Në ditët e fundit të fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kandidati i opozitës për bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi zhvilloi takime me banorët e Njësisë Nr.9 në kryeqytet. Në këtë zonë, Këlliçi tha se Tirana lëngon nga problemet ekonomike, sociale dhe infrastrukturore. Ai përmendi faktin se sot kryeqytetit përballet me problemin e mungesës së ujit të pijshëm, për të cilin kreu aktual i bashkisë Erion Veliaj propogandon se ka 24 orë në ditë.
_“Domethënë, të jesh në zemër të Tiranës, të jesh te Njësia.nr.9, të jesh këtu të flasësh për mungesë uji të pijshëm, për mungesë të rrugëve, për mungesë të hapësirave të gjelbërta, për mungesë të çerdheve, kopshteve dhe shkollave, që e keni një problem në njësinë nr.9, kjo është e patolerueshme. Tirana lëngon nga ana ekonomike, fshati i Tiranës është i lënë në harresë. Qytetarët e Tiranës kanë nevojë bazike për çështjet më elementare që ka një qytetar, për ujin e pijshëm. Në lagjen tuaj, ju paguani tre herë për ujin e pijshëm: paguani UKT-n për ujin që sjell në rubinet, që nuk e pini; e paguani ujin për të pirë dhe për të gatuar gjithë familjet; dhe e paguani herën e tretë pompën për të prurë ujin te depozitat në mënyrë që të keni ujë. E ndërkohë çdo ditë në televizor ne shohim një propagandë goditëse ku thotë: _“Tirana ka 24 orë në ditë ujë të pijshëm”. Këtu është me luajt mendsh”_-tha Këlliçi.
Duke vijuar në këtë diskutim, Këlliçi u shpreh se objektiv i punës së tij, do të jetë të punojë për të sjellë të paktën 14 orë në ditë ujë për qytetarët e Tiranës. _“Kur jam ulur me ekspertët, me inxhinierët e ujit, kur kam folur gjerë e gjatë për këtë çështje më është thënë tekstualisht: _“Për shkak të rrjetit aktual të amortizuar, të shkatërruar në Tiranë, për shkak të ndërtimit pa kriter, për shkak se në një zonë p.sh, ku është parashikuar rrjeti i kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza për 20 mijë banorë psh, sot ne kemi 50 mijë banorë, rrjeti është aq i amortizuar sa për katër vjet ti nuk e bën dot ujin e pijshëm për 24 orë. Dhe çfarë ka ndodhur? Nuk e kam premtuar se nuk e bëj dot. Ama kam premtuar që realisht do të kemi ujë të pijshëm, do tentoj që katër vjeçarin e parë uji të jetë i pijshëm nga çezma dhe të kemi realisht 14 orë ujë të pijshëm, por realisht të vijë në çezëm, pa pompë. Është shumë e rëndësishme kjo”_.
Më tej, Belind Këlliçi foli për prioritetet e programit të tij, duke theksuar premtimin për autobus falas. Sipas tij, ky premtim ka pasur ndikim të gjerë te qytetarët e Tiranës, duke i siguruar ata se pas 14 majit autobusi falas do të jetë realitet.
_“A e kuptoni ju çfarë impakti ka pasur propozimi im për autobusin falas në qytet?! E përdorin 200 mijë qytetarë në ditë, kushton 16.5 milionë euro në vit. Dhe këta që harxhojnë 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, çohen nga mëngjesi në darkë dhe thonë se ku do i gjejë Belindi paratë. Po kur paska 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, nuk paska 16.5 milionë euro për 200 mijë qytetarë në ditë?! Po pse janë mërzituar këta? Sepse kjo masë ndihmon të varfërit, ndihmon pensionistët, ndihmon studentët, ndihmon familjet në nevojë, ndihmon të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje ekonomike. Dhe çfarë bën, ulë koston e jetesës me 52 mijë lekë në muaj, i lë qytetarëve 52 mijë lekë më shumë në muaj në xhep, atyre që e përdorin”_-tha Këlliçi.
Në këtë takim, Belind Këlliçi prezantoi edhe prioritetet e tjera të proramit të tij.
_“Është nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”, që është pothuajse i gatshëm për t`u bërë nëntoka, pa e prishur sheshin. Është një masë që lehtëson trafikun në Tiranë dhe çfarë bën? Përveçse heq 60% të trafikut në qendër, duhet ta dini që të gjithë ata që përdorin makinat në mënyrë të përditshme në Tiranë, harxhojnë mestarisht 28 minuta në ditë në trafik do të thotë 1.5 deri në 1.7 litra karburant më shumë në ditë. Do të thotë 100 mijë lekë në muaj, se duhet bërë llogaria në fund të ditës. Edhe këtyre ne do t`ua kursejmë këto para, do t`ua lëmë në xhep të gjithë qytetarëve. E treta prioritet që kam është ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave, lumi Lana do rikualifikohet, vetëm dy kolektorë i duhen Lanës për të hequr atë erë që kuturbon gjithë qyteti. Paketa që kam për biznesin e vogël dhe të mesëm, sot kam nënshkruar dhe kontratën, për të ulur taksat dhe tarifat për 45 mijë subjekte, çfarë do të thotë? Minimalisht 45 mijë familje€!”-tha Këlliçi.
Teksa denoncimet për blerje vote dhe intimidim janë shtuar ditët e fundit, Belind Këlliçi u bëri thirrje qytetarëve të dalin të votojnë masivisht në 14 maj. Sipas tij, vota e tyre do të mbrohet nga opozita. _“Partia Demokratike padiskutim është në këmbë për të mborjtur votën në datën 14 maj, në çdo komision, në çdo qendër votimi, në çdo zonë të Tiranës. Dilni votoni! Në datë 14 ne duhet të bëjmë të pamundurën që qytetarëve, bashkëqytetarëve tanë t`i themi: dilni votoni, merrni pjesë në proces, se jua garantoj që asnjë qytetar që del me qejf atë ditë nga shtëpia për të votuar, nuk shkon për të votuar Erion Velinë, këtë ua garantoj_”-tha kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, duke shtuar më tej se: _“Ditën e votimit, ju kërkoj ju lutem, flitini qytetarëve, komshinjve, miqve, të afërmëve, fisit, kujt të mundeni, ju lutem të kenë parasysh diçka: kur të shkojnë te kutia e votimit, te dhoma e fshehtë, jeni vetëm ju dhe Zoti lart. Nuk ua sheh dot votën as Belind Këlliçi as Erion Veliaj, sepse është duke intimiduar administratën publike, është duke i bërë terror Bashkisë Tiranë, terror i bëhet punonjësve të shkretë”, përfundoi Këlliçi.