Kryetari i PD zhvilloi takimin elektoral me kandidatin e opozitës së bashkuar për bashkinë e Gjirokastrës Dorjan Lani. Berisha u shpreh se, sot ne jemi në prag të një fitoreje të madhe e cila ka një rëndësi historike për Gjirokastrën, gjirokastritët, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.
“Përshëndetjet më të përzemërta qytetare dhe qytetarë të Gjirokastër, vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Nder i veçantë, kënaqësi e madhe të flas sot para jush dhe të ju përshëndes përzemërsisht të shpreh kënaqësinë time më të madhe.
Me këtë miting ne firmosim fitoren me 14 maj, jo vetëm në qytetin e Gjirokastrës, por në të gjitha bashkitë e këtij qarku, gjë e cila e ka tronditur thellë në shpirt Edi Ramën dhe e ka nxjerrë jashtë çdo lloj standardi normal.
Miqtë e mi!
Sot ne jemi në prag të një fitoreje të madhe e cila ka një rëndësi historike për Gjirokastrën, gjirokastritët, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Në këto 8 vite në Shqipëri u instalua regjimi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu dhe ky njeri, Edi Rama, i përdori ato pushtete në të keqen më të madhe, të gjirokastriteve, të tepelenasve, dropullitve, libohovitëve, përmetarëve, sarandjotëve, delvinjotëve, mbarë shqiptarëve.
I përdori në të keqen më të madhe, sepse njerëz të varfër siç ishim ne, të rropatur në shekuj varfërie arritëm me mund e djersë, të dalim në rrugën e shpresës, arritëm të jemi njerëzit më mirë të paguar në rajon. Arritëm të realizonim një infrastrukturë që meritonim.
Por çfarë ndodhi nga 2013 e gjer sot. Nga 2013 e gjer sot koha jonë ngriu. Të gjithë ata që studiojnë të gjitha pushtetet në dorën e një njeriu, gjejnë se në rrafshin filozofik këto pushtete ndalojnë kohën. Këtë e provuam më mirë se kushdo tjetër ne shqiptarët.
Nga 2013-2023, rrogat tona jo vetëm që nuk u rritën, por ato u ulën në mënyrë të frikshme. Vetëm nga rritja e çmimeve nëpërmjet bordeve, çdo shqiptar pagoi për ushqimet e tij, 430 mijë lekë më shumë. Pagoi 2 pensione më shumë, 1 rrogë më shumë. Pa llogaritur këtu rritjen tjetër të çmimeve para vitit 2021.
Çfarë ndodhi me rrogat? Rrogat u ngrinë, rrogat jo që nuk u rritën, por për shkak të rritjes së çmimeve, shqiptarët humbën rrogën e 12, pensionistët humbën pensionin e 11 dhe 12. Kjo është e vërteta. Ky njeri gradualisht vendosi tiraninë e varfërisë mbi shqiptarët. Dhe në vend se ata të begatoheshin nga viti në vit, ata u varfëruan më shumë nga viti në vit.
Jo vetëm kaq, por pushteti në duar të një njeriu është dhunim masiv i të drejtave të njeriut. Sepse, në shoqëritë e lira, të drejtat i garantojnë para së gjithash gjykatat, drejtësia. Ndërsa sot nuk ka qytetar shqiptar që fiton një gjyq kundër shtetit. Ky njeri vetëm në vitin 2015 arrestoi 37 mijë shqiptarë vetëm për çështje civile, të cilat prej 3 shekujsh nuk bëhen kurrë penale, në të gjitha konventat dhe kodet, përveç se në shpirtin e keq, abuzimin e tmerrshëm me pushtetin e një njeriu, që ndihej zot i shqiptarëve dhe mund të bënte ç’të donte me ta.
Qytetarët në këto 8 vite u shpërfillën më shumë se kurrë. Mbrëmë isha në Vlorë, sheshi i Flamurit një shesh simbolik për çdo shqiptar nuk është më, sepse ka bërë ndërtimin në mes të sheshit. Po çfarë ndërtimi thoni ju.
Para 30 vitesh kam qenë në Paris dhe atje shkova rastësisht pashë një kasaphane kuajsh dhe ndërtimi i Edi Ramës më kujtoi kasaphanën e kuajve në një lagje të Parisit ku vareshin kuajt në shtylla. Pa pyetur asnjë qytetar vlonjat. Edhe këtu donte të ndërtonte unazën dhe të hidhte në anë kalanë. Ju lumtë gjirokastriteve që rezistuan, nuk e lanë”, u shpreh Berisha.