Pep Guardiola ka folur për mediat para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Manchester City në Ligën e Kampionëve, kundër Real Madridit.
Ai këmbënguli se skuadra e tij “nuk është këtu për hakmarrje”, pas eliminimit që kishte pësuar nga “Los Blancos” sezonin e kaluar.
“Do të ishte një gabim. Ne luajtëm jashtëzakonisht mirë vitin e kaluar në Manchester dhe më pas ishim shumë mirë këtu, por nuk mjaftoi. Ajo që ka ndodhur në të kaluarën është në të kaluarën”, tha Guardiola.
“Sigurisht, janë të njëjtët drejtues dhe 80 ose 90 për qind të njëjtit lojtarë. Por, janë ndeshje krejtësisht të ndryshme”, shtoi ai.
Guardiola tutje tha se Man City është në një pozicion të mirë për ndeshjen e dytë, të cilën do ta luajë në shtëpi javën e ardhshme.
“Ndeshja e dytë është në shtëpi, e cila është ndryshe dhe gjithçka do të vendoset në Manchester. Është e rëndësishme të marrim një rezultat të mirë nesër dhe ta lëmë të hapur për në Manchester”, tha trajneri spanjoll.
52-vjeçari tutje foli për “urinë” që të dalin kampionë në këtë garë.
“Ne e duam atë dhe ja ku jemi përsëri. Klubi im po kërkon ta fitojë këtë kompeticion – e pata atë ndjenjë kur erdha për herë të parë”, tha Guardiola.
Ndryshe, ndeshja e parë gjysmëfinale mes Real Madridit dhe Manchester Cityt do të zhvillohet sonte në “Santiago Bernabeu”.