ndaj dhe ju uroj nga zemra, fitore, fitore, fitore!

Rroftë Hasi, rroftë Shqipëria!

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply