Berisha: 14 majin ta shndërrojmë në festën e fitores për ta përzenë njëherë e mirë këtë regjim!

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi sot takimin elektoral përmbyllës në Malësinë e Madhe në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Isa Ramaj.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se, Malësia e ka marrë vendimin e saj për të votuar drejtimin e duhur, dhe se Tonini bashkë me Toninët e tjerë do shkojnë me Edi Ramën atje ku e meritojnë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se, Edi Rama po përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë, 14 maji është dita e ndarjes me regjimin që përzuri me përçmim mbi 1 milion shqiptarë. Berisha tha se, nuk ka pasur asnjë qeveritar që të ketë vendosur një tirani varfërie me kaq shpejtësi mbi shqiptarët, sa Edi Rama.

I shqetësuar për përdorimin e fjalorit banal të kryeministrit Rama, Berisha tha se ai po e përdor këtë gjuhë për të mos dhënë asnjë llogari te qytetarët, por t’i mbulojë gjurmët e vjedhjeve të tij me togfjalësh banal dhe me fjalime që përbajnë vetëm 4 fjali.

Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi të gjithë qytetarët që 14 majin ta shndërrojnë në festën e fitores për ta përzenë njëherë e mirë këtë regjim që iu ka mohur çdo të drejtë dhe liri.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë. Banorë të Koplikut, të Malësisë së Madhe. Vëllezër e motra. Zonja e zotërinj! Përshëndetjet e mia më të përzemërta. Nderimin dhe mirënjohjen më të pakufijshme.

Nuk mundet kurrë të kurorëzonim fitoren pa Malësinë e Madhe, Malësinë e burrave dhe grave me shpirt të madhe, me virtyte të spikatura, të cilët i bëjnë nder Malësisë dhe kombiit shqiptar, sikundër i kanë bërë në histori.

I dashur zoti deputet i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ramadan Lika, përfaqësues i shkëlqyer Malësisë së Madhe. E dashur deputete në Kuvendin e Shqipërisë znj.Bardeli. I dashur z.Kryetar i yni i Bashkisë së Koplikut, Isa Ramaj.

Miqtë e mi!

Një përshëndetje të përzemërt dhe një mirënjohje për të gjithë punën e shkëlqyer q ju se bashku keni bërë gjatë këtij muaji, dhe keni sjellë Malësinë e Madhe në agun e fitores së saj së merituar, në agun e ndryshimit, në agun e ndryshimit historik për Malësinë e Madhe dhe Shqipërinë.

Sot, ne vijmë para jush për të kërkuar votën e çdo malësori, malësoreje, atdhetar, patriot, punëtor. Por vijmë gjithashtu krenar me ju dhe ballëhapur para jush, sepse ne vijmë për të paraqitur Isa Ramajn, kandidatin tuaj, njërin prej jush, i cili dallon shumë nga Tonini. Jo se Tonini nuk është i kësaj treve, po edhe ai i kësaj treve është.

Por problemi është se Tonini, dhe të gjithë si Tonini, nuk janë më të qytetarëve, janë të Edi Ramës, janë kandidatë të qeveritarëve. Për ta zbërthyer këtë do t’u jap një shembull. Në Parlament ju keni Ramadan Likën përfaqësues. Ramadan Lika, në Parlamentin e vendit, pikërisht se ka ndjerë përgjegjësitë para jush, është bërë një avokat i pamposhtur i interesave të malësorëve të Malësisë së Madhe. I problemeve, i halleve, i derteve të tyre.

Më thoni pak, sa herë e keni dëgjuar ju Paulinin të çelë gojën për Malësinë e Madhe? Ja ku është këtu zonja Greta Bardeli. Në mënyrë të vazhdueshme ka ngritur në Parlament problemet e qarkut dhe qytetit të Shkodrës. Po kështu Zef Hila, në mënyrë të përsëritur. Sa herë e keni dëgjuar ju Benet Becin, që ia fali veten Edi Ramës të flasë një fjalë për Shkodrën në dy vite? Asnjëherë!

