Agjencia e Brukselit, EurActiv, raporton se kryeministri shqiptar, Edi Rama ndërhyri në zgjedhjet presidenciale turke, duke shprehur mbështetje të fortë për presidentin aktual, Recep Tayyip Erdogan.
“Ndërhyrja e Ramës tregon ekuilibrat gjeopolitikë në rajon, me Greqinë fqinje që po ndjek me kujdes zhvillimet në dritën e çështjeve të saj të hapura me Ankaranë.
Erdogan ka qenë në pushtet për 20 vite, por votimi i së dielës mund të bëjë që kjo të marrë fund, pasi sondazhet e fundit parashikojnë një sfidë të paprecedentë ndaj sundimit të tij,” shkruan agjencia.
Sipas EurActiv, komentet e Ramës kanë ndezur zemërimin e ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili dha një prononcim për agjencinë.
“Turqia është pa dyshim një mike, një partnere, por me një doktrinë të neo-otomanizmit, që unë nuk do ta pranoj”, tha Berisha.
Një ditë më parë, kreu demokrat doli në një konferencë për shtyp për të denoncuar qëndrimin e Edi Ramës.
Berisha kishte edhe një thirrje për komunitetin shqiptar që jeton në Turqi.
“Në emër të PD dhe opozitës shqiptare, në respekt të plotë të ligjeve, të Shqipërisë dhe Turqisë, thirrja ime për çdo qytetar turk me origjinë shqiptare është të votojë për liritë e tij, të votojë për dinjitetin e tij, të votojë për një Turqi të ëndrrës së tij dhe të mos ndikohet nga asnjë thirrje e një njeriu që ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij dhe e përdor atë kundër qytetarëve të vendit të tij për varfërimin dhe dëbimin e tyre nga Shqipëria”, tha Berisha.