Everett Stern, ish-kandidat për senatin amerikan dhe drejtor i inteligjencës në agjencinë private të inteligjencës ‘Tactical Rabbit’ në SHBA, bëri me dije se do publikojë të tjera prova shkatërruese kundër ish-kreut të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal.
Sipas Insider, McGonigal është nën akuzë për pastrim parash dhe shkelje të ligjeve të sanksioneve amerikane, pasi dyshohet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska.
Po ashtu, McGonigal është i paditur në një tjetër dosje në Uashington se ka pranuar para nga një agjent i inteligjencës shqiptare teksa punonte në FBI.
Por çfarë pretendon Everett Stern?
Ai thotë se ishte kontraktuar për të kryer një hetim të dytë ndaj bankës së njohur HSBC, e cila akuzohej për dhunim të sanksioneve dhe pastrim parash.
Ndërsa kërkonte informacione shtesë të inteligjencës, ai kishte si pikë kontakti në FBI, agjentin e diskredituar Charles McGonigal.
“Kam arsye të mira për të besuar se ky hetim i dytë ndaj bankës HSBC, u dëmtua nga McGonigal,” thotë Stern, duke shtuar se beson se gjërat kanë nisur që në vitin 2015.
Në vitin 2015, Stern u kontraktua për të gjetur një diamant të vjedhur nga Oleg Deripaska nga një koleg i ngushtë i McGonigal dhe ish-agjent i FBI-së, i cili gjithashtu është arrestuar dhe akuzohet për komplot dhe akuza të tjera.
“Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” thotë Stern.
Duke ftuar gazetarët të jenë të pranishëm në denoncimin e tij, Stern thotë se në dritën e padive ndaj McGonigal, ai tani e ka kuptuar se informacionet e tij nga inteligjenca kanë përfunduar në duart e rusëve.
“Charles McGonigal i kundërzbulimit të FBI-së ishte pika ime e kontaktit- personi im i besuar për t’i dhënë informacione të sigurisë kombëtare. Tani kujt t’i besoj? Inteligjenca ime ka shumë të ngjarë që ka përfunduar në Rusi. Jam më shumë se i neveritur dhe i zemëruar me këtë nivel korrupsioni dhe tradhtie,” tha Stern.
Dimensioni shqiptar i dosjes së McGonigal, ku del qartë mega-afera e tij me Edi Ramën, nuk është shpalosur plotësisht, sipas ekspertëve. Sipas tyre, kjo dosje mund të jetë shumë më e rëndë.