Po se i solla këto shembuj? I solla këto shembuj për t’ju thënë miqtë e mi, se ndryshimi është shumë i madh, se këta janë qeveritarët tuaj, nuk janë të Sali Berishës, nuk janë të të kryesisë së partisë. Por janë të qytetarëve dhe do mbeten të qytetarëve. Ky është ndryshimi esencial që ne duam të sjellim më 14 maj. Unë e di që Malësia e ka marrë vendimin e saj, dhe Tonini bashkë me Toninët e tjerë do shkojnë me Edi Ramën atje ku e meritojnë.

Por prap, lutja ime është të mbledhim çdo votë në çdo skaj të kësaj malësie.

A e shihni ju Edi Ramën së çfarë bën? Ky është qeveritari i parë që i thotë qytetarëve mos dilni në votime. Kaq frikë dhe tmerr ka ky nga vota juaj. Saqë ju thotë: aman mos më gjuani me votën tuaj, aman mos voton kundër meje. Edi je i pashpresë! Kjo tregon se ai është i pashpresë.

Ndaj dhe ne duhet të votojmë të gjithë demokratë, socialistë, të paparti, çfarëdo që jemi. Të votojmë ndryshimin, të votojmë Isa Ramën, të votojmë 1-shin, se kemi votuar liritë tona!

Nuk është i lirë qytetari që shpërfillet, që përbuzet nga qeveritari. Nu kështë i lirë qytetari kur të gjitha poushtetet i ka në dorë një njeri me një shpirt të shkretuar nga virtytet, dhe që i përdor ato në mënyrën më çnjerëzore. Nuk është i lirë qytetari, kur një njeri kontrollon të gjitha pushtetet, kontrollon drejtësinë. Por me drejtësi të kontrolluar nga qeveria nuk ka kurrë liri dhe të drejta njerëzore për qytetarët.

Ndaj edhe ky ndryshim është para së gjithash ndryshim për dinjitetin tuaj, ndryshim për liritë tuaja. Por nuk është vetëm kaq, jo. Ju e dëgjuat programin e Isa Ramajt, program për ju, program për bizneset, program për fermerët, program për turizmin. Pra, një program i cili përpiqet të adresojë drejt, t’u japë përgjigje, zgjidhje të gjitha problemeve me të cilat përballent të gjithë këta sektorë jetikë për Malësinë e Madhe. Kurse, Marinaj betohet nga mëngjesi deri në darkë për krye të Edi Ramës dhe Paulinit, sepse është vetëm i tyre

Çdo qytetar i Malësisë së Madhe kudo që ndodhet në këtë trevë, në Shqipëri apo emigracion, duhet të bëjë çdo përpjekje të votojë më 14 maj. Të votojë, sepse kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pasur një qeveri e cila t’i ketë vjedhur ata gjer në palcë, e cila t’i ketë plaçkitur ata në çdo gjë, e cila t’iu dyfishojë bizneseve taksat, e cila iu dyfishon qytetarëve çmimet. Sot, me rritjen njëvjetore të çmimeve, dhe sot secili nga ju nga vjet deri sivjet, harxhoni një rrogë më shumë për të blerë ushqimet, dy pensione më shumë për t’i blerë ato. Kurse ai shëtit me avion në vakanca dhe shpenzon 22 milionë euro. Vjedh nga ju gjysmë miliardi euro. Nuk ua kthen, përkundrazi ia jep klientelës së tij.

Nuk ka pasur asnjëherë një qeveritar që të ketë vendosur një tirani varfërie me kaq shpejtësie mbi ju sa Edi Rama. Çmimet u rritën, rrogat mbetën po aty. Ne u rrokullisëm nga qytetarët me rrogat më të larta në rajon, në qytetarët me rrogat më të ulëta. Në një kohë kur jetojmë në një parajsë tokësore.

Hidhni sytë!

Nuk ka vend më të bukur se Malësia, nuk ka potenciale më të mëdha se Malësia. Pse braktisen? Se këto pasuri janë shndërruar të huaja, nuk ndjehen të qytetarëve, por të qeveritarëve. Pse braktisen? Sepse, Edi Rama ka nxjerrë formulën se në Sqhipëri nuk vdes kush urie. Nuk është puna të vdesim urie, se për të vdekur urie nuk kanë vdekur as në kohërat më të vështira, por puna është të jetojmë si njerëz, të ushqehemi si njerëz, të rrisim fëmijët tanë siç duhet t’i rrisim. T’i shkollojmë ata.

Ndaj dhe 14 maji është një ndarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është ndarja me një regjim që përzuri me përçmim mbi 1 milion shqiptarë në 8 vite, sa nuk ka përzënë asnjë luftë, asnjë murtajë apo fatkeqësi natyrore nga një komb siç ka përzënë Edi Rama me politikat e tij shqiptarët.

Miqtë e mi!

Po përballen dy kultura, dy rryma. Njëra është e juaja, që vjen e paraqet programin, që vjen me transparencë para jush. Kurse tjetra është e bodrumit të Edi Ramës. Asnjë rival, asnjë kandidat i tij nuk ka guxuar të dalë para jush në ekranet televizive, apo në shesh dhe të debatojë me kandidatët tanë. Tonin, në qoftë se ndjen se përfaqëson ndonjë gjë në Malësi të Madhe, hajde në këtë shesh në debat me Isa Ramajn. Po nuk vjen dot, nuk mundet. Nuk e lë as Edi Rama. Edhe unë ë kam ftuar atë.

Urdhëro të dalim në shesh, kemi qeverisur, dhe t’u themi qytetarëve çdo gjë që pyesin ata, çdo çështje që ngrenë ata. T’u japim përgjigje. Po ku mund të dalë ai? Sepse ai ka zgjedhur të kalojë nga sheshi në shesh me një togfjalësh të turpshëm. Jo gomari, jo çakalli, zorra qorre, nuk kam motër se je çun i mirë, dhe fjalë të tilla. Po ti je qeveritar. Ti para qytetarëve shkon për të paraqitur, për të dhënë llogari çfarë ke bërë. Për të thënë se çfarë do të bësh. Nuk janë qeveritarët të interesuar se ke motër, apo nuk ke motër ti.

Vjen këtu dhe përpiqet të mbjellë përçarje fetare me injorancë absolute. Ia thashë edhe atë dite, se po të lexosh historinë e kësaj malësie, ti vetëm këtu nuk e bën kurrë atë përpjekje. Jo sot, por edhe në vitet 1870, përfaqësuesit e Malësisë së Madhe i provuan Kongresit të Berlinit se pavarësisht nga fetë, ata ishin një dhe vetëm një, myslimanë dhe të krishterë, ishin shqiptarë dhe vetëm shqiptarë. Lexo pak njëherë, para se të vish të përmendësh ndasitë këtu. Lëre pastaj mkur thotë se kam tri besime në një familje. Tani me thënë të vërtetën nuk kanë ndërmend shqiptarët të të ndjekin ty me 5 martesa, janë mirë me një. Më vjen keq që ta them këtë, por nuk mund të mos ia them.

Miqtë e mi!

Këto ditë dhe orë që na ndajnë, le t’i shndërrojmë në festën e fitores. Të bashkuar siç jemi, të bëjmë gjithçka për të nxjerrë çdo qytetar të shkojë në votime. Për të regjistruar çdo votë, për të mbikëqyrur çdo votë dhe për të firmosur fitoren e Isa Ramajt, fitoren tuaj, fitoren e Malësisë së Madhe, fitoren e Shkodrës dhe të Shqipërisë!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Nderim të madh burrave dhe grave të kësaj malësie, djem dhe vajzave të saj. Faleminderit shumë!

About Redaksia

Check Also

Absurdi me 2 TEC-et lundruese në Vlorë! Qeraja 3-fish më e lartë se blerja

Dy termocentralet lundruese që janë vendosur në zonën e Triportit në Vlorë, jo vetëm që …

Leave a Reply