Kryetari i PD, Sali Berisha në mitingun elektoral përmbyllës në Pogradec kërkoi votat e qytetarëve për kandidatin e opozitës, Zini Tollozhina. Lideri i opozitës tha se shqiptarët presin me padurim 14 Majin, për të firmosur ndryshimin dhe rivendosur pluralizmin politik.
“Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, banorë të Pogradecit. Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, përulem me nderim të madh. Ju vini sot këtu si qytetarët e fitores së merituar. Miqtë e mi! Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj i vërtetë të sjell tek ju, mesazhin e fitores nga e gjithë Shqipëria. Kam udhëtuar këto ditë nga jugu në veriun e Shqipërisë dhe kudo kam takuar djem e vajza, burra e të rinj, idealistë, të cilët në një kohë të shkurtër vendosën epërsinë e madhe morale në këtë fushatë, vendosën epërsinë e fitores dhe presin me padurim 14 majin për të firmosur ndryshimin, për të firmosur rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, për të firmosur rikthimin e qytetarit shqiptar në epiqendër të interesit të qeveritarëve vendorë.
Kudo qytetarët opozitarë janë në këmbë të sigurtë për fitoren. Përballë tyre janë hijet e natës të cilët qarkullojnë kryesisht natën që të shpërndajnë ndonjë para, të bëjnë ndonjë kërcënim. Njerëz që i përkasin botës që ikën dhe kjo është e vërteta. Miqtë e mi! Sot shqiptarët shohin atë që quhet kryeministër që nuk meriton kurrë asnjë lloj detyre, përveç se atje ku e ka vendin, të kalojë nga sheshi në shesh, nga takimi në takim me një fjalor të padenjë për një njeri të civilizuar. Me një fjalor të varfër në ekstrem, me 4 fjali, zorra qorre, zorra e hollë, je çun i mirë, por motër nuk kam, mos votoni se nuk u jap para.
Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka njohur një përfaqësim më të shëmtuar të një force politike si kësaj radhe, rilindja me Edi Ramën. Nga ana tjetër kandidatët e tyre, pasi kanë vjedhur dhe rrjepur qytetarët, nuk pranojnë, refuzojnë në mënyrë kategorike ballafaqimin. Nuk pranojnë sepse po të dalin para jush, akti i parë u duhet të kthejnë xhepat njëherë, të tregojnë xhepat e tyre, por ata xhepat nuk i tregojnë se i kanë të mbushur, xhepat dhe kontot me paratë që u kanë vjedhur ju.
Së dyti duhet të tregojnë me çfarë rrethohen. Po sikur të dalë Ilir Deçolli këtu para Zihni Tollozhinës, në një kohë kur Ilir ka vjedhur të gjithë hajdutët në bashki dhe vjedhin bashkë me ta. Vjedhin dhe ndihmat gjermane për komunitetin e Pogradecit. Si mund të dalë ai, kur merr shoferin dhe e emëron drejt ujësjellësi dhe drejtor të tenderave, si mund të dalë ai. Ndaj dhe ikën. Demokrate e demokratë. Merrni portretin e tij stamposeni dhe vendoseni ‘Kërkohet’ në të 4 anët e Pogradecit. Kështu e meritojnë, këta nuk kanë përgjegjësi”, u shpreh Berisha.