Vota, si përgjegjshmëri qytetare, politike, pjekuri e vizion!

Nga Ardi STEFA
Sekretar për marrëdhëniet me publikun i PD Vlorë 

53 vite më parë kam lindur në Vlorë.

Im atë kishte gati 40 vite përpara meje që jetonte në po këtë qytet.

Nuk është hera e parë që shkruaj e kërkoj përulësisht përgjegjshmëri, përgjegjshmëri politike e qytetare.

Sepse këto zgjedhje duhet të jenë dëshmia e parë historike e lindjes së përgjegjshmërisë qytetare.

Këto zgjedhje ndoshta janë hapi i parë që hedhim për të kuptuar se demokracinë nuk duhet ta presim si dhuratë nga të tjerët. Një hap i madh që hedhim si popull, për të kuptuar se të drejtat tona si qytetarë të lirë duhet t‘i fitojmë me qëndrime prej qytetari, që atë liri e meriton.

Këto zgjedhje duhet të dëshmojnë që Shqipëria nuk është më ajo Shqipëria e trembur, e uritur dhe e sëmurë e viteve të gjata të diktaturës komuniste. Nuk është më as ajo Shqipëria që, e lodhur nga diktatura e gjatë, mbushte sheshet për të kërkuar “Liri e Demokraci, Drejtësi, Prosperitet e Votë të lirë e të patjetërsuar”!

Këto zgjedhje duhet t’u kujtojnë pushtetarëve tanë se ka ardhur koha që dhe te ne të hiqet dorë nga vjedhja e zgjedhjeve për hir të pushtetit dhe të bëhen dhe te ne zgjedhje të lira e të ndershme për të garantuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve me shtetin e së drejtës.

Thonë se papërgjegjshmëria qytetare lind regjimet, kurse papërgjegjshmëria politike lind kaosin dhe rrënimin. Nuk mund të mos e kujtosh këtë, kur sheh se si reagojnë pushtetarët tanë të trembur nga lindja e përgjegjshmërisë qytetare. Në vend që t’i gëzohen këtij zgjimi të ndërgjegjes qytetare të popullit të tyre, pushtetarët tanë e humbasin fillin aq shumë, sa kërcënojnë qytetarët pse u zgjuan nga një letargji e gjatë.

Ka kaq vite që pushtetarët e sektit gajasen dhe bëjnë pazaret e radhës për të ndarë në hijen e zyrave të shtetit pronat publike dhe pronat e pronarëve të pushkatuar nga diktatura.

Ka vite që ky sekt që keqqeveris Vlorën e Shqipërinë e ndan popullin në “të vetët” e “kundërshtarët”, që gajaset e numëron milionat e vjedhura nga pasuria publike; që rrënon ekonominë dhe dëbon shqiptarët.

Sepse papërgjegjshmëria politike e pushtetarëve tanë të tranzicionit është ulëritëse. Ajo është mbështetur gjithmonë edhe në papërgjegjshmërinë e vetë qytetarëve, sidomos në mënyrën se si qytetarët votojnë, prandaj dhe e humbasin aq keq ekuilibrin, tani që po lind përgjegjshmëria qytetare, sa të kërcënojnë se pa ta e pas tyre do të ndodhë qameti.

Lindja e përgjegjshmërisë qytetare, doemos që nuk është në dobi të pushteteve e të regjimeve, por në të mirë të jetësimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, që jetësohen e mbrohen nga shteti i së drejtës. Shteti i së drejtës, që pushtetarët tanë as e njohin dhe as e pranojnë dot, sepse janë rritur me etjen për të hedhur në dorë darët e pushtetit të pakufizuar, sepse janë rritur me etjen për të sunduar. Sepse tani nuk betohen dot “Për idealin e Partisë!”, por për Paranë, madje partitë i kanë kthyer në ndërmarrje private për të shtuar Paranë.

Sepse me para po blejnë votat për të mbajtur pushtetin, me para po blejnë median për të mbajtur pushtetin, me para po blejnë dhe miq personalë në institucionet ndërkombëtare për të marrë e për të mbajtur me çdo kusht e me çdo çmim pushtetin, miq personalë, të cilët harrojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe mbajnë mend vetëm dëshirat e sëmura të sektit.

Thonë se kur më gënjen një herë, e ke fajin ti, por kur më gënjen herën e dytë, e kam fajin vetë.
Sot jemi aq të zgjuar sa të dimë se çfarë e për kë votojmë!

Ndaj sot duhet që arma e vetme që kemi, VOTA, të përdoret me përgjegjshmëri, pjekuri dhe mirëmendim.

Vota duhet të dëshmojë edhe integritetin tonë moral e politik!

Ndaj vota duhet të hidhet në kuti me përgjegjshmëri qytetare, me përgjegjshmëri politike, me përgjegjshmëri për fëmijët tanë e brezat e ardhshëm, për atdheun që do t’u lëmë.

Duhet të votojmë me përgjegjshmëri e pa u trembur nga tam-tamet, as nga batutat, fyerjet e intimidimet e atyre që ndërhyrjen në Vlorë e kanë kozmetikë që rrënon qytetin dhe jo strategji drejtimi.

Duhet të votojmë ata që angazhohen që bashkia do t’u shërbejë e s’do t’i shërbeni. Të votojmë kandidatët e opozitës që janë angazhuar për një qytet për të gjithë qytetarët e në duar të qytetarëve, për një qytet të pastër, miqësor, njerëzor e që respekton historinë e traditat.

Dhe vota jonë e përgjegjshme do të sjellë Ndryshimin!

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply